VIDEO/ Ani Wilms: Historia e patreguar e hebrenjve të Vlorës

26 Prill 2026, 17:05Kulturë TEMA
VIDEO/ Ani Wilms: Historia e patreguar e hebrenjve të Vlorës

Ne krenohemi me rolin e Shqipërisë në Luftën e Dytë Botërore, veçanërisht kur është fjala për shpëtimin e Hebrenjve që gjetën strehë në vendin tonë gjatë kësaj periudhe. Megjithatë, është paradoksale që për një moment historik të cilit i referohemi kaq shpesh, kemi pak shkrime serioze historike por edhe letrare.

Pikërisht ky paradoks është në qendër të bashkëbisedimit me historianen dhe autoren Ani Wilms në Apostrof Podcast nga Bjorn Runa. Romani më i fundit i saj, “Dielli në Mërgim,” ndjek historinë e një djaloshi hebre të quajtur Josef Jakoel, i cili pas daljes nga një kamp internimi në Greqi, vendoset pranë familjes së tij në Vlorë. Përmes syve të Josefit, romani arrin të rindërtojë periudhën e Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri, por mbi të gjitha duke na ofruar një panoramë të hollësishme të jetës së përditshme.

Biseda përqendrohet gjithashtu edhe tek kontradiktat e asaj periudhe. Wilms flet për rolin e elitës së vjetër shqiptare – figura themeluese të shtetit shqiptar – por që në disa raste u rreshtuan me pushtetin gjerman të kohës. Ajo thotë se kjo ndodhi pjesërisht sepse një pjesë e tyre donin ta shfrytëzonin pushtetin gjerman për të luftuar armiqtë e tyre të brendshëm, por shumica e tyre ishin të bindur se nuk kishin mënyrë tjetër për të manaxhuar situatën dhe për të mbrojtur popullsinë shqiptare, si edhe komunitetin hebre që ishte vendosur këtu. Por, kjo zgjedhje e tyre do të gjykohej ashpërsisht në fund të luftës, duke iu kushtuar jetën gjatë regjimit diktatorial të mëvonshëm.

Përmes rrugëtimit të Josefit, “Dielli në Mërgim” e sjell të parë nga brenda tranzicionin që po ndodhte në Shqipërinë e kohës, ku rinia, e formësuar nga varfëria dhe e joshur nga premtimet radikale të barazisë dhe drejtësisë sociale, po shkëputej gjithnjë e më shumë nga gjuha dhe autoriteti i brezit të vjetër, duke hapur rrugën për një rend të ri që nuk do të ndërtohej pa kosto.

Në këtë mënyrë, romani dhe biseda rreth tij nuk synojnë të rrëzojnë narrativat ekzistuese, por t’i thellojnë ato, duke sjellë në vëmendje detajet dhe përvojat që shpesh mbeten jashtë historisë zyrtare.