Një letër nga Gëzim Nika: Gjyshja ime nga Kosova humbi Zefin 2 vjeçar në Kampin e Tepelenës

19 Shkurt 2025, 14:53Kulturë TEMA
Një letër nga Gëzim Nika: Gjyshja ime nga Kosova humbi Zefin 2

Çfarë ishte kampi i Tepelenës?

Tepelena në dy kohë

Në maj 1949 filloi të funksionojë kampi i Tepelenës, në të cilin u dërguan të gjithë të internuarit e kampit të Beratit dhe të Krujës. Fillimisht si zona internimi u përdorën fshatrat e Turhanit, Memaliajt dhe Veliqiotit dhe më pas u zhvendosën në afërsi të qytetit të Tepelenës

Arsyeja që u zgjodh Tepelena si vend internimi, mendohet se ka të bëje me disa lehtësi praktike. Tepelena ishte nën juridiksionin e Drejtorisë së Punëve të Brendshme të Beratit dhe aty gjendeshin disa kabina të mbetura nga koha e pushtimit italian, të cilat u përshtatën si vendbanime për të internuarit. Kampi i Tepelenës u ngrit pikërisht mbi atë territor, që kishte shërbyer si vend për ngritjen e kazermave të ushtrive Italiane.

Ato u përshtatën si vende banimi, u rrethuan me tela me gjemba, në të cilët të internuarit kontrolloheshin nga ushtarë të armatosur. Në çdo kazermë qëndronin rreth 200 persona. Territori aty ishte i minuar, me predha te mbetura nga Lufta Italo-Greke. Ai ishte një ferr i vërtetë, ku vuajtën me mijëra, burra, gra e fëmijë. Ne këtë kamp kishte të internuar nga e gjithë Shqipëria, por kryesisht mbizotëronin nga Veriu dhe Shqipëria e Mesme.

Tepelena nuk ishte i vetmi vend internimi në Shqipëri, as në këtë kohë dhe as gjatë gjithë viteve të regjimit komunist. Shumë krahina të tjera në Shqipëri shërbyen si vende për të internuar njerëz, faji i vetëm i të cilëve ishte se ishin të afërm të individëve që regjimi i konsideronte të rrezikshëm. Por, Tepelena është kampi i cili mbeti i pashlyer në kujtesën e atyre që patën fatkeqësinë për të jetuar në të. Tepelena mbahet mend për kushtet tejet të vështira të jetesës dhe mungesën e theksuar të ushqimit, për mungesën e theksuar të higjienës, për punën tejet të rëndë që burrat, gratë dhe fëmijët mbi moshën 12 vjeç ishin të detyruar të zhvillonin.

Shumë fëmijë humbën jetën nga sëmundjet apo nga minat e mbartura nga koha e Luftës së Dytë Botërore dhe që rrethonin territorin e kampit. Ndonëse dokumentet janë të pakta, ato tregojnë që gjatë viteve 1949-1950, lajmërohet për raste vdekjesh nga dizenteria.

Disa studiues mendojnë se ishte pikërisht vdekshmëria e lartë e fëmijëve në kampin e Tepelenës dhe nevoja për të konsoliduar sistemin e internim-dëbimeve, që i detyroi drejtuesit e lartë komunistë të merrnin vendimin në fund të viti 1953 për ta mbyllur kampin e Tepelenës dhe në përgjithësi kampet e rrethuara me tela me gjemba.

Ky kamp mbart qindra histori të dhimbshme njerëzore. Për shkak të situatës ekstreme të jetës në Kampin e Tepelenës, ai është përmendur në mënyrë të posaçme nga qeveria amerikane në vitin 1955, si pjesë e ankesës së saj në Kombet e Bashkuara për shkeljen e të drejtave të njeriut në Shqipëri dhe për përdorimin e punës së detyruar si ndëshkim.

Referencë: “Studim kornizë. Mbi sistemin e burgjeve, internimeve dhe punës së detyruar gjatë regjimit komunist në Shqipëri me fokus ngritjen e një muzeu kujtese në ish-kampin e internimit të Tepelenës”, Akademik Beqir Meta-Dr. Ermal Frashëri.

Kjo dëshmi vjen fill pas nismës së parë dhe aktivitetit të zhvilluar nga AIDSSH në kampin e Tepelenës, më 30 gusht 2017 , me rastin e përkujtimit të Ditës Ndërkombëtare të të Zhdukurve, ku u prezantua projekt-ideja për Muzeun e Kampeve të Punës së Detyruar në Shqipëri, si dhe memoriali i varreve të humbura.

Midis polemikave të shumta dhe kundërshtimeve që vinin nga disa grupe të keqiformuara, të cilët shpreheshin kundër ngritjes së muzeumit në kujtim të viktimave të pafajshme që vdiqën dhe u trajtuan në mënyrën më mizore gjatë viteve 1949 -1954, Gëzim Nika evokon historinë e familjes së tij, e gjyshes Drane Jakja Bushgjokaj. 

Pas arratisjes së gjyshit të tij për në Jugosllavi, më 5 tetor 1948, gjyshen Drane e internuan me 4 fëmijët e saj në kampin e Tepelenës. E internuan se bashku me dy vajzat dhe dy djemtë, babain e Gëzimit asokohe 7 vjeç dhe Zefin 2 vjecar. Ajo iu nënshtrua punës së detyruar në kushtet e skllaverisë. Të lënë në kushtet e ferrit, vetëm gjatë gushtit të vitit 1949, 33 fëmijë humbën jetën, midis të cilëve edhe Zefi dy vjeçar.

Fotografitë: Realizuar nga Dorian Zanaliu

Letra është e vitit 2018

Lini një Përgjigje