Nëse një sipërmarrje shqiptare është gati ose jo për tregun e përbashkët europian, nuk është një proces i njëanshëm.
Në valën e nxehtë të shndërrimeve ligjore sipas standardeve në bisedimet e anëtarësimit në BE, zv.ministri i Ekonomisë, Enkelejd Musabelliu deklaron se vendimi nuk vjen vetëm rregullatori, në këtë rast qeveria.
“Duhet të jenë të dyja anët. Bizneset nga ana e tyre duhet të fillojnë të bëjnë një vetëvlerësim në terma të çfarë ju duhet atyre të bëjnë, në termë në investime, në burime njerëzore, në ambalazhime produktesh, në informacion për konsumatorët, në praktikat sensitive ndaj mjedisit dhe me radhë, në mënyrë që ata të mund të operojnë në përputhje me standartet europiane”, tha ai.
Duke ndarë së pari informimin si shumë të rëndësishëm, administrata shqiptare ka gati edhe praktika të tjera ndihme për biznesin.
“Po dizajnohet një skemë përmes të cilës do të jetë e mundur që bizneset të mund të trajnohen se si ta përdorin informacionin që marrin sa i përket tregut të vetëm europian dhe si të transformohen së brendshmi në mënyrë që të jenë në përputhje me standartet europiane”, theksoi zv.ministri.
Pamja ideale e një sipërmarrjeje në ditën e parë të anëtarësimit në BE mbështetet edhe me dy shtylla të tjera.
“E treta dhe e katërta lidhen më shumë me standartizimin e certifikimit si edhe me dizajnimin e instrumenteve specifikë për mbështetjen e këtyre bizneseve në mënyrë që në ditën e parë të anëtarësimit të jenë gati për mundësitë shumë të mëdha që ofron tregu i vetëm europian, por nga ana tjetër të kenë gati gjithashtu edhe planin për adresimin e kostove që mund të sjellë nëse nuk përgatitemi ashtu siç duhet anëtarësimi në Bashkimin Europian”, shpjegon zv.ministri.
Lini një Përgjigje