
Si nesër, 12 korrik 1817 (por ngaqë të nesërmes nuk i dihet dhe e sotmja e ka me ngut, po e përkujtoj që sot), u lind Henry David Thoreau, filozof, poet, ambjentalist e aksionist i bojkotimit, rebelimit dhe revoltës joviolente. Prej tij lindi “Mosbindja civile”, ky libërth i vockël që mban në vete peshën e gurit të madh në themelet e ngrehinës së demokracisë amerikane. E prej veprës në fjalë u lind mosbindja civile si aksion real.
Vetë Thoroja e ushtroi aktin e mosbindjes me vullnet të plotë dhe vetëdije të paqtë për ndëshkimin me burg. Njësh me aktin e vet civil, shkroi në traktin e tij civilizues me përhapje planetare fjalinë: “Nën një qeveri që burgos padrejtësisht, vendi i vërtetë për një burrë të drejtë është burgu.”
Dhe ndërmendem që i pabinduri Henri Thoro, kur e rrasën në burg, vjen e gjen mentori e mandej mik i ngushtë Emerson, dhe e pyet: ç’ne këtu brënda ti? Dhe ky i kthen përgjigjen shembullore:
- ti, ç’ne jashtë?!
“Mosbindja civile” erdhi në shqip me mjaft vonesë, afro një dekadë më parë. Por, si gjithmonë, na mbetet ngushëllimi ‘më mirë vonë se kurrë’. Dhe shpresa se mbase diçka prodhon.
Rrallëherë ndodh që një titull të shenjojë e shpallë brendinë si në rastin e këtij traktati të aktives, duke e kthyer veprën në një libër ngjest, ngjarje, realitet veprues, aksion, akt i skenës së vërtetë. E cila, bashkë me kryeveprën e tij “Walden” ndryshoi radikalisht perceptimin drejt rikthimit të vetëdijes mbi raportin e pushtetit me qytetarin. E thashë në njëjës, pikërisht për t’i mëshuar rëndësisë së risisë së ideve të tij në respektimit të drejtave të qytetarit individ, qytetarëve pakicë e jo doemos masë e shumësisë. Pra, për t'i ngritur volumin apelit që arithmetika e principit sasior të pushtetit të maxhorancës të mos shihet si e drejtë e aboslutes së pushtetit. Pse parimi i të drejtave themelore të njeriut bën roje mësëshumti për respektimin e të drejtave të pjesës më të vogël, gjer dhe shumë të vogël, minorancë. Prodhimi prej Thorosë i konceptit juridik të limitit, qysh atëhere rri në bazën e konstitucionalizmit perëndimor.
Ndërsa raportin mes sasisë dhe cilësisë së qeverisjes, marazin sesi qeveria “harron” që sovrani i vërtetë është i qeverisuri e, kësisoj, pushteti në vend të bëjë shërbëtorin ndaj tyre rrëshqet në të bërit ‘pushtuesin’, Thoroja e shpall qysh në shprehjen e parë:
[Me gjithë zemër e pranoj moton: “Qeveria më e mirë është ajo që qeveris më pak”; dhe do të më pëlqente ta shihja në veprim. Zbatimi i saj, përfundimisht çon në thënien të cilën unë gjithashtu e besoj: “Qeveria më e mirë është ajo që nuk qeveris fare;” dhe kur njerëzit të jenë të përgatitur për të, ajo do të jetë lloji i qeverisë që do të kenë.]
E fill më pas, e kalibron shënjestrën për ta shtjelluar përtej përqëndrimit të një sentence: “Por, po të flas praktikisht edhe si qytetar, unë nuk kërkoj menjëherë mungesën e qeverisjes, por një qeveri më të mirë menjëherë. Çdo njeri le të bëjë të njohur se ç’lloj qeverie do të gëzonte respektin e tij, e ky do të ishte një hap drejt arritjes së saj.
...Një njeri i mençur nuk do ta linte të drejtën në mëshirën e fatit, dhe as do të uronte që ajo të fitonte nëpërmjet pushtetit të shumicës. Ka shumë pak virtyt në veprimet e masës së njerëzve”.
Mendimi dhe aksioni i Thorosë pati përkrahës bashkëkohës si Hugoi dhe më vonë prej veprës së tij u inspiruan shkrimtarë e mendimtarë nga Tolstoi te Haideger dhe humanistë e aksionistë të luftës pa dhunë nga Gandi te Martin Luter King.
Kujtoj që për jubilarin e 150-të të veprës së Thorosë para pak kohësh, Xhon Apdajk shkroi se ai tanimë është kthyer në totem të kthimit te jeta në pyll e pabindje civile si një model shenjti eremit, saqë libri rrezikon të jetë aq i veneruar e gjithaq “i palexuar” sa Bibla.
k.zejno, 11 korrik 2026
Lini një Përgjigje