Orkestra Simfonike sjell në TKOB Simfoninë nr. 9 të Beethoven

13 Korrik 2026, 11:15Kulturë TEMA
Orkestra Simfonike sjell në TKOB Simfoninë nr. 9 të Beethoven

Në tingullin e akordeve të fundit të provave, Orkestra Simfonike ka vulosur përgatitjet për koncertin që do të mbyllë sezonin artistik. Vetëm dy ditë na ndajnë nga mbrëmja kur në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit do të interpretohet një nga kryeveprat më monumentale të historisë së muzikës, Simfonia nr. 9 e Ludwig van Beethoven.

Një vepër që e ka tejkaluar kohën dhe hapësirën, duke u shndërruar në një himn universal të paqes, vëllazërisë dhe shpresës, kjo simfoni do të vijë përmes forcës interpretuese të Orkestrës Simfonike të RTSH, në bashkëpunim me Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit.

Nën drejtimin e dirigjentit Facundo Agudin, Orkestra Simfonike do të ndërthurë tingullin e saj me zërat e solistëve Eva Golemi, Vikena Kamenica, Amadi Lagha dhe Artur Vera, ndërsa pjesë e kësaj ngjarjeje artistike do të jetë edhe Kori i Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, i drejtuar nga Dritan Lumshi.

Përmasat e kësaj vepre kërkojnë një përgatitje të veçantë dhe një bashkëveprim të jashtëzakonshëm mes orkestrës, korit dhe solistëve, për të sjellë në skenë një nga finalet më të fuqishme të repertorit klasik botëror.

Koncerti përmbyllës i sezonit artistik do të mbahet më 14 korrik, në orën 20:00, në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit, një mbrëmje ku Orkestra Simfonike do të vendosë kurorën e fundit mbi një sezon të mbushur me muzikë, përkushtim dhe krijimtari. A.K./TemA

Lini një Përgjigje