*Ardian Vehbiu është shkrimtar, gjuhëtar, përkthyes, publicist nga më të mirët e gjuhës shqipe. Ai jeton në New York që nga viti 1996. Ndër veprat e tij më të njohura përmendim “Sende që nxirrte deti”; “Gjuha e thyer, gjuha që thyen”; “Kulla e sahatit”; “Fjalë për fjalë”; Trilogjinë e “Zotit Shyti”; “Bolero”; “Gjashtëdhjetë e gjashtë rrëfimet e Maks Gjerazit” që vjen me pasthënie nga Ervin Hatibi e shumë të tjera. Ai njihet gjithashtu shumë dhe për revistën online “Peizazhe të fjalës” që ka dhënë një kontribut jo të pakët në kulturën dhe gjuhësinë shqipe duke ndërhyrë shpesh në çështje delikate dhe duke pasuruar argumentin në shumë fusha edhe nga filozofia por dhe në antropologi e letërsi.
I mbani mend të gjitha ato që lexoni dhe a do donit t’i mbani mend?
Jo, nuk i mbaj mend, shumicën nuk i mbaj mend. Kjo pyetje më kujton një histori sufi, e kam lexuar vite më përpara, me një djalë të ri që shkoi të mësonte nga një mësues sufi. Dhe ky mësues i dha një program me letërsi që të mësonte përmendësh, poema të letërsisë persiane. Kur t’i kesh mësuar, i tha ai, hajde prape tek unë. Dhe ky u shkëput një vit të tërë, i mësoi, dhe u kthye te mësuesi, që filloi ta pyeste, ky varg, ky tjetri, ai e vazhdonte, i kishte mësuar të gjitha përmendësh, mirë, i tha, tashi shko në shtëpi, i tha ke një vit kohë që t’i harrosh, të gjitha këto që ke mësuar. Si t’i harroj i tha, nuk e di, puna jote, po vetëm kur ti kesh harruar, atëhere do të të konsideroj si nxënësin tim.
Kjo, histori shumë e bukur. Tashi, natyrisht, nuk i harron dot të gjitha. Por po më kujtohet dhe një tjetër batutë, këtë herë nga Lakani, i cili kur e pyetën një herë që pse i ke kaq të vështira ato që shkruan, kaq hermetike, u përgjigj se, e di që ashtu janë, po nuk është e thënë që t’i kuptoni, lexoje, i tha atij gazetarit, vetë leximi do të krijojë një transformim në mendjen tënde, nuk ka rëndësi ta kuptosh, lexoje dhe do dalësh ndryshe nga ç’hyre.
Dhe unë gjithmonë këtë ia them vetes edhe si ngushëllim kur lexoj ndonjë libër dhe them duhet t’i kthehem këtij prapë se shumë i mirë dhe më hyn në punë po sikur nuk e përtypa mirë, ai ndërkohë e ka bërë të vetën. Dhe është dhe kjo tjetra pastaj, që, me moshë nuk i mban dot mend, mban mend disa autorë, qoftë në fiction, qoftë non-fiction që të kanë formuar, dhe të tjerët, duhesh të kesh një dispozicion mendor shumë të veçantë në atë moment që të të hyjnë në punë.
(…)
Nuk e di, unë i lexoj të dyja llojet, Borgesin e kam autorin e preferuar dhe gjithmonë i rikthehem, Joycein, jo dhe aq se se them dot që është kaq i lehtë për t’u përtypur po më pëlqen ta mendoj gjithmonë që leximet kanë një efekt përtej asaj që mbaj mend.
Më ndodh dhe kjo, që kur lexoj në një gjuhë që nuk e zotëroj aq mirë sa këto gjuhët kryesore, të them anglisht apo italisht, nganjëherë i mbaj mend gjërat më mirë sepse bëj një mundim ekstra për të kuptuar çfarë po thuhet, për shembull kur më qëllon që të lexoj spanjisht që nuk është gjuha ime e parë.
(…)
Jo, e kam fjalën për këto gjuhët e tjera dhe më e bukura është të lexosh në një gjuhë që nuk kupton dot mirë, fillon gjen aty gjëra që nuk janë, i ke futur ti vetë, sepse ca fjalë i ke kuptuar tjetër për tjetër kështu që edhe kjo është një eksperiment i çuditshëm, të lexosh në një gjuhë, nuk po them të lexosh në një gjuhë që nuk kupton asgjë, kinezçe. Ezra Poundi pat përkthyer nga kinezçja, pa e ditur atë gjuhë. Ka bërë një përkthim të një poezisë klasike taoiste, Cathay quhet libri.
