Koncepti i çuditshëm në mendjen e lexuesit të sotëm, aq sa edhe në atë bashkëkohës me filozofin
gjerman J. G. Fichte, ka një rol ekstremisht të rëndësishëm në sistemin politik të shtjelluar prej tij.
Eforat vjen nga greqishtja eophoros, dhe njihet në histori si një nga institucionet kryesore të Spartës, roli i të cilit ishte pikërisht ai i mbikqyrjes së fronit të dyfishtë spartan. Fichte e rikthen në modernitet këtë koncept si domosdoshmëri për kapërcimit e kontradiktës së radhës që shfaqet në rrugëtimin e tij filozofik, i cili shpaloset nëpërmjet tezës, antitezës dhe sintezës.
Për të kuptuar Eforatin, bëhet e nevojshme të shpjegohet domosdoshmëria e këtij koncepti në kuadrin e vizionit politik-shtetar të Fichte. Parimi mbi të cilin ngrihet gjithë sistemi është ai i lirisë që formulohet kështu: “Liria ime duhet të shtrihet deri atje sa të mos cënoj lirinë e tjetrit.” Pra kemi të dy kahët e lirisë në të njëjtën formulë. Aspekti pozitiv i lirisë përcaktohet nga shtrirja e saj jo në mënyrë të padeterminueshme ad infinitum, por deri në fillimin e sferës së lirisë së qenies racionale tjetër. Kjo e fundit në të njëjtën kohë kthehet edhe në aspektin negativ të lirisë. Kur jam i vetëdijshëm deri ku shtrihet liria ime, kuptoj edhe se përtej cilit cak ajo nuk mund të shkojë.
Pas kapërcimeve dhe tejkalimeve sintetike të kontradiktave të njëpasnjëshme, Fichte arrin në
deduksionin e konceptit të shtetit, si një palë e tretë të cilës i transferohet pushteti nga palët që gjithnjë janë potencialisht në konflikt. Shteti vjen në sistem si domosdoshëmria për të mbrojtur jetën, lirinë dhe pronën e personave. Pra, në të njëjtën formë përcaktohet edhe natyra e shtetit pozitivisht dhe negativisht.
Aktiviteti mbrojtës i shtetit përbën aspektin pozitiv të natyrës së tij, ndërsa kufizimi i tij tek ky aktivitet mbrojtës shfaq aspektin negativ. Ky është roli absolut i shtetit dhe prandaj Fichte e përkufizon si institucionin që lindi prej mosbesimit. Pra, prej mosbesimit të personave ndaj njëri-tjetrit dhe koherencës së tyre në mbajtjen dhe zbatimin e ligjit teksa bashkohen në formimin e shoqërisë mbi idenë e njohjes dhe nevojës reciproke. Qeveria është forma e përqendruar e pushtetit të transferuar dhe për Fichte nuk ka kuptim t’i ndash pushtetin legjislativ, ekzekutiv dhe atë juridik, përsaqë një efektshmëri më e madhe rezulton nga përqendrimi i tyre. Çështja për të nuk shtrohet në ndarjen e pushteteve në mënyrë që të kontrollojnë njëri-tjetrin, siç jemi mësuar me skemën demokratike republikane. Fichte nuk synon të ngarkojëpushtetet edhe me detyrën e kontrollit përveç atyre të shërbimit publik që janë mëse të mjaftueshme. Po ashtu, teksa diskuton çështjen e zyrtarëve public ndihet qartë bindja e tij se një administratë e drejtë nuk varet vetëm nga kontrolli por nga botëkuptimi dhe morali i zyrtarve. Kështu, që në nisje qartësohen kriteret e larta të cilat përcaktojnë dinjitetin e të qenit një zyrtar. Pra, qeveria është njëkohësisht pushteti ekzekutiv dhe legjislativ. E drejta e apelit për vendimet e tyre përjashtohet. Të kuptohemi, Fichte nuk është arbitrar në argumentat e veta por logjikisht koherent. Të paktën përsa i përket Shkencës së të Drejtave, të cilën e ka merak ta dalloj nga Shkenca e Politikës, përsaqë e para themelohet në reflektime dhe deduksione a priori, ndërsa e dyta në materiale empirike. Kjo nuk do të thotë që shkenca e Fichte nuk ka aplikueshmëri në botën e ndjeshme, siç shprehet ai, dhe kjo duket qartë teksa po trajtohet me terma konkret shteti, roli i tij dhe interesi i personave. Me pak fjalë, jetesa sa më dinjitoze dhe e lirë racionalisht është gjithë themeli i sistemit. Qeveria, pra, është i treti mes dy personave që bashkohen për të formuar shoqërinë, por që përsëri kontradikta shfaqet në formën e mosbesimit ose pasigurisë se tjetri do të respektoj ligjin e lirisë dhe rrjedhimisht të pronës, arsyet për të cilin ndodh bashkimi shoqëror (commonwealth).
