Asambleja e Përgjithshme e ALLEA-s (Federata Evropiane e Akademive të Shkencave Shoqërore dhe Natyrore) nisi punimet sot.
Kjo asamble mbledh çdo vit përfaqësues nga akademitë e shkencave të rreth 40 vendeve të rajonit të Këshillit të Evropës. Organizimi bëhet me mbështetjen e Akademisë Mbretërore Daneze të Shkencave dhe të Letërsisë.
Akademia e Shkencave e Shqipërisë përfaqësohet nga akad. Anila Hoda, sekretare shkencore e ASHSH-së. Në kuadër të veprimtarive do të mbahet simpoziumi me temën “Evropa dhe Arktiku: Shkenca dhe diplomacia”.
Këto rajone (Evropa dhe Arktiku), pavarësisht nga karakteristikat e ndryshme gjeografike, kanë shumë të përbashkëta. Ato janë, së pari dhe kryesisht, pjesë e të njëjtit ekosistem dhe kanë elementë që varen nga njëri-tjetri në një marrëdhënie që i ka bërë gjithmonë e më shumë të dukshme në sfondin e ndryshimeve klimatike dhe tensioneve të rritura gjeopolitike. Në këtë simpozium do të shqyrtohet se si janë zhvilluar këto ndërvarësi, çfarë karakteristikash kanë dhe si mund të formësohet diplomacia e Arktikut e bazuar në kërkimin shkencor për të krijuar një të ardhme të qëndrueshme dhe bashkëpunuese.
Mbledhja e Asamblesë së Përgjithshme të ALLEA-s do të mbyllet në datën 4 qershor 2025.
/atsh/
Lini një Përgjigje