(…)
Më kujtove një batutë të Ekos, që shkon dhe gjen një varg të njërit prej këtyre poetëve anglezë, më duket Wordsworth, që thotë, a poet cannot but be gay, e kupton, por në anglishten e atij, gay ka kuptimin i gëzuar, i lumtur, gazmor, kurse…
Kur keni filluar të shkruani?
E di që…shumë herët, gjithmonë kam dashur të shkruaj, shumë herët, dhe kam një fletore akoma në shtëpi që është e klasës së tretë dhe aty kam ca tregime science fiction…Eco-ja thotë se u pat ndikuar shumë nga comic strips…ne s’kemi patur comic strips po kishim disa pak libra fantashkencë, që na e nxisnin fantazinë dhe unë kam shkruar pastaj vazhdimisht.
Tani që i shoh, janë shumë budallallëqe, po, me kalimin e kohës, se e ke parasysh, siç ndodh ai socializimi i fëmijës, shkon në shkollë të mesme e pastaj në universitet, ndikimet në klimë, të flasin ato ty, dhe kur shkruan nuk je ti që shkruan, janë ata autorë që të pëlqejnë ty, që shkruajnë me dorën tënde, dhe për fat të keq, ne, brezi im dhe breza të tjerë nën komunizëm, nuk kishim aq akses në autorë të mirë që të shkruanim mirë, ne kishim Kadarenë që e adhuronim dhe e imitonim kur shkruanim por të tjerë nuk kishim.
(…)
Të flet ai tjetri, janë kaq shumë influenca sa e vetmja mënyrë për të zgjedhur zërin tënd është të dëgjosh shumë zëra dhe të krijosh një kolazh në njëfarë mënyre. Është gjithmonë kolazh. Dhe unë them se e gjeta njëfarësoj veten vetëm, ndoshta, nga fundi i universitetit, fillova të jap diçka nga vetja, në atë kohë, ishte kohë shumë e errët për letërsinë, as që flitej se mund të botohej ndonjë poezi atëhere, por nga ç’kam shkruar edhe mund të shpëtohet, por në përgjithësi, është byk, thjesht për t’u studiuar nga ana psikologjike, si specimen, gjë e gjetur në pyll.
(…)
Dhe presioni nga shqipja, sidomos publicistika, fjalimet, ishte i tillë që nuk linte shumë vend për eksperimentime për të gjetur veten. Duhej të shkruaje në mënyrë të caktuar, të drunjtë, të keqe. Sidomos hartimet e gjimnazit mbaj mend, kushedi ku janë, duhet të ketë ndonjë arkiv ku ruhen, ç’budallallëqe, është më keq se feja.
Feja gjithsesi ka një dimension shpirtëror po ajo s’kishte as atë, me hero, me flakë, me perëndime dielli, një kitsch i kalbur komplet, duhej të ishe i marrë të shkruaje mirë, përballë një kitsch-i të tillë.
Nuk konformoheshim dot, unë s’kam qenë ashtu, donte njeriu, të bënte dhe qejfin autoriteteve, prindërve, të të thoshin bravo. E kupton, skllevër (…), donte njeriu, mirëpo, thashë, kemi dalë të dëmtuar nga ajo kohë, pastaj kuptohet, kush ka dashur e ka filluar shërimin, nuk është kaq fatale.
Si ka lindur dëshira për tu marrë me gjuhësi ?
Kur do shkoja në universitet, mbaj mend ka qenë një mik i familjes tonë, profesor Hamit Beqja, specialist i pedagogjisë, njeri shumë i zgjuar, e kemi pasur mik të familjes, dhe atëherë unë nuk dija, doja të vazhdoja për letërsinë, po nuk e kisha vendosur ende dhe ky e mbaj mend njëherë që pati ardhur dhe e pyeti nëna ime, i thotë, jepi një këshillë djalit, dhe ky tha, nëqoftëse ke zgjedhur shkencat humane unë të këshilloj linguistikën sepse është e vetmja që është serioze, të tjerat janë kot…
Doja për filozofi të shkoja…ke parasysh, në atë kohë të gjithë duan filozofinë kur mbaron gjimnazi. Pastaj kur shkova në fakultet u orientova gjithmonë nga letërsia se ishte më interesante por në vit të katërt të universitetit pata dhe një problem personal, kalova një traumë shpirtërore, dhe u tërhoqa pak nga jeta dhe kërkoja një sfidë që të konsumoja energji me të, dhe ajo sfidë ishte gramatika historike.