I treti është neutrali, dhe i treti i pajisur me pushtetin e të gjitha palëve dhe njëkohësisht me përgjegjësinë ndaj të gjitha palëve, nuk mund të jetë tjetër veçse në identitet me to. Vullneti i përbashkët identifikohet me vullnetin partikular. Nëse interesi i secilës palë është siguria e jetës, lirisë dhe pronës (të drejtat originale të deduktuara nga Fichte), dhe për të realizuar (mbrojtur këtë të drejtë-interes) përcaktohet një i tretë i plotfuqishëm, atëherë, interesi i të tretit është mbrojtja e jetës, lirisë dhe pronës së të gjithëve. Kështu, vullneti partikular i shtetit identifikohet me vullnetin e përgjithshëm të personave që e caktuan, dhe nga ana tjetër, vullneti partikular i qenieve racionale i shprehur në dëshirën për të mbrojtur jetën,
lirinë dhe pronën e vetë, identifikohet me vullnetin e përgjithshëm në formën e shtetit që i mbron ato.Fryma rusoane ndihet fortë në këtë teori politike të vullneteve.
Pyetja që natyralisht lind, e që edhe Fichte e ngre, ka të bëjë me momentin e radhës, pra me
kontradiktën: A nuk mund të abuzoj qeveria me pushtetin dhe të shtyp popullin? Si do të kundërshtohej një qeveri e tillë përsaqë e drejta e apelimit përjashtohet duke qenë se në një shtet si ky, i instaluar racionalisht, vullneti i qeverisë dhe i popullit identifikohet? Këtu shfaqet koncepti i Eforatit si sinteza.
Pra, çfarë është dhe çfarë bënë Eforati për Fichte?
Grumbullimi i popullit për të gjykuar mbi veprimtarinë e qeverisë shihet si një procedurë e drejtë
përsaqë pushteti është i popullit, por nga ana tjetër Fichte mendon se populli nuk mund të mblidhet apo të thirret nga persona privat në çështje, sepse edhe ky fenomen mund të ketë nuancat e veta të interesit apo të gjykimit të padrejtë. Si rrjedhim bëhet e qartë se nevojitet një institucion i specializuar për këtë detyrë. “Si mundet kjo kontradiktë të zgjidhet? Është e zgjidhur; Kur kushtetuta është bërë të siguroj që më parë, që populli duhet, në raste të caktuara, të thirret së bashku në konvent.” Më tej theksohet se: “Populli kurrë nuk duhet të thirret pa një domosdoshmëri absolute; por në çastin që është e domosdoshme, ata duhet të thirren së bashku njeherazi, dhe duhet të kenë fuqinë të gjykojnë.”
