Muzeu Historik Kombëtar përkujton Aleks Budën

7 Korrik 2025, 22:34Kulturë TEMA
Muzeu Historik Kombëtar përkujton Aleks Budën

"Sot, përkujtojmë ndarjen nga jeta të Aleks Budës (1910-1993), Mësues i Popullit.

Si kryetari i parë i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë në vitet (1972-1993), Aleks Buda është një ndër personalitetet kryesore të shkencës shqiptare.

Ai lindi në Elbasan në një familje të njohur intelektuale. Studimet e larta i kreu në Fakultetin e Filozofisë (dega filozofi-letërsi) të Universitetit të Vjenës (1929-1935). Në vitet (1939-1943) punoi si mësues në Liceun e Tiranës e në atë të Korçës.

Mori pjesë në Lëvizjen Antifashiste Nacional Çlirimtare, duke u zgjedhur më 1944 si nënkryetar i Këshillit ANÇ të qarkut të Elbasanit. Në vitet 1945-1946 qe drejtor i Bibliotekës Kombëtare.

Me formimin më 1955 të Institutit të Historisë e të Gjuhësisë, Aleks Buda u shqua si një ndër organizatorët dhe punonjësit shkencorë më me përvojë të institutit.

Buda themeloi sektorin e historisë së mesjetës dhe me këtë hodhia bazat e medievistikës shqiptare.

Punoi veçanërisht për përgatitjen e historianëve të rinj e sidomos të studiuesve të historisë mesjetare të Shqipërisë.

Si kryetar i ASHSH që në themelimin e saj (1972) dhe si studiues me formim e kulturë të gjithanëshme, historike gjuhësore, arkeologjike, etnografike, të artit mesjetar etj., Aleks Buda dha një kontribut të çmuar duke vendosur një gurë themeli në fushën e albanologjisë.

Ka marrë “Çmimin e Republikës” të shkallës së parë, është dekoruar me “Urdhërin e Lirisë” të klasit të parë dhe me “Urdhërin e Flamurit të Punës”.

Presidenti i Republikës së Austrisë e ka dekoruar më “Medaljen e Madhe të Artë” (1990).
Burimi nga: Kristaq Prifti, Fjalor Enciklopedik Shqiptar, Nr. 1, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Tiranë, 2008, faqe 315-316."- shkruan Muzeu.

A.K./TemA

Lini një Përgjigje