Më thoshin asnjeri nuk e kupton gramatikën historike dhe unë nga inati, thashë do ta kuptoj unë sepse u bëra si murg. Për fat të mirë kisha një profesor të mirë për gramatikë historike, Shaban Demiraj, shumë i zoti, shumë i zgjuar dhe model në çdo kuptim, të kesh profesor të mirë është fati më i madh që mund të ketë i riu profesionist, dhe prej tij hyra në gjuhësi dhe nuk dola më pastaj.
Më tërhiqte tepër, pashë që ishte fushë e vështirë, dhe pashë që ishte dhe një fushë ku mund të bëja përpara në mënyrë objektive, në kuptimin që i kuptoja gjërat, kurse në letërsi bëhen spekulime rregullisht, aq më tepër atëherë. Pata fat të madh që më dërguan në Romë, për specializim. Kam bërë një vit specializim në La Sapienza dhe aty kam pasur profesorët shumë të mirë, si Tullio de Mauro, ky ka qenë dhe ministër i arsimit në Itali, po kur isha unë atëhere jepte lëndën e filozofisë së gjuhës dhe ishte i jashtëzakonshëm, kokë, edhe të tjerë të shkëlqyer kam pasur. Pa këta profesorë, nuk di ça do ishte bërë, ka nevojë njeriu për një mendje që ta udhëheqi pak në fillim dhe unë pata disa të tillë. De Mauro ishte një nga këta.
Ju keni lëvruar shumë zhanre, pse kjo shpërfillje për kornizat ?
Korniza është e mirë në një kuptim se të disiplinon. Kur fillojmë të shkruajmë, ulemi eksperimentojmë një gjë, përshembull, të shkruajmë tregim, para se ta dish se çfarë do të jetë tamam, do jetë tregim, sikur veshim një uniformë, ose novelë, ose roman, ose dramë, ose gjithçka tjetër. Mirëpo vjen një moment që ti e kupton që ca nga këto korniza janë të lodhura, ose ti nuk i arrin dot më. Për shembull, të shkruash si Çehovi është punë e kotë, disa korniza që janë saturuar, në kuptimin që është shumë e vështirë të bësh përpara pa kaluar në ironi, pa kaluar në pastiche. Atëherë shikon mos mund të japësh diçka të re duke e thyer zhanrin, duke pikturuar jashtë kornizës.
Kam dashur gjithmonë ta bëj këtë gjë, ngaqë edhe nuk e kam konsideruar veten si shkrimtar të kulluar, jam marrë edhe me studime, me publicistikë, dhe gjithmonë e kam ruajtur një përmasë cerebrale në shkrimet e mia, është më e fortë se unë ajo, nuk mund ti dorëzohem komplet ndjenjës, edhe mund ta bëj po është shumë e kushtueshme për mua, ka qenë një kohë që edhe e bëja, po vjen me çmim shumë të lartë, kushton shpirtërisht, më konsumon, kurse kur ruan një kontroll cerebral, sikur e mbron veten.
(…)
Ka qenë një kohë ndoshta, kjo mund të duket dhe si banalitet, kur pija cigare, e kisha më kollaj të komunikoja me anën emocionale. Unë e kam lënë duhanin relativisht vonë, në vitin dymijë. Deri atëhere, edhe “Bolero”, një pjesë e mirë është shkruar kur pija duhan. Duhani të transformon krejt, të paktën mua, unë menjëherë mund ta dalloj çfarë kam shkruar para se ta lija, dhe çfarë kam shkruar më pas, sepse duhani të bën më imediat, më intuitiv.
Mendoni se talenti është më i rëndësishëm se puna ?
Nuk e di, talenti është i rëndësishëm por ka nevojë për punën që të dali rezultati. Mua më ka dëmtuar njëfarësoj lehtësia me të cilën më vinë disa gjëra sepse, kam pasur dikur, domethënë i kam dhe tani, kisha shumë talente, kam qenë i zoti në matematikë, kam qenë i zoti në muzikë, luaja shah mirë, vizatoja, shkruaja lehtë, jo mirë, po lehtë, dhe këto gjëra nuk të lënë ta rafinosh atë që bën, sidomos në një ambient ku të tjerët nuk japin, nuk duket sikur po shkëlqen dhe e kupton pastaj se sa të ka dëmtuar kjo gjë sepse nuk të kanë lënë të punosh.
