“Njëanshmëria” e këngëve popullore mbi temën e emigrimit

16 Mars 2026, 10:11Kulturë TEMA
“Njëanshmëria” e këngëve popullore mbi

Kosta Barjaba
Joniada Barjaba

(Marrë nga libri i sapobotuar i autorëve “Enciklopedia e dhimbjes: Kronika e emigrimit në vargje”)

Kënga popullore, si një ndër format më të artikuluara të kujtesës kolektive, është një organizëm i gjallë, që regjistron dhe tregon ngjarjet që ndodhin në shoqëri. Natyrisht, me mjetet dhe këndvështrimet e veta. Shpesh, në rrethanat kur burimet e tjera dokumentare mungonin, kënga ka qenë burimi i risjelljes së ngjarjeve historike në vëmendje të shoqërisë.

Kështu ka ndodhur edhe me emigrimin, dikur kurbetin apo mërgimin. Në kushtet kur shkencat shqiptare zhvilloheshin në forma modeste dhe studimet e kërkimet për ikjen e shqiptarëve mungonin, kënga ka qenë një burim i rëndësishëm referimi dhe informimi, nga flukset e para deri në ditët e sotme.

Por, kënga, duke qenë veçanërisht e ndjeshme dhe njerëzore, ka qenë dhe mbetet disi e njëanshme në pasqyrimin e dukurive migratore. Por, njëanshmëria nuk është një paplotëri apo defekt i këngës. Ajo është ruajtur për të bërë më të forta mesazhet e saj. Në një kohë që burimet apo përshkruesit e tjerë të valëve migratore janë zgjeruar, më të drejtë, nga pasqyrimi kompleks i fenomenit, kënga nuk ka luajtur nga boshti i saj njerëzor.

Pra, ka një ndryshim të madh midis qasjes së artit, kulturës, këngëve popullore, kujtesës kolektive dhe mendimit shkencor, shkencave ekonomike dhe sociologjike ndaj dukurive të sotme migratore. Këngët kanë regjistruar dhe vijojnë të regjistrojnë, kryesisht mallin, vuajtjet dhe dhimbjen, të cilat i konsiderojnë “dëme” të emigracionit. Për popullin, vetë emigrimi ka anët e veta të mira e të këqija. Ndërsa në këngët e tij popullit bën kujdes të përshkruajë vetëm njërën anë të medaljes, si një dukuri negative, madje, një plagë për familjen, shoqërinë dhe vendin.

Studimet ekonomike bëjnë bilancin ekonomik dhe financiar të emigrimit dhe përshkruajnë një situatë jo bardhezi, duke e trajtuar emigrimin, sidomos emigrimin ekonomik, si një dukuri komplekse.
Studimet sociologjike kanë venë në dukje ndikimet kontradiktore të emigrimit në ekonominë, shoqërinë dhe jetën këtu në Shqipëri, vlerat, por edhe problemet e boshllëqet që krijon, sidomos në jetën familjare, zhvillimet demografike dhe forcën e punës. Por, në fund të fundit, emigrimi mbetet një faktor dhe burim zhvillimi, emancipimi e qytetërimi. Por në këngët e veta populli nuk do t’ia dijë për asgjë nga këto. I injoron hapur. Kënga fokusohet te hallet, te plagët që ka shkaktuar emigracioni. Përse ndodh kjo?

Arsyeja e parë lidhet me vetë interesin dhe misionin e artit dhe këngës. Kënga parapëlqen të qëndrojë në më të nevojshmen, në misionin e saj shqetësues të asaj që po ndodh dhe pritet të ndodhë në shoqëri dhe në jetët e njerëzve. Duke ngritur alarmin për rreziqet, kënga synon edhe të paralajmërojë e shpëtojë shoqërinë prej tyre.

Një arsye tjetër lidhet me burimet që krijojnë artin dhe ndihmojnë të lulëzojë talenti i popullit. Vështirësitë dhe dramat e jetës së emigrantëve kanë më shumë fuqi t’i imponohen artit dhe këngës sesa kënaqësia dhe lumturia që ato sjellin. Arti i madh lind nga dramat e mëdha njerëzore.

