Anthony Hopkins, këtë herë si kompozitor, vjen me albumin e ri "Life is a dream"

11 Korrik 2026, 15:53Kulturë TEMA
Anthony Hopkins, këtë herë si kompozitor, vjen me albumin e ri

Aktori legjendar britanik Anthony Hopkins ka nisur një kapitull të ri në karrierën e tij artistike. Në moshën 88-vjeçare, fituesi i dy çmimeve Oscar ka nënshkruar një kontratë diskografike me shtëpinë prestigjioze Decca Classics, duke prezantuar albumin e ri “Life Is A Dream”, i cili do të publikohet më 21 gusht.

Hopkins e cilësoi marrëveshjen si “nderin e jetës”, ndërsa albumi përmbledh kompozime klasike të krijuara përgjatë më shumë se gjashtë dekadave, shumë prej tyre të frymëzuara nga fëmijëria e tij në Margam të Uellsit.

Kënga e parë, “Bracken Road”, është publikuar tashmë dhe është pjesë e suitës “1947: Suite for Solo Piano and Orchestra”. Vepra përshkruan peizazhet, rrugët dhe natyrën që rrethonin shtëpinë e tij familjare në vitet 1940. Hopkins ka zbuluar se melodinë e kësaj pjese e krijoi për herë të parë në vitin 1963, kur ishte një aktor i ri në Liverpool Playhouse.

“Muzika ishte dëshira ime e parë. Kam kompozuar gjatë gjithë jetës sime”, është shprehur Hopkins, duke shtuar se disa nga këto kompozime e kanë shoqëruar për dekada dhe vazhdon t’u rikthehet edhe sot.

Albumi është regjistruar në Alexandra Palace të Londrës dhe interpretohet nga Philharmonia Orchestra, nën dirigjimin e dirigjentit fitues të çmimit Grammy, Gustavo Dudamel. Në projekt marrin pjesë edhe pianistit Sergio Tiempo, violonçelisti Gregorio Nieto, The Bach Choir dhe kori i Katedrales së Winchesterit.

Një tjetër pjesë e albumit, “My Fatherland”, është një homazh për rrënjët e tij. Hopkins thotë se me këtë kompozim dëshiron të nderojë origjinën e tij modeste, duke kujtuar se është “biri i një bukëpjekësi”.

Edhe pse njihet në mbarë botën për rolet ikonike në filma si The Silence of the Lambs dhe The Father, muzika ka qenë gjithmonë pjesë e jetës së tij. Në vitin 2012 ai publikoi albumin “Composer”, ndërsa valsi i tij “And the Waltz Goes On” u interpretua nga violinisti holandez André Rieu.

Së fundmi, Hopkins ndodhet në Uells ku po xhiron filmin “A Visit to Grandpa’s”, një adaptim i veprës së Dylan Thomas, përkrah aktores Catherine Zeta-Jones.

Me “Life Is A Dream”, Anthony Hopkins dëshmon se krijimtaria nuk njeh moshë dhe se pas një karriere të jashtëzakonshme në kinematografi, vazhdon të shprehë talentin e tij edhe përmes muzikës klasike.

A.K./TemA

Lini një Përgjigje