Mungesa e kompetitivitetit bën që talenti të kthehet dhe kundër vetes. Sepse të gënjen. Kujton se di. Kujton se mundesh por duhet përvojë për të gjetur (…) Unë kur kam qenë në gjimnaz për shembull kisha shumë pasion muzikën dhe një ditë po bëja muhabet me partneren time dhe po i thoja që sikur herët ta kisha këtë mundësi që kam tani, të futesha në Youtube dhe të ndiqja maestrot që të tregonin si t’i luaje gjërat në kitarë, unë do të isha bërë muzikant. Do kishim krijuar një grup rock, sepse e kisha pasion të paparë dhe besoj që kisha diçka në vete, domethënë nuk isha pa talent, nuk e di do këndoja dot apo jo (qesh) po mund t’i bija kitarës dhe të kompozoja.
Cila është disiplina më e afërt me letërsinë?
Do thoja, nga një anë, folklori oral, si rrëfimet gojore, këngët, legjendat e këto kanë atë elementin narrative brenda kah letërsia, e përdorin gjuhën si medium për t’i dhënë formë. Nëse flasim për format e artit të kultivuar do të thoja kinemaja, më shumë edhe sa teatri, kinemaja sepse kinemaja të lejon të luash me kohën më mirë se teatri (…) është një francez, teoricien i letërsisë, Gerard Genette, ky ka shkruar shumë për semiotikën e narrativës, me një seri librash (Figures I, II, III etj.) dhe po t’i lexosh ato, të kesh durim, fiton një edukim të plotë, mbi narratologjinë dhe atëherë kupton si afrohen letërsia, filmi, në planin narrativ.
Ka edhe studime të tjera që janë bërë mbi semiotikën e kinemasë, si ai i hershmi i Christian Metz, që hodhi themelet e disiplinës. Të gjitha këto tregojnë një histori, letërsia, filmi, e përmbajnë rrafshin narrativ, gati-gati si një matematikë të nënvendosur (…) Në ato që shkruaj ka dhe një element të lojës, më tërheq shumë loja, play, loja, duke e marrë si frymëzim ose si model, muzikën.
Te « Sende që nxirrte deti » ju flisni pak për muzikën, por, edhe për ata që nuk e kanë lexuar, cili është ky raport juaji me të?
Tashi muzika në jetën time mund ta ndaj në disa faza. Ka qenë një fazë kur më pëlqente shumë po nuk e kuptoja. Nuk e shpjegon dot çfarë të pëlqen, të pëlqen kjo këngë, të pëlqen kjo melodi, të pëlqen kjo kalesë.
Që i vogël. Sikur të kisha pasur një piano në shtëpi, ndoshta jeta ime do të kish qenë ndryshe, por edhe një kitarë vonë e nxori im atë nga dollapi, e kishte sjellë që nga Moska. Fillova të mësoj kitarën, vajta edhe në një kurs dy-vjeçar, dhe fillova të mësoj harmoni, strukturën harmonike të këngëve, nuk e di, është si të mësosh një gjuhë të re, akordet që ndjekin njëri tjetrin, çfarë i bën kjo sintaksë muzikës, një njeri që nuk e njeh këtë e shijon muzikën në mënyrë intuitive dhe unë e kam zili këtë gjë se nuk e bëj dot. Tani kur dëgjoj një muzikë unë e dëgjoj harmoninë, ashtu si mundem (…) e fillova me zhanrin pop, me muzikë italiane pastaj kalova në rock.
Pastaj muzikë klasike, them se e njoh deri diku, kam dëgjuar shumë dhe kam lexuar. Madje operave u dëgjoj vetëm uverturat, më pëlqen muzika orkestrale shumë. Por te Bahu më pëlqen edhe muzika e kënduar, e kënduara baroke. Kam vënë re një gjë, që muzika italiane që mua më interesonte gjithmonë, e kam ndjekur dhe përpiqem ta kuptoj edhe si është zhvilluar, është bazuar fort në traditën operistike. Sidomos muzika e Sanremos, të paktën deri në fund të viteve 1990.
Në thelb, opera në vetvete mund të mos më pëlqejë, por tradita e muzikës melodike që ka dalë nga opera më pëlqen shumë, prandaj ndoshta është çështje e trajnimit të veshit. Nuk kam pasur shumë kontakt me operën.
Edhe në letërsinë që bëj, ka ndikuar shumë struktura e një forme muzikore që quhet “variacione rreth temës”, kompozitorët klasikë e kanë praktikuar, duke marrë një temë, edhe fare të thjeshtë, dhe mbi të temë duke ndërtuar variacione, mund t’i bëjnë për piano, dikush për kitarë, dikush tjetër për orkestër. Rëndësi ka që ngrihet një strukturë e tërë komplekse mbi këtë temë që e rimerr, e përpunon, e zhvillon më tutje, e modifikon, e komplikon, dhe krijohet një lloj kënaqësie që unë mund ta krahasoja me kënaqësinë gjeometrike, kënaqësinë që besoj e ndjejmë të gjithë kur shikojmë një figurë gjeometrike komplekse, përshembull, një nga këto prizmat, që se kupton pse të pëlqen, ose një kristal.
