Nderohet Ali Kondi në 100 vjetorin e lindjes, “Njeriu këngë, njeriu valle” sjell trashëgiminë e folklorit devollit

27 Tetor 2025, 12:20Kulturë TEMA
Nderohet Ali Kondi në 100 vjetorin e lindjes, “Njeriu

Studiuesi dhe mbledhësi i folklorit Ali Kondi, këngëtar dhe valltar i njohur në krahinën e Devollit u nderua këtë fundjavë më 100-vjetorin e lindjes me publikimin e një libri monografik mbi jetën dhe krijimtarinë e tij.

Tubimi u mbajt në shtëpinë muze të shkrimtarit të njohur Dritëro Agolli, ku edhe u shfletuan kopjet e para të librit “Njeriu këngë, njeriu valle”, një përmbledhje e krijimtarisë së Ali Kondit, bashkë me këngët, vallet, kujtimet dhe fotografitë e tij.

“Ali Kondi është shpallur ‘Artist i Merituar’ i kahershëm sepse spikati jo vetëm si një interpretues i folklorit, por kontributi i tij u shpalos si koreograf, organizator i kulturës, qoftë në vatrat lokale të kulturës, por edhe në pjesëmarrjet e shumta që ai pat në festivalet folklorike”

Në repertorin e Ali Kondit afro gjysmë shekulli, ka më shumë se 1 mijë këngë e valle, mbi 500 janë të inçizuara në Institutin e Kulturës Popullore.

Aliu ishte bartës dhe transmetues i stafete të rrallë kulturore prej tetë breza këngëtarësh e valltarësh në fisin Kondi, provë e gjallë se folklori këndohet, kërcehet dhe trashëgohet.

Në qendër të kësaj trashëgimie qëndron vallja devolliçe, plot figura që bartin krenari dhe disiplinë, rite dhe përmbajtje. Në 100-vjetorin e lindjes së këtij mjeshtri të folklorit devollit, libri për të është një ftesë publike për të ruajtur trashëgiminë artistike të brezave që fëmijët të mësojnë vallet e të parëve, të respektojnë këngën si besim, gëzim dhe jetë. - RTSH-

Lini një Përgjigje