Qytetarët dhe bizneset mbajnë rreth 1.8 trilionë lekë kursime në banka, ndërsa dhjetë depozituesit më të mëdhenj zotërojnë rreth 7.5% të totalit të depozitave në sistemin bankar shqiptar.
Sipas Raportit të Mbikëqyrjes së Bankës së Shqipërisë, në fund të vitit 2025 vlera totale e depozitave arriti në 1.8 trilionë lekë, duke shënuar një rritje prej 9.1% krahasuar me një vit më parë.
Depozitat e qytetarëve dhe bizneseve vijojnë të jenë burimi kryesor i financimit për bankat, ku mbi 80% e burimeve të financimit të sistemit bankar vijnë nga kursimet e klientëve.
Gjatë vitit të kaluar është rritur edhe pesha e depozitave në monedhën vendase, duke arritur në 49% të totalit. Ndërkohë, qytetarët kanë treguar preferencë më të madhe për depozitat me afat, veçanërisht ato afatgjata, çka tregon një prirje për mbajtjen e kursimeve në banka për periudha më të gjata.
Për sa i përket përqendrimit të depozitave, të dhënat tregojnë se dhjetë depozituesit më të mëdhenj zotërojnë rreth 7.5% të totalit të depozitave, një nivel më i lartë se një vit më parë.
Nga ana tjetër, individët vazhdojnë të mbajnë pjesën më të madhe të kursimeve, me rreth 78% të totalit të depozitave. Rritja më e fortë është regjistruar te sektori privat dhe individët, ndërsa depozitat e sektorit publik janë rritur me ritme më të moderuara.
Edhe raporti mes kredive dhe depozitave ka vijuar të rritet. Në fund të vitit 2025, ky tregues arriti në 51.5%, nga 49.6% një vit më parë, duke treguar se bankat po përdorin një pjesë më të madhe të kursimeve të mbledhura për financimin e ekonomisë, duke ruajtur njëkohësisht nivele të qëndrueshme likuiditeti.
Në monedhën vendase, raporti kredi-depozita mbetet më i lartë se në valutë, duke treguar se kreditimi në lekë vijon të mbështetet më fort nga kursimet në të njëjtën monedhë.
Po shqiptaret rrjepin veten po nje apartament nuk mund ta blejne duhesh me vjedh ne shtet , se B. BALLUKU , i shet shume shtrenjt, shefja e\\BALOZIT\\\