VIDEO/ Edon Qesari: Miti i intelektualit që zbret në shesh nuk i përgjigjet më kohës sonë

12 Korrik 2026, 09:05Kulturë TEMA
VIDEO/ Edon Qesari: Miti i intelektualit që zbret në shesh nuk i

Shpesh dëgjohen thirrje, ftesa apo edhe kritika për përfshirjen ose jo të intelektualëve në lëvizje shoqërore e politike, aq sa duket sikur ekziston pothuajse një lloj miti i të parit të intelektualëve si shpëtimtarë të shoqërisë, si figura që duhet të zbresin në shesh për t’i dhënë drejtim “popullit”.

Por po sikur kjo mënyrë e të menduarit për intelektualin të mos i përgjigjet më kohës sonë?

Historiani dhe studiuesi Edon Qesari thotë për Apostrof Podcast se ky model klasik, i trashëguar nga shekulli i kaluar, nuk arrin më të shpjegojë pluralitetin e shoqërisë së sotme.

“Ky lloj sartriarizimi i intelektualit, që e imagjinojmë intelektualin që zbret në shesh, duket sikur nuk i përgjigjet më kohës sonë,” shprehet Qesari.

I pyetur mbi rolin e intelektualëve në lëvizjet shoqërore dhe politike, veçanërisht në raport me protestën aktuale, Qesari vë në pikëpyetje idenë se intelektuali është një figurë e vetme, e ndarë qartë nga shoqëria dhe e thirrur për t’i treguar asaj rrugën.

Sipas tij, nëse intelektualin e kuptojmë si dikë që ndërmjetëson mes elitave dhe shumicës, atëherë ky rol është shumë më i gjerë sesa zakonisht mendohet.

“Nëse guxojmë një përkufizim të intelektualit si dikush i cili shtrihet midis elitave dhe shumësisë dhe krijon një urë midis të dyve, shumëkush në këtë sens mund të imagjinohet si intelektual,” thotë ai. Në qoftë se intelektuali imagjinohet si dikush që zotëron dije teknike, unë nuk e di realisht se sa këto dije teknike nuk janë pastaj të manipuluara, se sa këto dije teknike nuk janë në shërbim të diçkaje tjetër,” shprehet Qesari.

Ai kritikon edhe prirjen për t’i ndarë intelektualët menjëherë në kategori morale, varësisht nga pozicioni që mbajnë ndaj një proteste apo lëvizjeje politike.

“Ata që kërkojnë intelektualët t’i bashkohen një pozicionimi dhe të mos shkojnë tek dikush tjetër, shpeshherë kjo ndiqet nga kategorizime të llojit etik: i shitur, i pashitur, ha sufllaqe, nuk ha sufllaqe,” thotë ai, ndërsa shton se ky lloj gjykimi harron se intelektualët nuk janë një grup homogjen. Ashtu si shoqëria, edhe ata përfaqësojnë qëndrime, interesa dhe pozicione të ndryshme.

“Harrojmë për një çast që, ashtu si shoqëria është plurale, edhe kjo mini-shoqëri e intelektualëve është plurale,” thekson ai.

Sipas tij, intelektualë mund të ketë në të dyja anët e një debati publik apo politik, ndërsa as dija teknike dhe as qëndrimi moral nuk janë automatikisht të lira nga presioni, interesi apo pushteti.

“Mund të ketë intelektualë nga njëra anë dhe nga ana tjetër. Dhe dijet teknike, ashtu siç janë dhe qëndrimet morale, në të gjitha llojet e pozicioneve mund të jenë të shtrënguara, mund të jenë të blera dhe mund të jenë të lira,” shprehet Qesari.

Episodi i plotë i Apostrof Podcast publikohet sot në orën 17:00. 

Të jetosh në kohë krizash: Fuqizimi i të djathtës ekstreme dhe kriza e të majtës | Edon Qesari