Përmbyllet edicioni i ''II'' i Travel Fast Albania

8 Korrik 2023, 13:11Kulturë TEMA

Përmbyllet edicioni i ''II'' i Travel Fast Albania

Edicioni i "II" i Travel Fast Albania, u përmbyll mbrëmjen e djeshme, duke ia tejkaluar emocioneve dhe suksesit të edicionit të parë.


22 autorë nga 50 autorë pjesëmarrës të huaj, si dhe 6 fotografë të talentuar, u shpërblyen për punën e tyre krijuese e ndërgjegjësuese.


Në Amfiteatrin e Tiranës, ku edhe nisi rrugëtimi i tyre për të folur vizualisht për historinë, natyrën, mjedisin dhe ekologjinë, e shumë tema të tjera që prekin drejtpërdrejt njeriun.


Ishte juria profesioniste në fusha të ndryshme, ajo që i mirëpriti këta turistë të etur jo vetëm për art, por edhe për histori e kulturë.


Çmimi për "Fotografinë më të mirë" shkoi për Michael Stoeger me "Wintery Skies".


"Faleminderit shumë! Kjo nuk ndodh çdo ditë! Jam i lumtur që jam ketu dhe i prekur shumë për këtë çmim. Për këtë foto do thoja është realizuar në Jug të Australisë. Shtëpia jonë e vërtetë, është Universi. E di këtë që fëmijë, ndonëse kur rritesh shpesh e harron këtë gjë", - u shpreh Michael Stoeger.


Çmimi për "Filmin më të Mirë", shkoi për Julien Guéraud me "Quest for Silence"; film ky për zhurmat e jetës dhe betejat me to.


"Ky është çmim shumë i rëndësishëm për mua, sepse nuk do e mendoja kurrë përpara pesë vitesh, ndërsa punoja në dhomën time të vogël, se do ta fitoja. Jam shumë i lumtur që ndodhem këtu në këtë vend të bukur si Shqipëria, me njerëz të mrekullueshëm", - u shpreh Julien.


Çmimi nga vetë organizatorët e Travel Fest Festival, iu dha Mikael Kyster për dokumentarin e shkurtër e komik "The Kyster Family in Albania".


Në këtë festival, nuk munguan videocall-et nga  autorët e mos pranishëm dhe një prej tyre ishte edhe ajo e Mikaelit.


Ai i mëshoi me përshëndetjen e tij, të njëjtës shprehi të veçuar nga produksioni i tij, se "Çmimi i vërtetë nuk është një trofe, por njerëzit që gjithkush takon rrugës", duke iu referuar kështu eksperiencës së kaluar në Travel Fest Albania.


Ndërsa përshtypjet për bukurinë dhe vlerat e Shqipërisë, veçse artikuloheshin nga një çmim në tjetër, nga një autor në tjetër, pati edhe lëvdata nga pjestarët e jurisë; të gjithë u bënë bashkë jo vetëm për organizimin në përmasa të mëdha, por mbi të gjitha për cilësinë e origjinalitetin e filmave konkurrues.


"Jam befasuar! Kam parë disa dokumentarë shumë interesantë për nga ndërtimi, struktura dhe filozofi shumë të thjeshta. Kam parë shumë pak fryrje, modele tipike...", - u shpreh Ermal Hasimja, ndërsa shtoi në nota humori: "E sigurt, vitin tjetër do të jem edhe unë konkurrues".


Çmimi për kategorinë "Mjedisi dhe Ekologjia" shkoi për regjisorin Karsten de Vreugd me "Paved Paradise".


"Një falenderim i veçantë shkon për vullnetarët e këtij festivali, që kanë punuar fort për realizimin, si dhe njerëzit pas kamerave. Pa ta, nuk jemi asgjë", - tha de Vreugd.


Prej datës 3 deri më 7 Korrik, 112 filma u transmetuan në Tiranë, Durrës e Gjirokastër. Interesi i një audience të gjerë u zgjua pikërisht nga tematikat e trajtuara dhe qasja kreative.

Lini një Përgjigje