Festivali “Kabaja Myzeqare” u zhvillua për të 6 vit radhazi në Krutje të Lushnjës, duke rikthyer në vëmendje një prej trashëgimive më të pasura të zonës së Myzeqesë. Idajet Shpëtënja, nga Dimali i qarkut Berat, prej 40 vjetësh performon në klarinetë. Ai tregon se nuk e ka hequr asnjëherë klarinetën nga dora duke marrë pjesë në dhjetëra festivale.
“Sidomos kur bëhen këto festivale, mini festivale, është shumë mirë që organizohen se mbajnë traditën gjallë. Njerëzit i duan këto gjëra se janë rritur me këto dhe është gjë e bukur”, u shpreh Idajet Shtëpënja.
Rreth 100 pjesëmarrës morën pjesë në takimin e Sazeve popullore nga zona të ndryshëm. Sipas organizatorëve numri i pjesëmarrësve rritet çdo vit, duke bërë pjesë të këtij emocioni edhe brezin e ri.
“Mesazhi është që të përcjellim traditën tonë myzeqare edhe muzikën tonë te të rinjtë dhe duket që ka interes akoma. Kemi të gjitha ato grupe nga Belçi, nga Kozarja, nga ura Vajgurore, Dimali”, tha Albert Kajno, Udhëheqës artistik.
Kabaja myzeqare është muzikë vaji, por që me kalimin e disa dekadave asaj i janë veshur elemente artistike gëzimi dhe ritmike. Grupet artistike që interpretojnë muzikë të ndryshme të kabasë, janë pjesëmarrës te festivaleve të ndryshme në Shqipëri dhe jashtë saj, me qellim ruajtjen dhe përçimin e kësaj tradite brezave që vijnë. A.K./TemA
Lini një Përgjigje