Rreziku i kulteve dhe miteve të reja

9 Korrik 2026, 18:05Blog Ardi Stefa

I kemi qejf ne shqiptarët heronjtë dhe kultet.

Prandaj edhe historinë tonë politike në çdo epokë e kemi të mbushur me të vetëshpallur shpëtimtarë. Që premtonin se do të ndryshonin gjithçka dhe, i vetmi ndryshim ishin emrat e përfituesve të pushtetit. Prandaj dhe kemi rrëzuar monumente për të ngritur monumente të tjera. Kemi shkatërruar kulte për të ndërtuar kulte të reja. Kemi rrëzuar kultet e një brezi për të ngritur kultet e brezit tjetër. Kemi instaluar adhurimin e individit në vend të gjykimit të karakterit.

Edhe sot, në një klimë të mbushur me zhgënjim ndaj klasës tradicionale politike, shoqëria shqiptare po tregon një prirje të rrezikshme; turravrapin për të krijuar e besuar verbërisht tek "fytyra e re", e cili para se të provojë veten është shpallur shpëtimtare.

Mjafton një profil agresiv në rrjetet sociale, disa deklarata kundër sistemit, një narrativë e ndërtuar mirë dhe lind "heroi i ri", për të cilin askush nuk pyet më se kush është; cila është e shkuara e tij; çfarë ka bërë; ç’lidhje ka...

Por mos vallë heronjtë e rinj janë produkt i riciklimit të elitave politike dhe ekonomike? Kanë qenë pranë pushtetit, kanë përfituar prej tij, kanë heshtur kur duhej të flisnin, kanë ndryshuar vetëm flamurin politik dhe sot shiten si revolucionarë? Shiten si "alternativë" apo janë vazhdimësi e të njëjtit sistem me një paketim të ri? Heshtjet e gjata i zëvendësojnë me retorikë radikale? Dje ishin përfitues dhe spektatorë të abuzimeve; sot gjykatës të moralit publik?

Në këtë proces, rrjetet sociale janë bërë fabrika më e madhe e miteve. E shkuara fshihet me një status në Facebook dhe shpallesh imazhi i ndryshimit. Gjithsesi algoritmi shpërblen zhurmën. Nuk promovon domosdoshmërisht njeriun më të ndershëm; por atë që prodhon më shumë emocion, konflikt dhe klikime.

Një video virale zë vendin e një karriere të ndërtuar me punë. Një retorikë e ashpër zëvendëson programin politik. Një akt revolucionar i transmetuar live mjafton për të ndërtuar aureolën e "heroit". Brenda pak javësh krijohet një figurë që trajtohet si autoritet moral, pa kaluar asnjë provë serioze të transparencës, kompetencës apo përgjegjësisë.

Realisht ky është mekanizmi i prodhimit të miteve.

Miti nuk ndërtohet mbi të vërtetën. Ndërtohet mbi emocionin. Nuk ushqehet me fakte. Dhe, sapo një figurë shndërrohet në mit, çdo kritikë ndaj saj konsiderohet tradhti.

Por demokracia funksionon me kujtesë dhe jo me algoritme.
Shoqëritë që humbasin kujtesën bëhen pre e mashtrimit të përhershëm duke përjetuar të njëjtën histori me aktorë të rinj.

Një demokraci e shëndetshme nuk prodhon shenjtorë politikë.

Ajo prodhon qytetarë kritikë, të cilët përpara se të krijojnë besimin e verbër te individët duhet të shtrojnë pyetjet: “Cila është biografia e tyre? Çfarë kanë bërë kur nuk ishin në qendër të vëmendjes? Si i kanë fituar pasurinë, ndikimin dhe lidhjet? Kujt u detyrohen politikisht dhe ekonomikisht?”

Se shpesh shumë prej atyre që kanë hyrë në politikë me flamurin e moralit dhe të ndryshimit, kanë dalë prej saj me barrën e skandaleve. Jo sepse ndryshuan gjatë rrugës, por sepse askush nuk u kujdes t'i njihte para se t'i adhuronte.

Demokracia serioze nuk ndërtohet mbi emocione kolektive të çastit, por mbi verifikim. Nuk ka rëndësi sa bukur flet kundër sistemit; rëndësi ka sa e pastër është historia e tij.

Shqipëria nuk ka më luksin të ndërtojë kulte e mite të reja. E kemi paguar shtrenjtë kultin e individit, adhurimin dhe besimin e verbër tek "shpëtimtari". Çdo brez që prodhon kulte e mite, në fund prodhon edhe zhgënjimin e vet.

Nuk kemi nevojë për mite të reja dhe as për heronj. Kemi nevojë për standarde të reja, transparencë, institucione dhe për qytetarë që dyshojnë, verifikojnë dhe kërkojnë llogari.

Në të kundërt, po nuk u bë kjo, rrezikojmë të përsërisim ciklin që e njohim shumë mirë; zhgënjimin dhe atë që mund të zgjohemi një ditë duke kuptuar se nuk kemi zgjedhur një alternativë të re, por vetëm një version më modern të së njëjtës elitë të vjetër.

2 Komente

  1. O
    One

    Ti je dhe djal i zgjuar, ate shkrimin me Orwell e kishe ber te bukur, edhe komentet e atij shkrimi kishin shum nivel. Jam dakort qe duhet pasur kujdes me nxjerrjen e nje lidershipi nga kjo levizje dhe prandaj eshte proces qe po konsiderohet delikat e nuk ka nje lider per momentin. Keshtu qe ky shkrim vlen per te ardhmen e kesaj levizje. Po para se te flasim per mitet e te ardhmes, qe nuk kan dal akoma, le te flasim per keto mitet qe jan provuar. Ja shif keta qe i shkojn mbrapa Palloshit apo Sali Bejlerit. Jan gati te te vrasin po ua shave, nuk pranojn as prova asgje. Nuk duan as te degjojn as te shofin. Nga nje Enver na u ben dy Envera. Ceshtje mentaliteti. Te rinjt duan ta ndryshojn kete mentalitet. Prandaj eshte kerkuar edhe kufizimi ne dy mandate i km. Qe te mos behet mit. Po mitet ashtu sic krijohen ashtu bien. Sa ka investu ne imazhin e mitit Palloshi. Ja prishi algoritmi imazhin e mitit pastaj, keshtu thot ai.

    Përgjigjjuni
    1. V
      Vlonjati

      One dakord me komentin tuaj. Autori ngre një shqetësim të drejtë. Kur u referohet miteve e kulteve të vjetra pa diskutim që fjalën e ka për dy lidershipët e tranzicionit shqiptar, pa harruar diktatorin E. Hoxha. Në asnjë rast nuk është kundër lëvizjes, por tund një këmbanë alarmi që nesër pasnesër të mos zhgënjehemi edhe nga ata që mund të dalin.

      Përgjigjjuni

    Lini një Përgjigje