Nga Fatos Çoçoli
Koncertet e artistëve me famë botërore nuk janë vetëm ngjarje kulturore. Në dekadën e fundit, ato janë shndërruar në instrumente të rëndësishme të zhvillimit ekonomik, promovimit ndërkombëtar dhe turizmit të eventeve. Vende si Singapori, Emiratet e Bashkuara Arabe, Arabia Saudite, Hungaria apo Kroacia kanë investuar miliona euro për të tërhequr artistë të njohur, duke argumentuar se ndikimi ekonomik i përgjithshëm tejkalon ndjeshëm koston fillestare.
Në vitet e fundit, qytete si Londra, Parisi, Budapesti, Dubai, Singapori dhe Rijadi kanë investuar në organizimin e koncerteve të artistëve me famë botërore, duke i konsideruar ato jo vetëm si ngjarje kulturore, por edhe si mjete për të rritur konsumin, turizmin dhe promovimin ndërkombëtar.
Nëse koncerti i këngëtarit reper të njohur amerikan Kanye West në Kashar nesër, më 11 korrik 2026 zhvillohet sipas pritshmërive dhe tërheq një numër të konsiderueshëm vizitorësh nga rajoni dhe më gjerë, ai mund të shënojë hyrjen e Shqipërisë në tregun e turizmit të eventeve, një segment që në shumë vende gjeneron të ardhura të rëndësishme për ekonominë.
Sa vetë do marrin pjesë nesër në koncert?
Vizitorë nga jashtë Shqipërisë 12 000
Vizitorë nga Kosova 15 000
Vizitorë nga Maqedonia e Veriut 6 000
Vizitorë nga Mali i Zi 2 000
Publik nga Shqipëria 17 000
Totali(parashikim) 52 000
Çfarë është turizmi i eventeve?
Turizmi i eventeve përfshin udhëtimet që bëhen kryesisht për të marrë pjesë në koncerte ndërkombëtare, festivale, aktivitete sportive, panaire, kongrese dhe ekspozita. Në shumë vende evropiane, ky segment i turizmit konsiderohet ndër më fitimprurësit për ekonominë lokale.
Sprova e parë e turizmit të eventeve për ne ishte 25 maji i vitit 2022, kur u organizua në stadiumin “Arena Kombëtare” të Tiranës finalja e Ligës së Konferencës mes ekipeve Roma dhe Fejënord dhe kryeqyteti ynë pa ardhjen e mbi 19 mijë tifozëve italianë dhe hollandezë. Ekonomia jonë përfitoi mes 18-20 milionë euro nga kjo ngjaje, në shpenzime udhëtimi, transporti brenda vendit dhe qëndrimi.
Sa fitojmë nga Kanye West?
Shqipëria përfiton në disa drejtime.
Së pari, shtimi i turizmit. Një koncert me përmasa ndërkombëtare tërheq mijëra vizitorë nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Greqia, Italia dhe vende të tjera evropiane.
Vizitorët që qëndrojnë një ose më shumë net në Shqipëri konsumojnë shërbime hoteliere, restorante, transport, argëtim dhe tregti, duke krijuar të ardhura shtesë për ekonominë tonë.
Së dyti, një pjesëmarrje e lartë pritet të rrisë kërkesën për akomodim në Tiranë dhe zonat përreth. Përfituesit kryesorë janë hotelet, apartamentet turistike, bujtinat dhe platformat e akomodimit afatshkurtër (AirBnB, etj.). Një rritje e zënies së kapaciteteve edhe për pak ditë mund të ndikojë pozitivisht në të ardhurat e sektorit.
Së treti, mijëra vizitorë konsumojnë ushqim dhe pije para dhe pas koncertit. Kjo krijon qarkullim shtesë për restorantet, fast-food-et, baret, kafenetë dhe bizneset e kateringut.
Shpenzimet mesatare të vizitorëve të huaj
Hotel 100 euro
Restorante 70 euro
Transport 80 euro
Blerje 90 euro
Argëtim 60 euro
Totali 400 euro
Së katërti, kemi përfitime për transportin. Evente të tilla rrisin aktivitetin ekonomik të Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës, kompanive të autobusëve, shërbimeve të taksive, makinave me qira dhe operatorëve të transportit urban.
Së pesti, do të kemi shtim të shitjeve në tregti. Vizitorët zakonisht blejnë suvenire, produkte artizanale, veshje, produkte ushqimore dhe pajisje elektronike. Kjo sjell qarkullim më të lartë për bizneset tona tregtare.
Së gjashti, fitojmë në punësim të përkohshëm. Organizimi i një koncerti të këtyre përmasave kërkon angazhimin e qindra punonjësve në siguri private, logjistikë, montim dhe çmontim të skenës, ndriçim, audio dhe video, pastrim, shërbime teknike dhe katering. Këto vende pune, edhe pse të përkohshme, gjenerojnë të ardhura shtesë për shumë qytetarë.
Përfitimet për sektorët ekonomikë
Sektori Vlerësim orientues
Hotele 6.5 milionë €
Restorante 4 milionë €
Transport 2.8 milionë €
Tregti 3.2 milionë €
Taksi 900 000 €
Karburante 700 000 €
Shërbime të tjera 2.5 milionë €
Totali 20.6 milionë €
Përfitimi kryesor padyshim është promovimi ndërkombëtar i Shqipërisë. Një koncert i një artisti me famë botërore tërheq vëmendjen e mediave ndërkombëtare dhe të rrjeteve sociale në mbarë botën.
Nëse Shqipëria paraqitet pozitivisht gjatë organizimit të eventit, kjo ndikon në rritjen e njohjes së vendit si destinacion turistik, në tërheqjen e turistëve të rinj dhe shton interesin e organizatorëve për evente të tjera ndërkombëtare. “Sheh rrushi rrushin dhe piqet”, thotë populli ynë. Ky është një përfitim afatgjatë, i cili nuk matet lehtë në shifra, por mund të ketë ndikim të rëndësishëm në imazhin e vendit.
Nëse koncerti organizohet me standarde të larta, Shqipëria krijon reputacion, si destinacion për festivale muzikore, koncerte ndërkombëtare, aktivitete sportive, panaire, kongrese dhe konferenca. Kjo do të kontribuonte në zgjerimin e sezonit turistik, përtej muajve tradicionalë të verës.
Bojkotoni koncertin. ashte tu boshatise arkan e shtetit , e she se nuk e ka te gjate hajduti, ato pare te shkonin per pensjone , o spitale , hajdute pa limit i dhjefshit gjak AMEN.