Shqipja nuk e bën mirë dallimin mes “probable” dhe “possible”, çfarë mund të krijojë dhe në fakt krijon pështjellim të madh në ligjërimin libror – nga matematika te parashikimi i motit. Për shembull, mund të themi se dëbora në New York është “probable” në dhjetor, por vetëm “possible” në korrik; ku “probable” ka kuptimin “ka gjasa që të ndodhë”, ndërsa “possible” thjesht “nuk mund të përjashtohet”. Kjo e fundit do të thotë që “nuk bie ndesh me ligjet e përgjithshme të qenies ose me kushtet e një situate të caktuar”, dhe vjen nga latinishtja possibĭlis, e cila nga ana e vet lidhet me foljen posse (potere); thelbi semantik ka të bëjë me mundësinë, si shprehje e aftësisë, e kapacitetit. Mbiemri tjetër, “probable”, rrjedh në analizë të fundit nga latinishtja probabilis, “i provueshëm, i besueshëm”, derivat i foljes probare “provoj, testoj”. Kjo temë ka dhënë probabilitet, fjalë pak a shumë ndërkombëtare, që ka hyrë edhe në shqipe; edhe pse e zëvendësueshme nga gjasë[1]; në një kohë që mbiemri i gjasshëm nuk ka ngjitur ende.
Më poshtë një vizualizim i dallimit mes possible dhe probable që ma sugjeroi inteligjenca artificiale Claude:

Një ngatërresë tjetër që sjell anglishtja është përkthimi i odds, veçanërisht në kontrast me probability – në “Peizazhe të fjalës” këtë koncept e ka shpjeguar Shkëlqim Çela (Odds Ratio – Perceptimi, Paragjykimi); duke parafrazuar, po mjaftohem të them se probabiliteti mat raportin mes dendurisë së realizimit të një ngjarjeje (p.sh. që zaret në tavëll të bien 6:6) dhe së tërës (ose të gjitha kombinimeve të mundshme të zareve); ndërsa odds është raporti mes dendurisë së ngjarjes që duam (p.sh. që zaret në tavëll të bien 6:6) dhe ngjarjes që nuk duam (p.sh. që zaret në tavëll të bien në çdo kombinim, përveç 6:6). Shoh që këtë dallim mes probability dhe odds e ngatërrojnë edhe gjuhë të tjera – p.sh. odds nuk ka përkthim të saktë në italishte dhe në spanjishte, që ta dallojë nga probability.
Që shqipja nuk dallon qartë mes probabilitetit dhe mundësisë (possibility), kjo për mua është handikap i madh[2], veçanërisht në arsyetimet kur koncepte të tilla merren për të mirëqena.
Lexoja këto ditë, te Nonsense on Stilts: How to Tell Science from Bunk (“Marrëzira në kambaleca: Si të dallosh shkencën nga byku”), një libër nga Massimo Pigliucci (University of Chicago Press, 2010), si ky kish hyrë në debat me një mbrojtës të teorisë (konspirative?) që vaksinat shkaktojnë autizëm në fëmijët, dhe megjithë provat që besonte se i kish sjellë, nuk po arrinte ta çonte debatin gjëkundi, derisa një i tretë i pranishëm në bisedë kish vënë në dukje se kushedi kundërshtari i tij, konspirativisti, thjesht po ngatërronte probabilitetin me mundësinë (posibilitetin) – çfarë e bindi edhe Pigliucci-n në çast, duke i shërbyer si një moment Eureka. Sepse, në fakt, dija – për momentin – ka treguar se lidhja mes vaksinave dhe autizmit nuk është probable (ka probabilitet të ulët; aq të ulët sa të mos merret seriozisht nga rregullatorët e shëndetit publik); por konspirativistët i mëshojnë argumentit që lidhja mes veksinave dhe autizmit është possible – siç edhe në fakt është, meqë dija nuk mund ta përjashtojë krejt. Por mundësia si possibility, thotë Pigliucci, nuk ndikon te mundësia si probability; e para është teorike, nëse duam matematikore, ndërsa e dyta bazohet në të dhëna reale. Kundërshtari im, vazhdon autori, e kupton se disa rezultate janë më me gjasë se disa të tjerat, por në praktikë, ai i bazon arsyetimet në thjesht mundësi (possibilities) logjike.
Pigliucci: kur japim një vlerësim të diçkaje, thjesht po vëmë një bast. Në bazë të njohurive që unë kam për lidhjet mes vaksinave dhe autizmit, për shembull, unë jam gati të vë bast (me shuma të mëdha) se vaksinat nuk shkaktojnë autizëm. A e di këtë me siguri? Jo, sepse kjo nuk është e vërtetë a priori, si ato të matematikës dhe të logjikës. A është e mundshme (possible) që vaksinat të shkaktojnë autizëm? Po, sepse kjo nuk sjell me vete ndonjë kontradiktë logjike. Por pyetja që duhet bërë është: a ka gjasë (is it likely) që të ndodhë kjo, në bazë të provave në dispozicion?
