Kostumet shumëngjyrëshe, maskat si dhe atmosfera festive po mbizotërojnë në qytetin e Shkodrës për festën e karnavaleve.
Prej ditës së djeshme në Shkodër kanë nisur paradat të cilat ia shtojnë gjallërinë edhe Kalasë së Rozafës, ku mes legjendave dhe mureve të lashta të rinjtë e të rejat e qytetit kanë shpalosur kreativitetin e tyre.
Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale pamje të një qyteti që feston me ngjyra, traditë dhe shpirt artistik.
“Moment i bukur nga karnavalet e Shkodrës”, shkruan Rama.
Paradat e karnavaleve të Shkodrës nisën dje 17 shkurt dhe do të vijojnë deri më 23 shkurt.
Atmosfera festive ka nisur me interpretimet e shkollave të qytetit, ku fëmijët, të shndërruar në personazhe të ndryshme, kanë dhuruar spektakël dhe gëzim në rrugët e qytetit.
Parada madhështore, koncerte dhe performanca artistike do të shoqërojnë qytetin për shtatë ditë, duke ruajtur traditën e pasur kulturore dhe duke e kthyer Shkodrën në një destinacion të vërtetë festash.
Lini një Përgjigje