Korça u kthye këtë fundjavë në kryeqendrën e poezisë bashkëkohore, me nisjen e edicionit të 29-të të Netëve Korçare të Poezisë, një festival ndërkombëtar që mbledh autorë dhe poetë nga vende të ndryshme të botës. Në këtë edicion morën pjesë 34 poetë nga Italia, Franca, Izraeli, Monako, Greqia, Kosova dhe Shqipëria, të cilët sollën me vete jo vetëm vargje të frymëzuara, por edhe tingujt dhe ndjesitë e vendeve të tyre.
Poeti Laureat i festivalit u shpall Sadik Bejko, i cili mbolli pemën tradicionale në Parkun e poezisë, një akt simbolik në nderim të trashëgimisë së fjalës së shkruar. Çmimi Kurora e Poezisë shkoi për poeten Maklena Nika me motivacionin: “Për vlerat e qenësishme të krijimit poetik që kanë lartësuar emrin e letërsisë shqipe brenda dhe jashtë vendit” Çmimi Poezia më e Bukur iu dha poetit Tsvika Nir (Izrael) me motivacionin: Për ndjeshmërinë dhe nuancat estetike që u përcuan plot emocion dhe përjetim në veprimtarinë “Netët korcare të poezisë 2022”.
Çmimi Dritëro Agolli iu dha poetit Dinos Kubatis (Greqi) me motivacionin: “Për poetikën kuptimplotë dhe plot figuracion, të gërshetuar me elementet e letërsisë sonë bashkëkohore”. Çmimi Asdreni shkoi për poetin Zyhdi Dervishi me motivacionin: “Për linjën poetike që përkon me vlerat tradicionale dhe atdhetare në letërsinë shqipe”. Çmimi Special shkoi për poeten Rakela Zoga me motivacionin: “Për këndvështrimin origjinal, për përcjelljen e vlerave universale përmes kumtit poetik.
Edicioni i 29-të i Festivalit Ndërkombëtar “Netët Korçare të Poezisë” u hap nga drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, Alda Bardhyli. Më poshtë fjala e saj: “Të nderuar organizatorë, poetë, përfaqësues të kulturës, miq nga Shqipëria dhe nga e gjithë bota,Mirëmbrëma dhe mirë se erdhët në qytetin e artit dhe fjalës, në Korçën poetike! Është një nder i veçantë për mua të hap këtë edicion të 29-të të Festivalit Ndërkombëtar “Netët Korçare të Poezisë” – një ngjarje që prej dekadash i ka dhënë frymë këtij qyteti dhe ka bërë që vargjet të udhëtojnë përtej gjuhëve e kufijve. Korça nuk është thjesht një qytet i poezisë – ajo është vetë poezi.
Me kalldrëmet e saj që mbajnë hapat e poetëve të hershëm dhe të rinj, me serenatat që këndojnë dashurinë, me bibliotekat e jetuara dhe me shpirtin e mikpritjes që s’të lë të ndihesh i huaj asnjëherë.
Ky festival është shumë më tepër se një ngjarje letrare. Ai është një takim i shpirtërave krijues, një dialog i thellë ndërmjet gjuhëve, traditave dhe vizioneve që bashkohen përmes artit të fjalës. Këtu, në netët korçare, ne nuk ndajmë vetëm poezi – ne ndajmë përjetime, ndjesi, dhimbje, dashuri dhe shpresë.Në këto netë, fjala nuk është vetëm mjet shprehjeje, por urë lidhëse mes njerëzve dhe kulturave. Le të jetë ky edicion një tjetër dëshmi se poezia nuk është e mbyllur në libra – ajo jeton në rrugë, në zëra, në takime si ky. Dhe mbi të gjitha, ajo jeton brenda nesh, sa herë që zgjedhim të dëgjojmë me zemër. Ju uroj të gjithëve net të mbushura me frymëzim, takime të paharrueshme dhe vargje që nuk harrohen. Ky festival nuk është thjesht një takim poetësh, por një udhëtim përmes gjuhëve, ndjesive dhe historive që na bashkojnë. Poezia ka fuqinë të shkojë përtej kufijve, përtej gjuhëve, dhe të na bëjë të ndjejmë njëri-tjetrin si qenie njerëzore.
Në vargje gjejmë dhimbje dhe gëzim, kujtesë dhe shpresë – fjalë që nuk kanë nevojë për përkthim, sepse flasin drejt për drejt me zemrën. Korça, me historinë e saj të pasur letrare dhe kulturën mikpritëse, është vendi ideal për të pritur këtë dialog poetik ndërkombëtar. Këtu, tingulli i fjalës gjen jehonë në rrugët me kalldrëm, në libraritë e vjetra, në tingujt e serenatave dhe në frymën e qytetit që jeton për artin. Le ta bëjmë këtë festival një festë të vërtetë të fjalës, një shkëmbim të sinqertë mes kulturash, dhe një kujtesë se poezia është një nga mjetet më të fuqishme që kemi për të ndërtuar ura mirëkuptimi në një botë që shpesh ka nevojë për to. Ju faleminderit që jeni këtu.
Mirë se erdhët në Korçë. Le të fillojë festa e poezisë!” Netët Korçare të Poezisë, tashmë një kompeticion i konsoliduar ndërkombëtar, përgjatë dy ditëve e ktheu qytetin e Korçës në një hapësirë frymëzimi dhe reflektimi poetik, duke promovuar kulturën, dialogun dhe artin përmes fjalës Ky festival u organizua nga Biblioteka Publike “Thimi Mitko”me mbështetjen e Bashkisë Korçë, në bashkëpunim me Qendrën e Artit dhe Kulturës, Teatrit Andon Z.Çajupi dhe PEN Albania.
/AB/