Ngre siparin Panairi i parë i librit në Burrel

2 Maj 2026, 15:11Kulturë TEMA
Ngre siparin Panairi i parë i librit në Burrel

 Qyteti i Burrelit u kthye dje në një qendër të rëndësishme kulturore me zhvillimin për herë të parë të Panairit të Librit, një aktivitet që mblodhi rreth 15 shtëpi botuese nga Shqipëria dhe hapësira të tjera shqiptare, si dhe autorë, studiues e dashamirës të librit.

Panairi ofroi prezantimin e botimeve më të fundit dhe krijoi mundësi për takime të drejtpërdrejta mes lexuesve dhe autorëve, duke nxitur dialogun kulturor dhe promovimin e leximit në komunitet.

Aktiviteti u zhvillua në kuadër të festimeve për 104-vjetorin e shpalljes së Burrelit si qendër e nënprefekturës së Matit, duke u shoqëruar me një sërë veprimtarish kulturore, artistike dhe festive që përfshinë qytetarë të të gjitha moshave.

I pranishëm në këtë aktivitet, shkrimtari dhe politikani Namik Dokle e cilësoi panairin si një moment të rëndësishëm për kulturën e zonës, duke theksuar se Mati e meritonte një ngjarje të tillë, për shkak të traditës së tij të hershme letrare dhe kontributit të autorëve vendas në letërsinë shqipe.

Dokle vlerësoi gjithashtu nivelin e lexuesve dhe autorëve matjanë, duke përmendur një sërë emrash që kanë dhënë kontribut të çmuar në fusha të ndryshme të kulturës dhe studimeve, si dhe rëndësinë e prezantimit të veprave të tyre në këtë panair.

Ai nënvizoi se kjo nismë merr një domethënie të veçantë historike, duke qenë se këto troje lidhen me fillimet e shkrimit të shqipes, që nga Pal Engjëlli me “Formulën e Pagëzimit” në vitin 1462, si dhe me figurën e Pjetër Budit, një nga autorët e parë të letërsisë shqipe.

Në të njëjtën kohë, në bashkëpunim me Ministrinë e Turizmit, Kulturës dhe Sportit dhe Qendrën Kombëtare të Veprimtarive Tradicionale, në Mat u zhvillua edhe Festivali i Lojërave dhe Riteve Popullore, i cili solli elementë autentikë të trashëgimisë shqiptare dhe krijoi një atmosferë festive që bashkoi brezat.

Pjesë e rëndësishme e festimeve ishin edhe aktivitetet sportive dhe lojërat popullore, të cilat përfshinë të rinjtë dhe komunitetin në një frymë gare, energjie dhe bashkëpunimi.

Organizatorët theksuan se përmes kësaj agjende të larmishme synohet jo vetëm përkujtimi i një momenti historik për qytetin, por edhe forcimi i identitetit kulturor dhe promovimi i Mati si një destinacion i rëndësishëm për turizmin kulturor në Shqipëri. A.K./TemA

1 Komente

  1. J
    Jomatjan

    Matja eriii

    Përgjigjjuni

    Lini një Përgjigje