Cikli i fundjavave të këngës polifonike “Iso mbi kalldrëm” po tërheq këtë sezon veror vëmendjen e turistëve vendas dhe të huaj në Gjirokastër.
Gjatë fundjavave të muajit gusht, grupe dhe ansamble të këngës popullore performojnë në komplekset muzeale dhe në rrugët karakteristike të kalldrëmit të Pazarit, duke i kthyer ato në skena të gjalla artistike, shkruan euronews.
Ky aktivitet gjallëron sezonin turistik në qytetin e gurtë, duke tërhequr interesimin e vizitorëve dhe duke shërbyer si një mjet promovimi për vlerat e folklorit dhe trashëgimisë kulturore, të cilat transmetohen brez pas brezi.
“Është kënaqësi të marrim pjesë me këngë dhe me trashëgimi. Ky aktivitet është i veçantë, falënderoj të gjithë ata që e duan këtë këngë dhe po e përcjellin në Gjirokastër. Ne sjellim këngët e vjetra të trashëguara nga brezat dhe po i përcjellim në Gjirokastër”, thotë këngëtari Arjan Shehu.
“Kjo përcjell traditën dhe është kënaqësi për ne dhe për turistët që na ndjekin me vëmendje. Ata i pëlqejnë këngët dhe ne përpiqemi të japim maksimumin tonë që të ngelen të kënaqur jo vetëm qytetarët e Gjirokastrës, por edhe turistët”, thotë këngëtari Xhevahir Sinani.
Vlerat e folklorit dhe trashëgimisë kulturore konsiderohen tashmë si pika të forta për tërheqjen e vizitorëve dhe nxitjen e turizmit në Gjirokastër.
Lini një Përgjigje