Në pranverë të vitit 1922, artisti rus Nikolay Andreev ia vizatoi një skicë portret Stalinit, i cili në atë kohë ish pjesë e udhëheqjes bolshevike, nën Leninin.
Stalinit skica nuk i pëlqeu dhe, aty për aty, shkroi me laps të kuq pjerrët në portret: “Ky vesh tregon se artisti nuk e njeh anatominë. Veshi ulërin, e fyen rëndë anatominë. J. Stalin.”
Megjithatë, portreti – ashtu i autografuar nga subjekti i vet – mbeti i ekspozuar në galerinë Tretiakov gjatë gjithë periudhës kur Stalini ishte në pushtet, deri në vdekjen e tij në 1953.
Për mua, është një nga ato raste të ralla kur një vepër arti e përfshin kritikën e vet në trup, duke ardhur në formë të një dialogu mes autorit dhe subjektit – ky i fundit tanimë edhe në rolin e vlerësuesit kritik.
Stalini mund ta kish zhdukur portretin dhe portretistin, por preferoi të ruante imazhin e një lideri që i tërhiqte artistët vizualë që në vitin 1922, kur nuk ish absolutizuar ende.
E ruajtur në një galeri arti të rëndësishme, skica e Andreevit u tregonte vizitorëve edhe se në Bashkimin Sovjetik dështimi në art nuk çonte doemos në censurë – siç dëshmonte, tërthorazi, ndjeshmëritë e shumëfishta të diktatorit Stalin.
Kjo ishte hera e parë kur Stalinin e vizatonin – dhe vetëm tri javë pasi ishte zgjedhur Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Bolshevike. Thuhet se liderit nuk i kish pëlqyer jo për veshin e përçudnuar, por ngaqë vizatuesi e kish nxjerrë të vrarë lie.
Komentuesit më pas, edhe ata të galerisë Tretiakov, theksonin se “nënshkrimi i Josif Visarionoviçit në vizatim lë të kuptohet se i kish pëlqyer”. Me të drejtë, i jepnin më shumë peshë performativit autografik, se përmbajtjes së tekstit të shkruar.
I pari tregonte vëmendje dhe vetvetiu vlerësim; i dyti thjesht shpirtmadhësinë e subjektit të vizatuar.[1]
Një vepër e autografuar nga Stalini e kish pothuajse të garantuar shkëlqimin.
Ilustrimi në krye është krijuar me AI, dhe atje kam guxuar t’ia rikthej skicës së Andreevit virgjërinë e humbur, për t’ia mundësuar lexuesit që ta shohë siç e pat parë vetë master-autografuesi dikur.
(c) 2026 Ardian Vehbiu. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Botohet me leje te TemA.
[1] Informacionin për këtë skicë e kam nxjerrë kryesisht nga Jan Plamper, The Stalin Cult, A Study in the Alchemy of Power, Copyright © 2012 by Yale University and the Board of Trustees of the Leland Stanford Jr. University. Komentet janë të miat.
Ne shqiptarët duhet t'i braktisim ruset, iu ka s'kaduar afati.