Gonxhja: Ruajmë identitetin dhe trashëgiminë kulturore të Zerqanit

26 Prill 2026, 17:12Kulturë TEMA
Gonxhja: Ruajmë identitetin dhe trashëgiminë kulturore të

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sporteve, Blendi Gonxhja, zhvilloi këtë të premte (24 prill) një vizitë në Zerqan të Bulqizës, ku inspektoi nga afër një prej banesave më të veçanta të trashëgimisë kulturore, e cila pritet t’i nënshtrohet një procesi restaurimi.

Në një reagim në rrjetet sociale, Gonxhja theksoi rëndësinë e ndërhyrjeve restauruese në ruajtjen e identitetit historik, duke nënvizuar se kjo pasuri po rikthehet në formën e saj autentike, duke respektuar tipologjinë origjinale.

Sipas tij, ndërhyrja në këtë banesë tradicionale, e shpallur Monument Kulture i kategorisë së parë dhe pjesë e një kompleksi rural, përfaqëson një model të ndërthurjes së ruajtjes së trashëgimisë me zhvillimin e qëndrueshëm të zonës.

Objekti mbart vlera të veçanta arkitekturore që datojnë nga shekujt XVI–XIX, të reflektuara në përdorimin e gurit, qerpiçit dhe elementëve të punuar me kujdes në dru.

“Në Zerqan të Bulqizës, në një nga banesat më të spikatura të trashëgimisë kulturore, po materializohet një ndërhyrje me vlerë të veçantë që dëshmon se ruajtja e identitetit historik ecën paralelisht me zhvillimin e qëndrueshëm të zonës. Kjo banesë tradicionale, Monument Kulture i kategorisë së I-rë dhe pjesë e një kompleksi rural, përfaqëson një dëshmi të gjallë të arkitekturës së shekujve XVI–XIX, me gur, qerpiç dhe elementë druri të punuar me finesë.

Falë ndërhyrjes restauruese të Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore, kjo pasuri po rikthehet në identitetin e saj duke ruajtur autenticitetin dhe tipologjinë. Ky restaurim jo vetëm rikthen në jetë një vlerë të rëndësishme të memories sonë kombëtare, por krijon edhe mundësi të reja për jetën komunitare dhe turizmin kulturor. Në vijim, banesa synohet të shndërrohet në muze familjar dhe hapësirë sociale për vizitorët”, shprehet ministri. A.K./TemA

Lini një Përgjigje