Më fal po kristali çfarë është, është një përsëritje e një strukture elementare, ose solidë si dodekahedroni, janë tmerr të bukura tmerr, ti i shikon dhe të pëlqejnë, vështirë ta kuptosh pse të pëlqejnë, të gjitha këto, edhe muzika, këto variacionet rreth temës këtë efekt kanë tek unë, domethënë kur arrin t’i ndjekësh. Një shembull do të ishte “Boleroja” e Ravelit vetëm se Raveli e komplikon muzikën në një plan tjetër, nuk e ndryshon temën, por shton elemente orkestrale, dora-dorës (…)
Ka dhe një rrymë të rock-ut që quhet math rock, nuk e di a e ke dëgjuar, me struktura poliritmike të gjeneruara nuk po them nga kompjuteri po matematike, që mua gjithashtu më pëlqen. Ka një gjë aty brenda që të kërkon ta dëgjosh, siç ndalon dhe dëgjon këngën e bilbilit, që nuk është tamam muzikë po gjithsesi të mahnit (…)
Muzika dhe matematika kanë shumë gjëra të përbashkëta dhe harmonia vetë është e gjitha matematikë, po të duash ta zotërosh mirë (…)
Platoni dhe shkolla e tij muzikën e dyshonin pak si një lloj mashtrimi dhe kur preferonin gjithsesi fjalën e kënduar ndaj tingullit të kulluar. Edhe zëri i sirenave, siç e ka përmendur edhe një psikanalist slloven, mik i Zhizhekut, Mladen Dolar e ka emrin dhe ka shkruar një libër shumë të bukur për zërin. Dolari flet për zërin femëror që duhet dëgjuar, vlerësuar estetitikisht si i shkëputur nga ato që thotë.
Janë edhe zërat e castrati dikur (…) sot gjen ende disa që e zërin natyral si castrati dikur, i quajnë edhe counter-tenors. I ngjashëm në efekt është edhe kori i fëmijëve të Vienës. Ky zë hyn brenda teje më thellë se fjala. Sirenat për shembull, që magjepsnin me zërin. Edhe në muzikën shqiptare, këto këngëtaret që kanë pasur zërin të bukur, si Vaçe Zela ose Inva Mula, zëri i gruas këtu. Një psikanalist do e afronte me zërin e nënës që të magjeps pavarësisht se çfarë thotë, zëri i prodhuar nga trupi, trupi i përdorur si instrument muzikor.
Është ndonjëherë i frikshëm zëri i gruas, gruaja bërtet bukur dhe frikshëm, si në filmat horror. Këto elemente të muzikës, që janë paralinguistike, nuk kanë të bëjnë me funksionet komunikativë të gjuhës, kanë të bëjnë me intonacionin, me tingullin, me muzikën e gjuhës.
Si ishte censura në diktaturën e Hoxhës dhe a ekziston censura akoma sot?
Tashi dhe për këtë mund të flasim, të bëjmë një emision të tërë. Në kohën e Hoxhës censura më shumë shfaqej si autocensurë, domethënë ishe ti vetë që e kontrolloje outputin tënd, daljen, domethënë ato që bëje. Ishe pika e parë e kontrollit të shprehjes, sepse kur e dorëzoje dorëshkrimin e dije ç’të priste nëse kishe thënë ndonjë gjë.
Censurë të formës klasike nuk kishte si institucion më vete sepse nuk ishte nevoja. Nëqoftëse dikush shkruante diçka armiqësore të papranueshme, ky i hapte punë vetes politikisht menjëherë, nuk është se ja kthenin, o ti, nuk mund të botohet, jo, përkundrazi, mbase dërgonin edhe ndonjë stazhier të sigurimit për ta parë këtë punë më tutje, por ka dhe një gjë, që ai kontroll direkt ndaj letërsisë në atë kohë tregonte dhe që regjimi i jepte shumë rëndësi letërsisë sepse harxhonte burime njerëzore në mënyrë që ti mbante nën kontroll, këtë gjë unë e kam dëgjuar ta thonë shkrimtarët në Bashkimin Sovjetik, ka dhe një batutë, nuk e di, të Mandelshtamit më duket, që qesh dhe thotë që se e kurrë nuk ka qenë ndonjëherë në historinë e njerëzimit letërsia nuk kish qenë kaq e rëndësishme.
