Kur fjala bëhet kopaçe

10 Korrik 2026, 16:40Blog Nga Shpëtim Luku

Arjani, një shoku im, e kishte bërë zakon që sa herë ulesha për kafe në lokalin e tij, ta kthente bisedën tek gjërat që, sipas tij, nuk shkonin në këtë vend. Dhe, për shkak të profesionit tim, kritika e tij përfundonte pothuajse gjithmonë te media dhe gazetarët.

"Si është e mundur që, pa pasur asnjë fakt, X e akuzoi mbrëmë Y në emision për gjëra kaq të rënda?" – më thoshte shpesh, duke iu referuar rasteve të ndryshme.

Unë përpiqesha t'i relativizoja gjërat. "Punë emisionesh, punë gazetarësh shqiptarë", i thosha, më shumë për ta mbyllur bisedën sesa sepse e besoja vërtet.

Por ai nuk kënaqej kurrë me këtë përgjigje.

"Po mirë," – më tha një ditë, – "nëse ti e përdor profesionin tënd si kopaçe mbi të tjerët, pse unë nuk paskam të drejtë ta përdor grushtin tim mbi fytyrën tënde si kopaçen time?"

Më pa drejt e në sy dhe vazhdoi:

"Ti me kopaçen tënde, sipas mënyrës tënde. Unë me kopaçen time, sipas mënyrës sime. Të dy po dëmtojmë dikë. Ku është ndryshimi?"

Sigurisht që nuk isha dakord me krahasimin e tij. Fjala nuk është grusht dhe gazetaria nuk mund të krahasohet me dhunën fizike. Megjithatë, mënyra se si ai shprehte neverinë dhe revoltën ndaj gazetarëve që hedhin akuza të rënda pa prova, më bënte të mendoja shpesh për përgjegjësinë që mbart ky profesion.

Sepse gazetaria është një profesion që ndërton ose shkatërron. Mjafton një fjali e pavërtetë, një insinuatë, një akuzë e pambështetur dhe dëmi mund të jetë i parikuperueshëm. Dëmtohen njerëz, biznese, familje, reputacione të ndërtuara me vite.

Këto ditë, me fillimin e sezonit turistik, ka nisur edhe stina e "zjarreve" mbi lokalet, restorantet dhe hotelet shqiptare. Në rrjetet sociale dhe në media bombardohen me përshtypje negative, shpesh të shkëputura nga konteksti, të ekzagjeruara ose të motivuara nga interesa që nuk kanë lidhje me të vërtetën. Natyrisht që askush nuk kërkon të fshihen problemet. Ato duhen denoncuar. Por denoncimi nuk është shpifje dhe kritika nuk është linçim.

Problematika bëhet edhe më e madhe kur kësaj dukurie i bashkohen persona që mbajnë titullin gazetar. Ata përdorin hapësirën që u jep media jo për të informuar, por për të përcjellë paragjykimet, inatet apo dashakeqësinë e tyre personale, duke i veshur ato me petkun e gazetarisë.

Shembulli me Arjanin nuk kishte për qëllim të justifikonte reagimin e tij. Ai thjesht tregon pasojën. Kur gazetaria ushtrohet pa përgjegjësi, ajo nuk humbet vetëm besueshmërinë e saj. Ajo krijon tek njerëzit bindjen se fjala mund të përdoret si armë, njësoj si grushti. Dhe ky është ndoshta dëmi më i madh që m

1 Komente

  1. V
    Vjosa

    Bravo

    Përgjigjjuni

    Lini një Përgjigje