Eforati është institucioni detyrat e të cilit mund të reduktohen në tre folje: kontrollon, pezullon,
grumbullon. Eforati nuk ka funksione administrative të tipit ekzekutiv apo gjykues. Detyra e tij
kryesore është të kontrolloj punën e administratës me qëllim sigurimin e identitetit të vullneteve mes qeverisë dhe popullit. Këtë detyrë mund ta kryej nëpërmjet kërkimit të informacionit apo vëzhgimit të drejtpërdrejtë të aktiviteteve ekzekutive, por në raport me qeverinë nuk ka asnjë të drejtë dhe detyrë më tepër se kaq. Sigurisht që qeveria nuk ka veçse ti bindet kërkesave për informacion të Eforatit, e ndoshta në rastin më të mirë do të ishte t’ia paraqiste vetë, megjithatë, detyra mbikqyrëse ka një ngjashmëri me KLSH-në e përditshmërisë sonë, vetëm se mbikqyrja shtrihej në të gjitha aspektet e aktivitetit qeverisës pa harruar kurrë interesin e shoqërisë së përbashkët mbi të cilën ajo është themeluar.
Në momentin që qeveria rezulton se ndodhet në dy situatat që nuk duhet të gjendet kurrë: të abuzimit me pushtetin dhe të rënies në kontradikt me veten, Eforati nëse nuk vërteton rregullimin e gjendjes prej qeverisë (ndaj të cilës nuk ka asnjë lloj të drejte urdhëri për veprime të caktuara) kryen fazën e dytë të detyrës së vetë. Pezullimi i qeverisë dhe çdo veprimtarie të ndërmarrë nga kjo e fundit është i menjehërshëm. “Por Eforati ka pushtetin e ndalimit absolut – pushtetin të ndaloj jo ekzekutimin e këtij apo atij vendimi partikular të qeverisë, sepse atëherë do të ishte një gjykatës, dhe pushteti ekzekutiv nuk do të ishte suprem, por të pezulloj plotësisht administrimin e ligjit dhe qeverinë në të gjitha degët.” Bindja ndaj urdhërit për pezullim prej Eforatit është e padiskutueshme dhe kjo mbështet edhe nga fakti se hapi tjetër i menjëhershëm që kryen Eforati është thirrja dhe grumbullimi i popullit. Çështjen e grumbullimit Fichte mundohet ta trajtoj edhe në kuadrin e qyteteve apo shteteve të mëdha, edhe pse për përfytyrimin e tij teorik preferon qytetet e vogla, megjithatë shprehet për grumbullimin e njerëzve në sheshet publike e kryesore me daljen e lajmit për thirrjen e Eforatit, në mënyrë që të jenë gati për çdo veprim të paparashikueshëm e agresiv të qeverisë së thirrur në gjykim. Një metodë e risjell nga Badiou
tek Rizgjimi i Historisë, edhe pse në një kontekst krejt tjetër, teksa trajton revoltat e “Pranverës Arabe” dhe mundohet të ndërtoj një konstrukt konceptual të revoltës.
Ky pezullim sjell si pasojë edhe shkarkimin e të gjitha vendimeve të shkuara të qeverisë të themeluara mbi kontradiktën apo abuzimin, e si rrjedhim rikthen subjektet e prekura në gjendjen e mëparshme. Vendimi i konventës ka fuqi prapavepruese. “Themeli i kësaj fuqie retroaktive është ky: pala që humbi ndaj gjykimit të padrejtë, e kishte të ndaluar apelimin ndaj tij, përsaqë supozohej se vullneti i gjyqtarit që e deklaron atë ishte në përputhje me vullnetin e përgjithshëm. Në rastin e tashëm e kundërta shfaqet, dhe kur themeli bie tutje, ashtu bie edhe i themeluari. Rrjedhimisht, ai gjykim anullohet.” Askush, në kushtet e pezullimit të qeverisë nuk duhet t’i bindet asaj, dhe nga ana tjetër Fichte thekson se çdo akt i qeverisë në kushtet e pezullimit koneptohet si rezistencë ndaj popullit. “Nga momenti i këtij pezullimi të lajmëruar, çdo akt i qeverisë, përsaqë ajo ushtron pushtet ekzekutiv, është rezistencë ndaj vullnetit të përgjithshëm të popullit, siç është i shprehur përmes Eforatit, dhe pra, është një rebelim, që duhet
ndëshkuar si i tillë.”
