Sheshi përpara Teatrit “Migjeni” në Shkodër mirëpriti natën e dytë të Festivalit Mbarëkombëtar të Këngës për Fëmijë, edicioni i 63-të, një ngjarje që vazhdon të sjellë emocione të forta për fëmijët dhe publikun artdashës. Në këtë mbrëmje konkurruan 15 këngë të reja, prej të cilave 11 në kategorinë “Junior” dhe 4 në kategorinë “Të vegjlit”, duke sjellë në skenë zëra të rinj plot talent dhe energji.
“Emocione të forta, përjetime të jashtëzakonshme në këtë skenë të magjishme. Fëmijë shumë të talentuar, por edhe kompozitorë shumë të njohur”, tha dirigjenti Ermir Zoga.
Një moment i veçantë ishte ngjitja në skenë e këngëtares së njohur Myfarete Laze, e cila interpretoi përkrah mbesës së saj, duke emocionuar të pranishmit.
“Ky vend ka nostalgji, ka mall dhe sonte me mbesën ka qenë një emocion i paparë, akoma më dridhen duart. Nuk e kam ditur se do të performoja me mbesën. Jemi rritur me këtë Festival dhe jam munduar edhe mbesën ta edukoj me këtë Festival”, tha këngëtarja e njohur.
Publiku duartrokiti edhe performancën e artistit të talentuar shkodran Alis Kallaçi, i ftuar i kësaj nate, duke sjellë një tjetër frymë artistike në festival.
“Nuk ma kishte marrë mendja që do përjetoja të njëjtin emocion rrugës duke ardhur, qoftë për prova, qoftë natën e spektakli. Është një ndjesi që nuk kam fjalë ta përshkruaj”, tha këngëtari.
Ashtu si nata e parë, edhe kjo mbrëmje u transmetua drejtpërdrejt në rrjetin e RTSH-së, duke i dhënë mundësi publikut të gjerë të ndjekë nga afër këtë aktivitet të rëndësishëm për fëmijët dhe artin muzikor në vend. Festivali do të kulmojë me natën e tretë, ku do të shpallen fituesit e dy kategorive dhe do të përzgjidhet përfaqësuesi i Shqipërisë për Junior Eurovision 2025.
/RTSH/
Lini një Përgjigje