Ministri Malaj apel fermerëve nga Lushnja dhe Fieri: Aplikoni për kompensimin me 10% të TVSH-së

11 Korrik 2026, 13:20Ekonomia TEMA
Ministri Malaj apel fermerëve nga Lushnja dhe Fieri: Aplikoni për

Ministri i Financave, Petrit Malaj, inspektoi nga afër në Lushnje dhe Fier zbatimin e skemës së re të kompensimit me 10% të TVSH-së për fermerët që shesin produkte bujqësore dhe blegtorale me faturë të rregullt. Skema, e cila ka hyrë në fuqi më 1 korrik 2026, synon të mbështesë financiarisht fermerët, të nxisë formalizimin e sektorit dhe të lehtësojë procedurat e aplikimit.

I shoqëruar edhe nga drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, Ilir Binaj, ministri vizitoi serrën e familjes Bufazi në Krutje të Lushnjës, ku fermerët u asistuan nga punonjësit e Administratës Tatimore për aplikimin në skemë. Ferma, e cila kultivon rreth 3 hektarë me domate, pritet të përfitojë rreth 900 mijë lekë nga kompensimi.

Malaj u bëri thirrje të gjithë fermerëve të aplikojnë për përfitimin e kompensimit, duke theksuar se masa mbështet një sektor që qeveria e konsideron prioritar për zhvillimin ekonomik dhe punësimin.

"Duke filluar nga data 1 korrik, administrata tatimore ka filluar me kompensimin në masën 10% të TVSH-së për të gjitha produktet bujqësore ose blegtorale që shiten me fatura të rregullta tek pikat e grumbullimit apo të përpunimit. Kjo është në linjë me politikat e qeverisë për të mbështetur bujqësinë si një sektor prioritar", deklaroi ministri.

Në Fier, gjatë një takimi me fermerët në Zyrën e Shërbimit të Tatimpaguesve, u prezantuan procedurat e aplikimit, të cilat realizohen përmes pesë hapave në sistemin elektronik eFiling.

Sipas Malajt, procesi është digjitalizuar për të shmangur paraqitjen fizike të fermerëve në zyrat tatimore.

"Fermerët mund të hyjnë në llogarinë e tyre në eFiling, ku janë të listuara të gjitha faturat. Mjafton një kërkesë e thjeshtë dhe vendosja e numrit të llogarisë bankare, ndërsa administrata tatimore do të kryejë më pas rimbursimin direkt në llogari", sqaroi ai.

Ministri u bëri gjithashtu thirrje pikave të grumbullimit dhe përpunimit që të lëshojnë faturat për çdo produkt të blerë nga fermerët, pasi kjo është kusht për përfitimin nga skema.

Sipas të dhënave të Administratës Tatimore, për periudhën janar-qershor 2026 vlera e shitjeve të produkteve bujqësore ka arritur në rreth 13.5 miliardë lekë, nga 11.5 miliardë lekë në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Numri i fermerëve që shesin te subjektet me TVSH është rritur në 9,501, ndërsa numri i blerësve me TVSH ka arritur në 616.

Administrata Tatimore vlerëson se, nëse të gjithë fermerët që plotësojnë kriteret aplikojnë, vlera e kompensimit për gjashtëmujorin e parë të vitit 2026 do të arrijë në rreth 1.35 miliardë lekë, ose afro 13.8 milionë euro. 

Lini një Përgjigje