VIDEO/ Historiani Edon Qesari: Protesta mund të ndikojë te vota, por sheshi dhe zgjedhjet kanë logjika të ndryshme

10 Korrik 2026, 17:50Politika TEMA
VIDEO/ Historiani Edon Qesari: Protesta mund të ndikojë te vota, por

Historiani dhe studiuesi Edon Qesari vlerëson se vala aktuale e protestës në Shqipëri nuk do të kalojë pa pasoja politike, edhe pse mbetet ende e paqartë nëse energjia e sheshit mund të përkthehet në përfaqësim elektoral.

Në episodin e ardhshëm të podcast-it Apostrof nga Bjorn Runa, Qesari thotë se sa më gjatë të zgjasë kjo valë proteste dhe sa më shumë i afrohet vendi zgjedhjeve të ardhshme, aq më e vështirë do të jetë që sistemi politik ta injorojë ndikimin e saj.

“Sa më tej të çohet kjo valë në kohë, pra sa më shumë i afrohemi zgjedhjeve, kjo valë vazhdon me ulje-ngritjet e veta, sigurisht nuk do të jetë pa pasoja,” shprehet Qesari.

Sipas tij, votuesit nuk vendosin në një boshllëk politik. Zgjedhjet ndikohen nga ngjarjet, përshtypjet, kujtesa dhe emocionet që krijohen gjatë momenteve të caktuara politike.

“Ka njerëz të cilët reflektojnë në votën e tyre çfarëdolloj ngjarjeje. Diçka u bën përshtypje, diçka tjetër e kujtojnë dhe diçka tjetër e harrojnë,” thotë ai, duke shtuar se vota në ditën e zgjedhjeve diktohet shpesh nga këto përshtypje të grumbulluara.

Qesari argumenton se protesta ka prodhuar tashmë një ndryshim të dukshëm në gjuhën publike të politikës shqiptare. Sipas tij, edhe vetë Kryeministri Edi Rama, kundërshtari kryesor politik i protestës, ka ndryshuar mënyrën se si flet publikisht për të.

“Protesta ka bërë që të ndryshojë mendim dhe Kryeministri, për shembull, në lidhje me protestën,” shprehet Qesari. “Edhe ai që mund të konsiderohet armiku i madh i kësaj proteste, të paktën komunikimin e vet publik e ka ndryshuar.”

Për Qesarin, ndryshimi i fjalorit politik është një tregues se mund të krijojë kushte për ndryshim në perceptim dhe, në një moment të caktuar, edhe në sjellje elektorale.

“Ndryshimi i fjalorit, natyrisht, mund të prodhojë edhe ndryshim vote,” thotë ai.

Megjithatë, Qesari paralajmëron se nuk duhet supozuar automatikisht se energjia e protestës përkthehet në fuqi elektorale. Sipas tij, logjika e sheshit dhe logjika e zgjedhjeve nuk janë të njëjta.

“Ditën e zgjedhjeve dhe sidomos ditën pas zgjedhjeve nuk janë më mekanizmat që mund të vlejnë për të mbledhur njerëz në shesh. Janë mekanizmat që vlejnë për të mbledhur vota,” thekson ai.

Në këtë kuptim, sfida kryesore mbetet nëse uniteti i krijuar rreth protestës mund të shndërrohet në një subjekt politik, në organizim elektoral apo në një formë të re përfaqësimi.

“Votat përkthehen në subjekte elektorale, votat përkthehen në parti,” thotë Qesari, duke shtuar se nuk është ende e qartë “se sa uniteti përreth protestës arrin të përkthehet në diçka ndryshe.”

Episodi i ardhshëm me Edon Qesarin do të trajtojë më gjerë krizën e demokracisë liberale, rritjen e së djathtës nacionaliste-populiste, dështimin e së majtës për t’i folur dhimbjes sociale, rrezikun që zemërimi të kthehet në resentiment, si dhe pozitën e vendeve të vogla si Shqipëria në një botë gjithnjë e më të ashpër dhe transaksionale.

Biseda do të prekë gjithashtu edhe ndryshimet kulturore te brezat e rinj, rikthimin e fantazive konservatore rreth familjes, gjinisë dhe autoritetit, si dhe pyetjen se si mund të dukej një version shqiptar i valës së sotme të djathtë në Europë dhe SHBA.

Në qendër të diskutimit mbetet një pyetje: a mund të kthehet zemërimi në përfaqësim demokratik, apo rrezikon të kapet nga populizmi, nacionalizmi dhe mllefi anti-politik?

Episodi i plotë i Apostrof Podcast publikohet tëdielën, ora 17:00