Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sporteve, Blendi Gonxhja ka inspektuar nga afër ecurinë e punimeve restauruese në Kalanë e Borshit, ku prej disa muajsh po zhvillohet një ndërhyrje e gjerë për ruajtjen dhe rijetëzimin e këtij monumenti historik.
Punimet janë fokusuar në përforcimin e masivit shkëmbor mbi të cilin ngrihet xhamia e kalasë, stabilizimin e shpatit për rritjen e sigurisë së vizitorëve, si dhe përmirësimin e rrugës hyrëse për të garantuar akses më të lehtë. Një tjetër komponent i rëndësishëm i projektit është stabilizimi strukturor i vetë kalasë, përfshirë restaurimin e mureve, bedenave dhe ndërhyrjet konservuese në xhami, ku po punohet për muraturën, elementët e dëmtuar dhe pikturat murale, duke ruajtur autenticitetin historik.
Gjatë procesit të pastrimit të territorit nga bimësia dhe rrënojat, janë zbuluar edhe elementë të rinj me vlerë të veçantë historike, si stera për mbledhjen e ujit të shiut, gjurmë ndërhyrjesh të fillimit të shekullit XX dhe struktura më të hershme, që pasurojnë historinë e sitit dhe rrisin potencialin e tij si destinacion turistik.
Projekti po zbatohet nga Cultural Heritage without Borders Albania dhe monitorohet nga DRTK Vlorë, me financim nga Banka Botërore përmes Fondi Shqiptar i Zhvillimit, në bashkëpunim me IKTK.
Autoritetet synojnë që në vijim të zhvillojnë një menaxhim të integruar të zonës në bashkëpunim me Bashkinë Himarë, duke përfshirë transportin e gjelbër për turistët, përmirësimin e infrastrukturës në lagjen poshtë kalasë dhe promovimin e mëtejshëm turistik të zonës. A.K./TemA
Të restaurosh një xhami që ska asgjë të përbashkët me historinë 2400 vjeçare të kësaj kështjelle dhe mbi të gjitha që është ndërtuar dy shekuj më parë nga një ortodoks i islamizuar që ka kryer krime nga më çnjerëzoret ndaj popullsive shqiptare e greke është mohim i historisë, i origjinalietit dhe i identitetit.