Në Baku të Azerbajxhanit u mbajt Konferenca e Dytë Ndërkombëtare e Studimeve Ballkanike, me pjesëmarrjen e personaliteteve akademike e shkencore nga vende të ndryshme të botës.
Akademia e Shkencave të Shqipërisë u përfaqësua nga akad. Gëzim Hoxha, kryetar i seksionit të Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike, shkruan atsh.
Akademiku shqiptar mbajti fjalën përshëndetëse me temën “Perspektivat e bashkëpunimit midis Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Universitetit Sllav të Bakusë”. Ai theksoi angazhimin e palëve për ndërtimin e një bashkëpunimi të qëndrueshëm dhe të frytshëm në fushën e shkencës dhe arsimit ndërmjet Shqipërisë dhe Azerbajxhanit, me fokus të veçantë nxitjen dhe zhvillimin e studimeve të gjuhës shqipe në kontekstin shumë të pasur linguistik të vendeve të Ballkanit.
“Rajoni ynë, me shumëllojshmërinë e tij gjuhësore, kulturore dhe historike, mbetet një laborator i pasur për kërkime ndërdisiplinore, ku ndërthuren traditat e lashta me sfidat bashkëkohore”, u shpreh akad. Hoxha.
Ai shtoi se, kërkimet bashkëkohore në shkencat sociale në Ballkan kanë një mision të dyfishtë: nga njëra anë, të kuptojnë më thellë proceset historike dhe kulturore që na kanë formuar dhe nga ana tjetër, të japin përgjigje ndaj dinamikave të reja të shoqërisë (migracionet, transformimet urbane, dialogu ndërkulturor e tjerë).
ASHSH bashkëpunon veçanërisht me katedrat e gjuhës shqipe në universitetet e Napolit, Mynihut, Beogradit dhe Pekinit, si edhe me një numër studiuesish të gjuhësisë indoevropiane që merren me këtë gjuhë të lashtë të Ballkanit.
Akad. Hoxha bëri të ditur se, aktualisht, ASHSH është në fazën përfundimtare të një projekti madhor shkencor, siç është hartimi i “Fjalorit të madh të gjuhës shqipe”.
Akad. Gëzim Hoxha shprehu bindjen se, kjo konferencë do të shërbejë jo vetëm si hapësirë reflektimi dhe debati mbi problematikat dhe arritjet, por edhe si urë bashkëpunimi për të ndërtuar projekte të reja, të dobishme për komunitetin akademik ndërkombëtar.
Lini një Përgjigje