Regjisori Robert Budina ka prezantuar në Korçë tre filma me metrazh të shkurtër, të realizuar nga nxënësit e gjimnazeve të qytetit, në kuadër të një projekti me mbështetje franceze.
Nxënësit fillimisht janë trajnuar online dhe më pas, përgjatë pesë ditëve intensive pune, kanë realizuar filmat e tyre, duke sjellë ide dhe këndvështrime kreative.
Regjisori Budina u shpreh se gjatë punës me të rinjtë ka vënë re dëshirë për të punuar dhe ide interesante, duke vlerësuar angazhimin dhe kreativitetin e tyre.
“Ky është një projekt që quhet “Rrënjë që Lulëzon”, i organizuar nga Agjencia Franceze e Zhvillimit, i cili ka për qëllim nxitjen dhe zbulimin e talenteve në Shqipëri. Gjithashtu, synon që të rinjtë të fokusohen te vendi i tyre, të tregojnë historitë e tij dhe ta duan atë.
Fillimisht realizuam një trajnim online, ku i mësuam si të tregohen historitë lokale dhe si të ndërtohet struktura e një filmi. Më pas erdhëm në Korçë për pesë ditë, ku u shpjeguam si përdoret kamera, si përdoren programet e montazhit dhe diskutuam për skenarët që ata na kishin propozuar.
Realisht jam shumë i befasuar, sepse niveli është shumë i lartë. Mund të them pa frikë që mund të kalojë edhe profesionistët që janë në hapat e para. Kjo tregon që ne nuk jemi të aftë t’i zbulojmë talentet dhe këto projekte duhen patjetër për këtë arsye, sepse mund t’u hapësh një perspektivë të rinjve duke zbuluar ato gjëra që mbase ata nuk i dinë”, tha Budina.
Në këtë aktivitet u prezantuan filmat “Stoli” dhe “Vajza që shëtit qenin”, të realizuar nga nxënësit e gjimnazit “Raqi Qirinxhi” si dhe filmi “Muret që marrin frymë” nga gjimnazi “Themistokli Gërmenji”.
Vetë nxënësit u shprehën entuziastë për eksperiencën, duke e cilësuar atë si një mundësi të mirë për të zhvilluar aftësitë e tyre në fushën e kinemasë.
Filmat sollën këndvështrime të ndryshme artistike dhe tematika që lidhen me realitetin dhe përjetimet e të rinjve, duke e kthyer këtë aktivitet në një hapësirë promovimi për krijimtarinë e brezit të ri. A.K./TemA
Lini një Përgjigje