Sot letërsia nuk e ka më atë impakt politik, nuk të kontrollon autoriteti shtetëror se çfarë po bën. Shto pastaj edhe se në kohën e komunizmit, totalitarizmit, shkrimtarët i paguante regjimi, këta që ishin me profesion të lirë, merrnin gjithë atë rrogë, librat ua botonte shteti, rrogën ua jepte shteti, në njëfarë mënyre ishin rrogëtarë, ishin edhe të detyruar dhe në mënyrë « kontraktuale », krijonin një letërsi që shteti ta përdorte për edukimin e masave.
Ky ishte një mekanizëm pervers po që kishte një logjikë të vetën brenda, ti nuk mund të shkruaje fantazira, ai të thoshte e kujt i duhen këto, ne nuk na duhen këto, këto s’kanë vlerë për edukimin etj etj. (…)
Sot, se unë e përjetoj edhe vetë, censura shprehet me mënyra më indirekte, përshembull shprehet me zhurmë, domethënë bëhet aq shumë zhurmë e zallahi në publik sa askush nuk e dëgjon zërin tënd. Ose një mënyrë tjetër e censurës është indiferenca, domethënë, nuk lexojnë, nuk të dëgjojnë ose bëjnë sikur nuk të dëgjojnë, mënyrë efikase kjo, nuk flet njeri për ty, nuk t’i lexon njeri librat, nuk flasin, e mbysin me heshtje zërin tënd si autor, kjo është njëfarë censure, është ajo e famshmja “mos u merrni me të”, dhe kjo është ekuivalentja e asaj tjetrës që mbylleni gojën.
Kur e shihnin se po shkruaje gjëra « kundër » të tërhiqnin vëmendjen, të thoshin, ore thirri mendjes, por e mbanin shënim këtë gjë, nëqoftëse ti bëje një « gabim » tjetër, atëhere ta kujtonin dhe e përdornin kundër teje. Përveçse ta zëmë “ke bërë tentativë për arratisje” të kujtonin edhe se kishe shkruar poezi armiqësore ose dekadente.
Ishte gjithmonë shtesë për ta rënduar akuzën po nuk të fuste njeri në burg thjesht për një poezi, mjaftonin të të frikësonin ose të të hiqnin të drejtën e botimit, ç’do bëje ti me atë poezinë tënde, në atë kohë s’kishte internet, as makina shkrimi (…) nuk ka krahasim me gjendjen në disa vende të Europës qendrore, me traditë tjetër që nuk shlyhej aq kollaj.
Edhe në Shqipëri kishte një traditë kulturore fill mbas ardhjes së regjimit, për shembull Shkodra, rezistoi pak, edhe Tirana deri diku, në ato fillimet, fundi i viteve ’40, mirëpo pastaj këta i ranë, e goditën shumë keq, nuk pyetën as për elitë kulturore as për një gjë, i shkatërruan komplet. Edhe laikë, nuk po them për priftërinjtë, laikë të ishin, Shkodra kishte shumë të tillë, se ishte në natyrën e qarqeve kulturore katolike që të merreshin me art, jo vetëm me letërsi, me gazetari, me muzikë, me teatër, me pikturë, ishte një elitë e tërë e Shkodrës, disa mbijetuan, po të shikosh përshembull kompozitorët e viteve ’60, 70’ ka shumë.
Ka qenë Prenk Jakova, ka qenë Pjetër Gaci, ka qenë Tonin Harapi, ka qenë Tish Daija. Atyre u duhej të ecnin në litar, për shembull disa prej këtyre kompozitorëve, shteti i lejoi të shkonin të studionin në Bashkim Sovjetik. I lejoi, përndryshe nuk shkonin dot vetë, duhej t’i çonte regjimi, mirëpo ishte një gjest i mënçur sepse këta u kthyen dhe i dhanë dhe regjimit muzikën që i duhej, përfshi edhe “muzikën për masat”.
Krijimtari si punë angarie, punë e detyruar, se do bëje këngë për kazermën e ushtrisë dhe himnin e këmbësorisë, do ta bëje, ishte detyrë, mirëpo po të shikosh nga këto marshet e atëhershme, dikush i bënte, kur dilnin ato në parakalim me një maj ishte një atmosferë gati mistike po ta mendosh, ishte e frikshme sepse ti gati nuk kishe më shpëtim, unë kështu e ndieja veten.