Një rrethanë tjetër është referimi i këngës. Duke pasqyruar ndjenjat njerëzore si edhe dhimbjen që shoqëron ikjen, kënga u qëndron besnike edhe burimeve e referencave të saj. Zakonisht këto dhimbje e ndjenja shprehen nga nëna, bashkëshortja, motra, në mjaft raste edhe nga vetë emigrantët, pra janë brenda kufijve të marrëdhënieve njerëzore. Dhe këto marrëdhënie janë të tilla që shfaqin ndjeshmëri më të lartë ndaj dhimbjes, dramave, dëshpërimit, ndarjes, zemërimit apo gjendjeve të tjera emocionale që krijohen midis emigrantëve dhe familjeve të tyre. Kënga mund të shprehë natyrshëm dhimbjen e nënës, dëshpërimin e bashkëshortes, mallin e motrës, merakun e babait.

Një rrethanë tjetër që ka ushqyer këtë njëanshmëri të këngëve të kurbetit është edhe fillesa e tyre. Në fillimet e tij kurbeti i shqiptarëve nuk ka qenë një mërgim ekonomik, as politik, por ushtarak. Shqiptarët janë detyruar të emigrojnë, për t’iu bashkuar si nizamë ushtrive të huaja dhe më vonë atyre të Perandorisë Otomane në luftërat e saj pushtuese. Vuajtjet e nizamëve nuk kanë qenë puna e rëndë në vendin e huaj, por betejat e ushtrive të huaja për të mbajtur të sunduar popujt dhe territoret e pafundme të Perandorisë Osmane. Emigrantët e parë shqiptarë nuk kanë bashkëjetuar me punën e rëndë, por me vdekjen.

Megjithëse fokusohet kryesisht tek “ana tjetër e medaljes”, pra te problemet që ka shkaktuar e vijon të shkaktojë emigrimi, edhe në këtë këndvështrim kënga tregohet përzgjedhëse. Një ndër veçimet që ajo bën lidhet me mospërmendjen, me pak përjashtime, të një prej aspekteve më të dhimbshme, por edhe të errëta të emigrimit, sidomos emigrimit bashkëkohor të shqiptarëve, emigrantët që në emigracion kanë humbur lirinë, për shkak të krimeve të kryera.

Ky veçim ka disa shpjegime. E para lidhet me faktin se devijanca dhe krimi nuk kanë gjetur kurrë solidaritet në kujtesën dhe kulturën popullore.

Arsyeja e dytë lidhet me një qëndrim kritik të këngës, domethënë të popullit, ndaj perceptimit të krijuar për emigrantët shqiptarë, pikërisht për këtë shkak. Ajo që literatura sociologjike e quan “inkriminim”, “viktimizim” apo “demonizimim” i emigrantëve shqiptarë nuk mund të përtypet lehtë.

Një tjetër tregues i karakterit selektiv të artit ndaj fenomenit të emigrimit është fakti që, ndryshe nga temat e tjera, kushtimi ndaj kësaj dukurie është kufizuar te kënga. Nuk kemi gjetur asnjë rast kur ndjenjat popullore për kurbetin, mërgimin, emigrimin të jenë shprehur në formën e valles. Edhe kjo e ka shpjegimin e vet. Dhimbja popullore është një përjetim i fortë, i jashtëzakonshëm dhe shprehja apo jashtësimi i saj përjashton çfarëdolloj shprehjeje apo forme të gëzueshme.

Disa arsye të njëanshmërisë shkojnë edhe përtej këngës, muzikës, poezisë dhe përgjithësisht artit. Kënga, pavarësisht parapëlqimeve të saj, ka rënë në kurthin që i ka ngritur komunikimi mediatik. Në sa e sa emisione televizive, është folur e flitet për emigrimin si një plagë e shoqërisë, madje me gjuhën e kohës së Çajupit! Pra, pavarësisht natyrës, pavarësisë dhe paanësisë politike, këngët popullore kushtuar temës së emigrimit nuk u kanë shpëtuar ndikimeve prej temave në të cilat është e përfshirë shoqëria.

1 Komente

  1. f
    fjala

    Mos pyet me as per kengen e as per jeten ; sot çdo gje e ka ne dore dadua dhe bullona e teknollogjise qe njeriun e transformoi ne parà dhe hamendje te pamenduar. Jeta sot eshte kthyer ne ne nje bote plot me hiç ! I shkreti Hasan Zyko Kalmberi nga Frakulla e madhe, megjithese fshatar, i doli fjala.

    Përgjigjjuni

    Lini një Përgjigje