Heinrich Böll, njëri nga shkrimtarët më të rëndësishëm gjermanë të shekullit të 20-të, ndërroi jetë 40 vjet më parë - më 16 korrik 1985. Böll ishte ndërgjegjja morale e Gjermanisë pas Luftës së Dytë Botërore. Vepra e tij është një dëshmi e kohës, por edhe një paralajmërim – për mënyrën se si individi mund të bëhet lehtësisht viktimë e sistemit, e mediave dhe e indiferencës shoqërore.
Böll ishte fitues i Çmimit Nobel për Letërsi në vitin 1972. Vepra e tij më e njohur, “Nderi i humbur i Katerina Blumit” (1974), i përkthyer në shumë gjuhë - (mes tyre edhe në shqip, v.j.) - tregon sesi gazetaria senzacionaliste mund ta shkatërrojë jetën e një njeriu të zakonshëm.
Edhe pse teknologjitë kanë ndryshuar, thelbi i problemit që Böll vuri në dukje më shumë se gjysmë shekulli më parë, ka mbetur frikshëm i vërtetë. Ai atëherë shtronte pyetjen: “Çfarë ndodh kur mediat nuk i shërbejnë së vërtetës, por interesave të pushtetit dhe përfitimit?”
Romani “Nderi i humbur i Katerina Blumit” sot duket si një tekst profetik për atë që e quajmë linçim mediatik. Edhe pse është shkruar në një kohë kur mediat e shtypura dominonin hapësirën publike, përmbajtja e tij përputhet në mënyrë të përkryer me shoqërinë e sotme, ku mediat digjitale dhe rrjetet sociale kanë një ndikim të madh në fatin e individit.
Katerina Blum është një personazh fiktiv, por është kthyer në simbolin e viktimave të vërteta – atyre që janë varur publikisht, pa pasur as një faj të provuar, madje as bazë për dyshim, për shkak të interpretimeve të cekëta ose dashakeqe të gazetarëve. Sot, Katerina do të ishte subjekt i “ekskluzivitetit”, viktimë e “interesit publik”, e përmendur në tituj, e mbuluar nga komentet, memet, teoritë. Ndryshimi është vetëm në formatin – në vend të një gazete të vetme, tani janë mijëra profile, portale dhe algoritme.
Në epokën e “klikimeve” dhe “viraliteteve”, ku lexohet vetëm titulli dhe shpërndarja paraprin kuptimin, linçimi virtual zgjat shumë më tepër dhe ka pasoja shumë më të thella. Njerëzit kanë humbur punën, shëndetin, familjen – madje edhe jetën – për shkak të fushatave që nisën nga “burime të pakonfirmuara” ose “dëshmitarë anonimë”, për të dalë më vonë që ishin të pavërteta. Por, përgënjeshtrimet rrallë i interesojnë dikujt.
Romani i Böllit na kujton se:
• fjala mund të vrasë dinjitetin, e me të edhe jetën;
• e vërteta nuk është mall, por një vlerë që duhet mbrojtur;
• përgjegjësia e gazetarit nuk është më e vogël se ajo e mjekut apo gjyqtarit.
Në një kohë kur të gjithë jemi potencialisht “gazetarë” dhe “lexues”, përgjegjësia kalon edhe te ne. A ndajmë diçka në emër të së vërtetës – apo të urrejtjes? A kërkojmë fakte – apo vetëm konfirmimin e paragjykimeve tona?
Fati i Katerina Blumit bëhet pasqyrë ku shohim gatishmërinë tonë për të heshtur kur dikush po shkatërrohet – ose për të folur kur është më e vështira: në mbrojtje të së vërtetës, të drejtës dhe të njerëzores. Ndjeshmëria jonë ndaj së vërtetës dhe dinjitetit njerëzor është pikërisht ajo që ka më shumë rëndësi – në letërsi, por edhe në realitet.
Autore: Marija Pantiq
Lini një Përgjigje