Mbahet koncert homazh ndaj ikonës së muzikës Tefta Tashko Koço

3 Maj 2026, 13:12Kulturë TEMA
Mbahet koncert homazh ndaj ikonës së muzikës Tefta Tashko

Në skenën e Teatrit “Andon Zako Çajupi” u soll një koncert i veçantë kushtuar ikonës së muzikës shqiptare Tefta Tashko Koço.

“Kënga ime ndaj nat’ herë”, një podkast skenik i realizuar nga Balina Bodinaku, erdhi si një rrëfim artistik që ndërthurte muzikën me elementë narrativë, duke sjellë për publikun jo vetëm interpretim, por edhe copëza nga jeta dhe rrugëtimi i artistes, përfshi edhe marrëdhëniet e saj me figura të tjera të shquara si Lasgush Poradeci, Lola Gjoka dhe Kristo Koço.

Balina Bodinaku, ideatore dhe realizuese e podkastit, u shpreh se “Jam shumë e emocionuar, është pritur kudo shumë mirë sepse Tefta ka lënë një emër shumë të madh më pas, por sigurisht këtu në Korçë ka një tjetër ndjeshmëri për të dhe publiku sot e tregoi.”

Në këtë mbrëmje interpretonin sopranoja Renisa Laçka dhe tenori Denis Skura, të shoqëruar në piano nga Merita Rexha Tërshana, të cilët sollën me ndjeshmëri repertorin e përzgjedhur, duke rikthyer emocionin e këngëve që mbajnë gjallë trashëgiminë e Tefta Tashko Koços.

Renisa Laçka, sopranoja, tha se, “Të sjellësh këtë personazh kaq unik dhe ta kujtojmë të gjithë së bashku, të mos i humbasim kurrë vlerat që ajo ka pasur, është për mua nder dhe patjetër që duhet t’i jepnim maksimumin tonë për të nderuar figurën e saj dhe për t’i dhënë sa më shumë dashuri këtij publiku.”

Ndwrsa tenori Denis Skura u shpreh për RTSH se, “Gjithmonë emocion të vij në Korçë, sepse Korça dihet që është djepi i kulturës, i muzikës dhe i artit në përgjithësi. E kisha me shumë emocion faktikisht këtë koncert sot. Jam shumë i kënaqur që edhe publiku na priti mirë dhe mendoj që e kryem me sukses këtë homazh për këngëtaren e madhe.”

“Kënga ime ndaj nat’ herë” erdhi si një rikujtim i fuqishëm i vlerave artistike dhe shpirtërore që Tefta Tashko Koço i la trashëgimi brezave, një mbrëmje që dëshmoi se arti i vërtetë jeton dhe frymëzon përtej kohës. 

A.K./TemA

Lini një Përgjigje