Vizita e Presidentit të Republikës, Bajram Begaj, në Luginën e Preshevës erdhi në një moment me rëndësi të veçantë politike. Mesazhi i tij ishte i qartë: bashkëpunim, unitet i faktorit politik shqiptar dhe përpjekje të përbashkëta për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve që jetojnë në këto troje. Fakti që ai arriti të ulë në të njëjtën tryezë drejtuesit politikë të Luginës, në darkën përmbyllëse të vizitës, nuk ishte thjesht një gjest protokollar, por një sinjal se interesi kombëtar duhet të prevalojë mbi rivalitetet politike.
Ky apel merr një peshë edhe më të madhe në kushtet kur Presidenti i Serbisë ka paralajmëruar zhvillimin e zgjedhjeve parlamentare. Përvoja e viteve të fundit ka treguar se përçarja e faktorit politik shqiptar në Luginë ka sjellë një kosto të lartë për përfaqësimin institucional. Sot shqiptarët përfaqësohen në Parlamentin e Serbisë me vetëm një deputet, një realitet që nuk pasqyron potencialin e tyre politik dhe elektoral. Pikërisht për këtë arsye, uniteti nuk është thjesht një dëshirë morale, por një domosdoshmëri strategjike për të maksimalizuar praninë politike të shqiptarëve në institucionet e Serbisë.
Në këtë kontekst, vizita e Presidentit Begaj merr një domethënie që shkon përtej protokollit institucional. Ndonëse ndryshimet kushtetuese të vitit 2008, të miratuara me konsensusin e dy forcave kryesore politike të kohës, reduktuan ndjeshëm kompetencat e Presidentit të Republikës, duke e orientuar institucionin drejt një roli kryesisht përfaqësues dhe ceremonial, Begaj po përpiqet t’i shfrytëzojë në maksimum hapësirat që i ofron detyra. Vizitat e tij në trevat ku jetojnë shqiptarë, takimet me përfaqësuesit politikë dhe mesazhet e vazhdueshme për unitet dëshmojnë për një angazhim që synon ta kthejë institucionin e Presidentit në një faktor bashkues në shërbim të interesit kombëtar.
Por pikërisht sepse Presidenti ka bërë atë që i parashikojnë kompetencat kushtetuese, tashmë radha i takon ndërmarrjes së hapave konkrete në terren.
Prandaj, çështja e Luginës së Preshevës kërkon një angazhim më të gjërë nga Tirana.
Ajo kërkon iniciativa konkrete, burime financiare dhe një vëmendje të drejtpërdrejtë të pushtetit ekzekutiv.
Qeveria shqiptare disponon instrumentet diplomatike dhe ekonomike për ta kthyer mbështetjen ndaj shqiptarëve të Luginës në politika të prekshme.
Një nga këto iniciativa mund të jetë ndërmarrja e projekteve të përbashkëta infrastrukturore dhe zhvillimore mes qeverisë shqiptare dhe asaj serbe, me angazhimin e Bashkimit Europian si partner financiar dhe politik.
Një qasje e tillë do ta forconte rolin e Shqipërisë si faktor stabiliteti dhe bashkëpunimi në rajon, ndërsa do ta nxiste Serbinë t’i kushtonte më shumë vëmendje zhvillimit të Luginës së Preshevës. Investimet në infrastrukturë, arsim, shëndetësi dhe zhvillim ekonomik do të krijonin një mekanizëm të ri bashkëpunimi, nga i cili do të përfitonin në radhë të parë qytetarët shqiptarë të Luginës, por edhe vetë marrëdhëniet mes dy vendeve do të fitonin një dimension më europian.
Historia ka treguar se aty ku ka investime, infrastrukturë dhe perspektivë, ka edhe më shumë mundësi për të ruajtur identitetin dhe për të forcuar përfaqësimin politik.
Vizita e Presidentit Begaj përcolli një mesazh të qartë për unitetin dhe përgjegjësinë institucionale. Sfida tani është që ky mesazh të pasohet nga politika konkrete dhe iniciativa zhvillimore, në mënyrë që mbështetja për shqiptarët e Luginës së Preshevës të marrë një dimension të qëndrueshëm dhe të matshëm.
Lini një Përgjigje