Nën kupolën e artit të Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, për nder te festave të nëntorit, muzika e filmit shqiptar erdhi si një lutje e bukur nostalgjike duke rikthyer në jetë kujtime, portrete, zëra dhe histori që jetojnë prej dekadash në shpirtin e publikut shqiptar.
Orkestra Simfonike, Kori dhe Kori i Zërave të Bardhë të TKOBAP-së, në bashkëpunim me Orkestrën Simfonike te RTSH-së, nën dirigjimin e Gridi Krajës, e shndërruan sallën në një ekran të madh emocionesh.
Për afro dy orë, publiku që si gjithnjë mbush plot sallat e TKOBAP-së, u përfshi nga një nostalgji e thellë duke udhëtuar pas në kohë, drejt fëmijërisë, dashurive të para për filmin, heronjve të heshtur e të paharruar si dhe historive që kanë formuar narrativën kinemarografike. Kjo pasi muzika e filmave shqiptarë nuk ishte thjesht shoqëruese e imazheve – ajo ishte vetë rrëfimi, fryma, gati gati shpirti i tyre.
Momente të veçanta solistike erdhën nga klarineta e parë e TKOBAP-së, Elton Katroshi dhe vokalistja Kamela Islamaj, të cilët plotësuan mozaikun artistik të kësaj mbrëmjeje të rrallë.
Në qendër të këtij udhëtimi shpirtëror qëndruan emrat e të mëdhenjve të muzikës sonë: Kujtim Laro, Aleksandër Peçi, Çesk Zadeja, Aleksander Lalo, Hajg Zaharian, Limos Dizdari, Zef Çobo.
Studiuesit e shohin muzikën e filmit shqiptar si një trashëgimi kinematografike të papërsëritshme, një kapitull historie, një dokument shpirtëror i epokave që kemi jetuar. Ajo nuk plaket, sepse nuk i përket vetëm kohës por zemrave. A.K./TemA
Lini një Përgjigje