Kur dilja në rrugë për një Maj, me atë daullen e famshme, dhe parakalimi dhe rojet, histerike, kalo ktej, kalo andej, futu ktu, dil atje, pastaj që nga larg i shikoje ato lulet, shoku Enver në tribunë me një dynym dhëmbë, ishte një atmosferë me nota mistike fetare pa fund, ishte një lloj religjioni pa zot, shumë e rëndë, kam shkruar njëherë një ese të gjatë për këtë gjë, për muzikën, muzikën e masave, kshu quhej, e cila në atë kohë krijonte një hapësirë sakrale por në kuptimin e keq : atje ky mbërrinte ajo muzikë, atje pezullohej individualiteti, (…) prej teje kërkohej në thelb që të mos mendoje, sesa arrinte regjimi këtë, nganjëherë e arrinte më shumë, nganjëherë më pak po në momentet festive, masive, e arrinte më mirë (…)
A është zoti Shyti njëfarë shoku Zylo por më modern, më i sofistikuar, le të themi nga ato burokratët e pashpirt apo turboalbanologët e shqiptarisë kitsch?
Turboalbanolog jo. Nuk do ta quaja kështu sepse Shyti është tjetër gjë. Kur e kam përftuar si personazh nuk është se lindi kështu i gatshëm si Athina nga koka e Zeusit po u krijua dora-dorës dhe u deshën disa shkrime, disa copëza që të dilte Shyti, edhe tek unë, duke ia hequr tepricat mermerit për të nxjerrë statujën. Por kur e mendoj Shyti është një kolazh shumë njerëzish që kam njohur, personazhesh dhe njerëz realë, përshembull, kur flet për letërsinë është patjetër shoku Zylo, është dhe Shvejku.
Për mua Shvejku është një nga librat formues dhe gjithmonë prezent, Zylo patjetër, në njëfarë mënyre Shyti është dhe Nastradini, ka diçka Sufi tek Shyti, diçka prej filozofi oral. Prandaj është dhe Sokrati, i cili ndërhyn dhe flet, dhe futet në dialektikën e argumentit. Po pastaj, Shyti është, kopje, ose fotokopje, nuk e di, skicë e njerëzve që i kam njohur në realitet, përshembull nëna ime, domethënë është e vështirë për një tjetër ta kuptojë por për mua, atë kënaqësinë që më jepte ime më kur komentonte për njerëz se ajo ka qenë shumë e gojës dhe shumë e zonja për fjalën, jam përpjekur ta përcjell njëfarësoj si prezencë. Po ka diçka edhe Androkli Kostallari, që e kam patur drejtor në vitet 1980, autori i Fjalorit aq të përfolur.
Këto nuk kanë rëndësi në thelb sepse një i tretë nuk ka pse t’i dijë kur e lexon librin, po për mua kanë pasur rëndësi sepse i kanë dhënë mish personazhit, e kanë bërë tredimensional, ose të paktën më kanë ndihmuar mua, nuk e di sa e kam arritur, ka shumë aty brenda, por rëndësi ka që Shyti është dikush që për të qenë prezent në ligjërim është tërhequr, ka dalë nga ligjërimi dhe pastaj është futur i mbrojtur nga një korracë që është kafeneja.
Ai aty sikur ka një hapësirë sikur e pezullon kontaktin me botën dhe ka edhe publikun e vet që jep e merr me të, që i ngjan, për mua, korit të teatrit grek. Ata i ndërhyjnë gjithmonë po në mënyrë shumë gjenerike, ose e ngacmojnë nganjëherë, ose e cysin që ky të vazhdojë, ose i kujtojnë ndonjëherë, ore, ky që kaloi, pse na pa, ose gjëra të tilla dhe aq i duhet Shytit për të…
Por ka një gjë, që liria e Shytit si personazh është që ai të ndihet relativisht imun ndaj pasojave imediate të atyre që thotë. Nuk është se rrezikon se mund ta pushojnë nga puna, ai është i shkëputur, kshuqë mua kjo gjë më pëlqente, sepse këtë liri që kishte ai e përjetoja dhe unë si autor dhe mund t’i vija në gojë lloj-lloj gjërash që a mund të ishin dhe të miat nuk e di, edhe mund t’i kisha thënë unë por tek Shyti kam kërkuar ekzagjerimin. Gjëra që janë të miat por jo aq të ekzagjeruara, domethënë i kam marrë gjërat e mia dhe i kam çuar në ekstrem për të parë se ça do dalë, ça do dalë, dhe, më ka pëlqyer ta bëj, më ka dhënë kënaqësi po kam përshtypjen që edhe lexuesit i ka pëlqyer, ai ekstremizim i personazhit.