Lajmërimi i pezullimit është në të njëjtën kohë edhe thirrja për mbledhjen e konventës popullore, në të cilën, vetëm ky i fundit është gjykues ndaj qeverisë. Eforati është i përjashtuar nga procesi i gjykimit duke qenë se është palë e interesuar, pra qëndron si pala akuzuese. Rezultati i gjykimit të konventës bëhet ligj kushtetues i vendit. Sigurisht që Fichte i qëndron parimit të arsyes dhe lirisë që i bën njerëzit bashkë që në origjinë, e për këtë beson se populli do të gjykoj drejtë. Megjithatë, intoleranca e tij, gjithmonë brenda kuadrit racional të sistemit, shfaqet tek ndëshkimi që i caktohet palës së shpallur fajtore. Me marrjen e vendimit populli do të dënoj ose qeverinë, ose Eforatin për tradhti të lartë.
“Eforatin sepse ndërpreu administrimin e ligjit pa shkak të drejtë; qeverinë sepse ka abuzuar me
pushtetin që i është besuar për të shtypur ligjin.” 9 Në pamje të parë argumenti i Fichte duket i vendosur vetëm në çështjen praktike të pezullimit të punëve të administratës apo të shtypjes së ligjit prej saj, por në kuadrin e sistemit ky pezullim dhe shtypje e ligjit kuptohet si cënim i drejtëpërdrejtë i asaj që njeriu është, pra një qenie racionale, e lirë dhe me pronë, të drejta të cilat Fichte i dedukton prej konceptit të personalitetit. Pra, personaliteti i njeriut preket në njërën nga të dy rastet, dhe intoleranca ndaj këtij cënimi është kategorike përsaqë sistemi ngrihet mbi dhe për këto aspekte të personalitetit të njeriut. Anëtarët e Eforatit për Fichte duhet të jenë burra mbi të 60-dhjetat, të edukuar e kulturuar me virtyrte të theksuara morale e civile. Përzgjedhja e tyre duhet bërë nga populli mes popullit, pra, mundësia e aplikimit për një detyrë të tillë përjashtohet. Fichte nuk e pranon mundësinë e konkurencës në këtë kontekst, përsaqë efori ka një detyrë dhe përgjegjësi sublime pa e kthyer në karrierë. Ndryshe nga zyrtarët e administratës që zgjidhen për jetë, eforët janë të përkufizuar në afatin e shërbimit të tyre.
Me ribotimin e vitit 1812 të Shkencës së të Drejtave, Fichte shkruan një notë të gjatë në lidhje me
konceptin e Eforatit. Qëndron krah parimeve të ligjit të shtjelluara prej tij, por tashmë ka ndryshuar mendim në lidhje me prakticitetin e Eforatit. “Për sa ka të bëjë me praktikueshmërinë e një pushteti të tillë kontrollues, unë duhet tani, pas një konsiderimi të pjekur, të vendos kundër tij.” I zhgënjyer nga pasojat dhe zhvillimet e Revolucionit Francez, filozofi tashmë shpreh skepticizëm tek ndjenja civile dhe ligjore e njerëzve. “Kush, do të kontrollojë Eforatin, që të mos filloj një revolucion për një arsye apo për një tjetër, edhe pse qeveria nuk e ka cënuar ligjin? Përsëri: A nuk do të provonte qeveria, e cila zotëron të gjithë pushtetin në duart e veta, të shtyp Eforatin që në fillim?” Çështja e eforëve të korruptuar nuk i shpëton, por për atë, ka të njëjtën bindje që ka theksuar edhe gjatë tekstit: “Një popull eforët e të cilit, të zgjedhur nga më të mirët e popullit, mund të jenë të korruptuar aq sa për sjellje të tillë, nuk meriton një qeveri më të mirë, dhe nuk është i aftë për një më të mirë.” Megjithatë, në frymën e shekullit në të cilin jetoi dhe punoi me shpirtin e vetë për shpritin e të gjithëve, Fichte i dorëzon shpresat e veta tek kultura dhe morali si mundësitë e fundit të zhvillimit human. “E vetmja gjë prej të cilës të mund të presim përmirësim është progresi i kulturës dhe moralitetit, e si rrjedhim, një rritje e influencës së Eforatit në këtë progres.”
Lini një Përgjigje