Konspirativistët dhe promotorët e teorive alternative përfitojnë nga ajo që shkenca nuk e arrin dot njohjen absolute, pikërisht ngaqë kërkon të njohë realitetin; por argumenti që diçka është me gjasë (probable) është gjithnjë më i fortë se argumenti që diçka është e mundshme (possible). Nëse dikujt fillon t’i dhembë koka, gjasat janë që të ketë një hall, ose të jetë ftohur, ose të ketë migrenë, ose t’i jetë infektuar sinusi, ose t’i ketë plasur një aneurizëm, ose të ketë një tumor, ose të jetë duke kaluar një atak iskemik e kështu me radhë; edhe pse, teorikisht, është e mundshme edhe që të jetë duke i dalë një bri. Po kush është gati të vërë bast për bririn?
Unë dyshoj – por mos më quani konspirativist – se ka një lidhje mes lehtësisë me të cilën ne u besojmë teorive konspirative, pseudoshkencës, ose edhe thjesht përrallave dhe rrenave nga njëra anë, dhe vështirësive që ka shqipja për të dalluar, në ligjërimin praktik, mes probabilitetit dhe posibilitetit nga ana tjetër.[3] Në rrafshin psikologjik, kjo vështirësi mund edhe të krijojë ankth, sa kohë që mendja nuk arrin t’i përjashtojë rezultatet e mundshme, por jo me gjasë (probable) të një ngjarjeje që na intereson; kjo ka të bëjë natyrisht edhe me vendin që do t’i japim racionalitetit, në marrjen e vendimeve; përndryshe, nëse i ngatërrojmë mundësitë me gjasat, atëherë do të rritet pesha e emocionit në vendim-marrje. Gjuha nuk është se na dikton drejtpërdrejt si të arsyetojmë; por folësit e atyre gjuhëve, që ofrojnë vegla më efikase për arsyetimet dhe përafrimet, do të marrin vendime më të arsyeshme dhe, prandaj, më të drejta se të tjerët. Me gjasë.
© 2025 Ardian Vehbiu. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Imazhi në krye është krijuar me Midjourney. Botohet me leje te "TemA".
Shënim: për të dhënat rreth historisë së probabilitetit në matematikën dhe në shkencën perëndimore jam mbështetur në Ian Hacking, The Emergence of Probability: A Philosophical Study of Early Ideas about Probability, Induction and Statistical Inference (Cambridge Series on Statistical and Probabilistic Mathematics), Cambridge University Press; 2nd edition (July 31, 2006).
[1] Një përkthim tjetër në shqip do të ishte shans, fjalë që FGJSSH nuk e ka përfshirë fare në fjalësin e vet (when in doubt…). Pavarësisht nga vendimi i autorëve të fjalorit, shans është në shqipe fjalë e konsoliduar dhe polisemike, edhe pse kryesisht në ligjërimin bisedor; që përdoret veç të tjerash edhe me kuptimin “mbarësi, fat i mirë”. Në thënie si “cilat janë shanset që Tirona të fitojë nesër”, shanset i përgjigjet anglishtes odds.
[2] Do të përpiqem ta shtjelloj në pjesën e dytë të kësaj eseje, se probabiliteti nuk është koncept që ekziston vetvetiu në gjuhë, si numri; por koncept që, në matematikën dhe në shkencën perëndimore është shfaqur relativisht vonë, në shekullin XVII, dhe në kontekstin e zhvillimeve të mëdha në statistikë, në shkencat ekonomike dhe në financë, në mjekësi dhe në dije të tjera, por edhe në ekonominë e lojërave të fatit. Deri atëherë fjala probable ka qenë përdorur në gjuhët perëndimore, por me kuptim tjetër (shih shembujt në tekst). Sa kohë që shqipja nuk shërbente si gjuhë e ligjërimit libror, veçanërisht në shkencë, në matematikë, në shkencat ekonomike dhe në jurisprodencë, nuk kishte arsye që kuptimi përkatës të hidhte rrënjë në shqipe dhe të kërkonte mveshjen e vet leksikore. Kur kam qenë unë në gjimnaz, probabiliteti nuk studiohej; por mbaj mend që gjashtë vjet më pas, kur në gjimnaz shkoi ime motër, ua shtuan elementet e kombinatorikës dhe të probabilitetit në programin e matematikës.
[3] Këto vështirësi nuk janë tamam të shqipes, sa kohë që koncepti i përket ligjërimit dituror dhe folësit kanë nevojë të trajnohen, që ta përdorin saktë, sepse nuk e marrin me shqipen që ua mëson nëna; prandaj kanë të bëjnë me vonesën dhe ngathtësinë me të cilën është futur ky koncept në qarkullim, në shkollat dhe në kulturën e përgjithshme. Për këtë do të shkruaj më gjatë në pjesën e dytë të esesë.
Lini një Përgjigje