Pierre Cabanes, miku i shqiptarëve

4 Korrik 2023, 22:06Kulturë TEMA

Pierre Cabanes, miku i shqiptarëve

Nga Skënder Gjinushi*

Jeta e veprimtaria e prof. Pierre Cabanes, janë të lidhura ngushtë me Shqipërinë veçanërisht me Akademinë tonë të Shkencave.

Që në vitet e hershme të kësaj Akademie ai vizitoi Shqipërinë, i ftuar nga kryetari i saj, prof. Aleks Buda, në kuadër të përgatitjes së doktoraturës së tij, të botuar më 1976 me titullin “Epiri që nga vdekja e Pirros deri në pushtimin romak”. Në frazat e thjeshta të mirënjohjes për mikpritjen që gjeti në ambientin frankofon të Akademisë dhe të Sektorit të atëhershëm të Arkeologjisë, u përvijua në fakt i gjithë projekti i ardhshëm studimor i Pierre Cabanes, i cili pa tek zhvillimi i vrullshëm i kërkimeve arkeologjike një burimm të ri për të ndriçuar problemet e historisë së Epirit dhe Ilirisë së Jugut, të paraqitura në punën për doktoraturën e tij.

Kjo jo vetëm si një burim të dhënash, por kryesisht në ndërtimin e një pune ekipi, ku problematika do të përballohej njëherazi nga arkeologët  e terrenit, historianët e antikitetit, epigrafistët, numizmatët, gjuhëtarët, apo antropologët.

Tirana me Selim Islamin, Skënder Anamalin, Muzafer Korkutin, Faik Drinin dhe Janina e Sotiris Dakaris dhe Julia Vokotopulu përbënin në atë kohë dy pole të intensitetit të kërkimeve ilir-epirote, të cilave prof. Cabanes i shtoi Universitetin e Clermont-Ferrand, duke krijuar një trekëndësh në zhvillimin bashkëkohor të këtyre kërkimeve. Në veprimtarinë prej pesë dekadash të këtij bashkëpunimi të motivuar nga largpamësia e prof. Aleks Budës, poliedrizmi i Pierre Cabanes dhe energjia e një gjenerate të shkëlqyer studiuesish shqiptarë, grekë dhe francezë d të theksonim tre kontributet themelore.

Së pari, organizimi i një diskutimi dhe debati të kronometruar përmes zhvillimit të gjashtë kolokiumeve mbi Epirin dhe Ilirinë e Jugut në Antikitet, që nisën më 1984 dhe 1990 në Clermont-Ferrand, dhe që vazhduan më pas në Chantilly, Grenoble dhe në Tiranë.

Nëntë vëllimet e akteve të këtyre tubimeve janë, pa dyshim, thesari më i madh i dijes mbi historinë e lashtë dhe arkeologjinë e Ilirisë së Jugut dhe Epirit, i krijuar në këto katër dekadat e fundit.

Së dyti, rëndësia e një metodologjie të re në mënyrën se si do të trajtoheshin problemet e historisë antike në një areal periferik të Botës Helenistike dhe provinciale romake, ku burimet e shkruara ndriçonin dobët qytetërime të paragjykuara si barbare dhe të akulturuara. Zhvillimi programatik i kërkimeve arkeologjike në qendrat urbane ilire dhe epirote, por edhe zgjerimi i tyre në problematikën e prejardhjes dhe trashëgimisë së qytetërimit ilir-epirot, ka përbërë laboratorin e kësaj metodologjie, sipas së cilës hsitoria antike mund të shkruhet vetëm në një përballim analitik të të dhënave të autorëve antike dhe të rezultateve të kërkimeve arkeologjike. Zbatimi programatik i kësaj metodologjie ka krijuar njëkohësisht skenografinë materiale të atij qytetërimi përmes gërmimeve shumëvjeçare në Antigone, Bylis, Amantia, Dimal, Olympe, Zgërdhesh, Lezhë, Shkodër, etj.

Së treti, është formimi i familjes së madhe, kryesisht frankofone të gjeneratës së re të studiuesve të Antikitetit Ilir- Epirot  përmes një programi të hartuar në Clermont Ferrand dhe të mbështetur me shumë pasion në Tiranë, Janinë dhe Prishtinë. Duke qenë një program pune dhe jo thjeshtë specializimesh, ky program pati si rrezultat përgatitjen për shtyp dhe botimin e pesë vëllimeve të mbishkrimeve antike në gjuhën greke të Shqipërisë nën drejtimin e prof. Cabanes dhe me kontributin e Faik Drinit dhe Neritan Cekës, një vepër monumentale, nga ato që vijnë vetëm një herë në shekull. Pjesë e rëndësishme e këtij programi kanë qenë ekspeditat e përbashkëta arkeologjike në Apolloni dhe në Ulpianë, duke ripërtrirë traditën e bashkëpunimit franko-shqiptar të themeluar nga Leon Rey dhe Hasan Ceka dhe duke krijuar një shkollë të mirëfilltë të përgatitjes së brezit të ri të arkeologëve shqiptarë.

Janë këto merita, që na dhanë privilegjin t’i akordonim prof. Pierre Cabanes titullin “Nderi i Akademisë së Shkencave” gjatë pjesëmarrjes së tij në Konferencën e Studimeve Albanologjike dy vjet më parë. Personalisht, kujtoj në keto çaste përshtypjet e veçanta nga bisedat që pata atëkohë me dijetarin jashtëzakonisht modest dhe njëkohësisht olimpik në dimensionin e tij shkencor dhe njerëzor. Referati i tij në hapje të punimeve të konferencës, i botuar në aktet e saj, është jo vetëm një kumtim shkencor, por edhe një program i ri pune për drejtimet themelore që duhet të ndjekin në ditët e sotme kërkimet në fushën e antikitetit ilir-epirot.

Jam i sigurtë që vepra dhe modeli i tij, i studiuesit dhe njeriut, do të mbeten për dekada pjesë e fondit themelor të studimeve albanologjike.

Do të dëshiroja të citoja në fund të kësaj fjale edhe diçka nga letra e falenderimit, të djalit të prof. Cabanes, Bruno Cabanes, në përgjigje të letrës ngushëlluese, dërguar nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, për ndarjen nga jeta të babait të tij:

"Dans la dernière semaine de sa vie, j’ai eu la chance de pouvoir discuter longuement avec lui. Il avait une immense gratitude pour la générosité, l’accueil, l’hospitalité de ses nombreux amis albanais et il était très fier du travail accompli avec eux pendant des années"

Faleminderit për gjithshka që ke bërë për shkencën dhe Shqipërinë prof. Cabanes!

*Kryetar i Akademisë së Shkencave

Lini një Përgjigje