Stilisti shqiptar Altin Tila mori pjesë në “Rivestiti Festival”

4 Maj 2026, 11:24Kulturë TEMA
Stilisti shqiptar Altin Tila mori pjesë në “Rivestiti

Artisti dhe stilisti i njohur shqiptar Altin Tila mori pjesë në “Rivestiti Festival”, një event ndërkombëtar i modës së qëndrueshme, i zhvilluar në Bolonjë (Itali), në ambientet e Pallatit Mbretëror Re Enzo.

Festivali, i cili zhvillohet çdo vit, promovon artizanatin dhe stilistët që ndjekin filozofinë e prodhimit të modës në harmoni me natyrën, duke përdorur materiale “eco-friendly” dhe praktika të qëndrueshme.

Në këtë aktivitet, Tila u prezantua me dy koleksione “Haute Couture” dhe “Rave Collection”.

Koleksioni “Haute Couture” përfshin veshje vintage të ripropozuara dhe krijime origjinale, përfshirë kostumografi skenike. Sipas organizatorëve dhe pjesëmarrësve, koleksioni u prit me vlerësime maksimale, duke u dalluar për shumëllojshmërinë, koloritin dhe punimet artizanale “handmade”.

Filozofia e “Rawmodeofficial” bazohet në krijimin e veshjeve unike, njëcopëshe, të destinuara për artistë, muzikantë, DJ dhe figura të skenës kreative.

Çdo krijim, sipas stilistit, mbart një histori dhe realizohet me kujdes të veçantë në detaje dhe kombinime materialesh, duke e kthyer veshjen në një vepër arti.

Në koleksion përfshihen edhe elementë të frymëzuar nga tradita shqiptare, të interpretuar në mënyrë minimaliste, si dhe krijime artizanale të cilat synojnë të promovojnë trashëgiminë kulturore.

Ndërkohë, “Rave Collection” u prezantua përmes një performance DJ set, duke sjellë një përzgjedhje muzikore që i kushtohej skenës elektronike underground të 30 viteve të fundit dhe artistëve të viteve 1990–2000. Projekti synon gjithashtu bashkëpunime me DJ të njohur ndërkombëtarë si Daniele Baldelli, DJ Ralf dhe Samuel (Subsonica), duke ndërthurur modën me muzikën.

Gjatë festivalit u zhvilluan sfilata mode, panele diskutimi, atelie artizanale të hapura dhe aktivitete gastronomike me konceptin “slow fashion & slow food”. Eventi u vizitua nga mijëra të apasionuar pas modës dhe artistë nga e gjithë bota.

Pas Bolonjës, projekti u prezantua edhe në evente të tjera si Milano Design Week dhe Riccione, në bashkëpunim me DJ Ralf dhe artistë të skenës elektronike. A.K./TemA

Lini një Përgjigje