Ekstremizim intelektual më shumë, se Shyti nuk është se bënte ndonjë krim. Gjithmonë e kam përfytyruar si një lloj sitcomi, dhe unë atë artin e sitcomit e kam mësuar me Seinfeld, në New York, një show që pothuajse e pata mësuar përmendsh. Kur emigrova në SHBA në 1996-ën Seinfeld ishte i pari dhe mbeti i vetmi sitcom që e shijova me zemër, aq sa më ka kapur rob, nuk dal dot që andej, sepse mënyra se si ata komunikojnë me njëri tjetrin, më ka ndikuar edhe në mënyrën si shkruaj.
Meqë ra fjala, po dëgjoja një ditë një intervistë me një pianist italian Stefano Bollani, i cili ka edhe një talent tjetër, se imiton shumë bukur këngëtarë si Paolo Conte dhe Franco Battiato. Dhe në intervistë pranoi se, në fakt, ai vetëm një personazh të spektaklit italian di të imitojë, Johnny Dorelli-n, të gjithë imitimet e tjera janë imitimet nga Johnny Dorelli të atyre të tretëve, domethënë, Johnny Dorelli Bollani-t i futet në mes. Dhe kjo më duket shumë produktive si qasje, madje edhe unë vetë ndonjëherë e bëj këtë, duke e lejuar veten të ndërmjetësohem nga Borgesi ose edhe nga skenari i Seinfeld-it si koncept, si teknikë, në një nivel shumë abstrakt, dhe kur flas për diçka, më futen në mes dhe flet ai për llogarinë time.
Nuk është plagjiaturë, po është një lloj dhe distancimi, nga ajo që bën, fut diçka në mes, është njësoj siç bën përshembull, kur ti shkruan, do të tregosh një histori, po nuk e tregon ti vetë, po vë një personazh ta tregojë. Në këtë kuptim Seinfeld-i ka qenë vendimtar për mua sepse më ka mësuar dialogun, dialogun që m’u konsolidua te Shyti. Vetë e kam përfytyruar Shytin si një meta-sitcom, në kuptimin që edhe personazhet janë të vetëdijshëm që jeta e tyre është brenda dy përmasave të ekranit.
Mendoni se është më mirë një dije totale apo një dije specifike dhe, thënë kjo, shpesh, në të gjitha shkencat, dhe në shkencat humane, kërkohet një teori e gjithçkaje, a vlen kjo rrugë?
Unë kam pasur gjithë jetën shumë interesa për gjëra nga më të çmendurat, gjithmonë më ka tunduar dija totale, për ta parë dijen si një të vetme, pavarësisht se është muzikologji, zoologji, linguistikë, apo teori e lojërave. Prandaj unë vetë jam pro diversifikimit, e shoh si katalizator të mendimit, dhe këtu dua të të kujtoj dhe një batutë të nuk di kujt, se “specialisti është idiot në kuptimin e ngushtë të fjalës”, një kuptim i ngjashëm me atë të gjermanishtes Fachidiot. (…)
Intervistoi për TemA : Adri Kalaja
Cfare gjeniu cfare ka humbur ky komb! Te gjitha i paska bere ,manual per ata qe sja kane haberin lexoni dhe do e kuptoni qe Beluli eshte personazh real. Paska hapur barkun tjetri per te na treguar qe zoti eshte ky koqja i kandarit qe ngjall nga varri Don Kishotin. Interviste me te peshtire nuk besoj se kam lexuar gjithe mburrje dhe autovleresim.
perpjekje e gazecarit me qit prej haleje ket SurratMuti
Ti shkruan për veten.
Autoçensura ne letersine e artin shqiptar te periudhes enveriste eshte frike plus devotshmeri.
eshte shume tregues fakti tregues qe tregon gjithçka per veten, por nuk thote qe e kane bere akademik ne paradhome.
Boll na e nxorret kete trap me zile per te mbuluar mutrat anti-shqipetare qe shkruan. Cudi si e kishin diplomuar ne ate kohe kete trap.
O Ardian ,nuk më intereson asgjë për çka shkruan por një gjë pota them- nuk e njeh Dritëroim,Ismailin,LEKSIN,SHEFQETIN për ti marë si udhërëfyes???Nuk bien më poshtë se ata emra që ke nga fillimi në fund.Mos haro që buka jote është më e mirë se ajo e botës.Kemi dhe ABDYL,SAMI,NAIM,ÇAJUP,VASO, ETJE.