Një libër i ri për fëmijët, promovohet në Shkodër botimi dygjuhësh “Rrënjët në zemër”

22 Tetor 2025, 11:06Kulturë TEMA
Një libër i ri për fëmijët, promovohet në

Në prani të dhjetëra nxënësve të klasave fillore, në Bibliotekën Publike “Marin Barleti” në Shkodër, u promovua libri për fëmijë “Rrënjët në zemër”, me autore Rudina Çupi dhe Erina Rrahmani.

Libri sjell të përmbledhura, në dy gjuhë shqip dhe anglisht elemente të rëndësishme të trashëgimisë kulturore shqiptare, të përcjella me metoda të larmishme dhe ilustrime të përshtatshme për moshat mbi 7 vjeç.

“E kam marrë shkasin nga një fëmijë i vogël që, kur shkoi në një kala, vuri re që aty kishte vetëm gurë. Por, për t’ua bërë të ditur fëmijëve që nuk janë thjesht gurë, por kulturë, mua më duhej të bëja një libër të tillë, për ta bërë sa më të prekshëm dhe sa më kuptueshëm atdheun,”  tha Rudina Çupi, bashkëautore e librit “Rrënjët në zemër”

Sipas autores së njohur për fëmijë, Rudina Çupi, për nxitjen e dashurisë për librin dhe leximin, përtej përpjekjeve të autorëve apo shtëpive botuese, nevojitet një angazhim më i madh institucional, veçanërisht nga strukturat shtetërore që mbështesin arsimin dhe kulturën.

“Mendoj që libri është bërë një objekt i shtrenjtë për të qenë në çdo familje, dhe nëse nuk investojmë në bibliotekat e shkollave, madje edhe në mënyrën se si ia dërgojmë fëmijëve librin dhe interesin e tyre për librin, nuk mund ta dimë se sa interes kanë ata për të. Dhe kjo varet nga ne. Por pa një mbështetje shtetërore, pa e futur leximin në shkolla si një lëndë më vete, nuk mund të bëjmë dot asgjë, sado sipërmarrje të bëj unë si autore, botuese apo dikush tjetër,” theksoi ajo.

Promovimi i librit “Rrënjët në zemër” ishte pjesë e kalendarit të veprimtarive të Bibliotekës Publike “Marin Barleti”, në kuadër të Muajit të Letërsisë. - RTSH-

Lini një Përgjigje