Në Akademinë e Shkencave u mbajt mbledhja e parë e partnerëve të projektit “CryoConnect”: Një iniciativë rajonale për kriobankë ndërkufitare në vendet e Ballkanit Perëndimor.
Në këtë veprimtari morën pjesë studiues nga Shqipëria, Italia, Çekia, Gjeorgjia, Serbia, Kroacia, Maqedonia e Veriut dhe vende të tjera të rajonit.
Projekti zhvillohet në vijim të veprimtarive të Qendrës së Kërkimit Shkencor “Bioteknologji & Gjenetikë” (QKBGJ), pjesë e Akademisë së Shkencave; Universitetit të Tiranës, si dhe institucioneve partnere ballkanike e më gjerë.
Synimi i këtij takimi ishte prezantimi i kërkimit shkencor dhe përvojës së deritanishme në kriokonservimin e gjermoplazmës bimore rajonale, si dhe përgjegjësitë e palëve të përfshira.
Pas përshëndetjeve të akademikëve Anila Hoda dhe Genc Sulçebe, dr. Lorenzo Maggioni (sekretar ekzekutiv i ECPGR) dhe dr. Miloš Faltus (kryetar i grupit të punës për kriokonservimin në ECPGR) theksuan domosdoshmërinë e krijimit të bashkëpunimeve të kësaj natyre dhe rëndësinë e përfshirjes së teknikave të ruajtjes afatgjatë nëpërmjet kriokonservimit të gjermoplazmës bimore autoktone.
Në takim mbajtën referime dhe palët partnere: dr. Darko Jevremovic dhe dr. Tatjana Vujovic nga Serbia, dr. Zvjezdana Markovic nga Kroacia dhe dr. Tekle Zakalashvili nga Gjeorgjia.
Për palën shqiptare u pasqyrua një panoramë e plotë mbi zhvillimet në bioteknologjinë bimore in vitro dhe aplikimet më të fundit me qëllim ruajtjen afatgjatë nga akad. Efigjeni Kongjika dhe prof. dr. Valbona Sota, të cilat veçanërisht theksuan dhe mbështetjen e ASHSH-së në mbarëvajtjen e këtyre nismave të reja shkencore për vendin tonë.
Organizimi i këtij takimi në Shqipëri zyrtarizon zbatimin e projektit, duke vendosur një bazë të përbashkët pune për të gjithë partnerët, shkruan atsh.
Lini një Përgjigje