45-vjetori i Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar, në Korçë, u kremtua me një aktivitet të përgatitur enkas me këtë rast, ku u ngritën lart vlerat e këtij institucioni me rëndësi, por edhe u nderuan të gjithë ata që kanë dhënë kontribut në formësimin e tij.
Në një komunimin me ATSH, me rastin e këtij përvjetori, drejtorja e muzeut, Fjoralba Prifti, shprehu falenderimet për kontributin e jashtëzakonshëm që ka dhënë në çeljen e muzeut arkitekti dhe akademiku, Pirro Thomo, i pranishëm në aktivitet.
“Falenderues për përkushtimin e jashtëzakonshëm të të gjithë punonjësve të cilët, megjithëse në kohë të vështira ditën të ruajnë vlera dhe ta mbajnë muzeun si një institucion të konsoliduar dhe me të gjitha standardet”, është shprehur Fjoralba Prifti.
Më tutje drejtoresha e MKAM ka shpërndarë certifikata vlerësimi mbi punën me përkushtim përgjatë këtyre viteve, për: Tatiana Vinjau Caca, Avni Bilbili, Franklin Xega, Lorenc Gliozheni, Koço Ristani, Franklin Xega, etj.
Prifti falenderoi gjithashtu të gjitha komunitetet fetare e veçanërisht klerin ortodoks, për mbështetjen e jashtëzakonshme ndër vite.
“Falenderues dhe mirënjohës ndaj të gjithë miqve të muzeut, dashamirësve, qytetarëve të Korçës, që krijuan ndër shekuj, ditën t’i mbronin dhe të ekspozojnë me dinjitet trashëgiminë tonë kulturore, thesaret e paçmuara, dhe të ecim përkrah partnerëve tanë evropianë dhe botërorë”, deklaroi drejtuesja e MKAM, e cila nuk la pa përmendur edhe emra të tjerë të nderuar që kontribuan në ndërtimin e këtij muzeu si Andromaqi Gjergji, Anastas Kondo, Dhorka Dhamo, Luan Omari, Skënder Anamali, etj.
Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar hapi dyert dhe u strehua pikërisht nën kupolën e një prej kishave kryesore të qytetit të Korçës, kishës së “Burimit Jetëdhënës”, me 26 prill të vitit 1980, në një kohë kur lufta kundrejt fesë, besimit fetar dhe objekteve të kultit ishin në rend të ditës, gjatë diktaturës.
Ishte edhe falë këtij muzeu që në njëfarë mënyre u mbajtën në jetë vlera të paçmueshme historike dhe artistike, të cilat janë dëshmi e traditave dhe kulturës së popullit tonë.
Sot Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar ruan, konservon dhe ekspozon numrin më të lartë në botë të veprave ikonografike, duke përçuar kështu njohuri mbi të kaluarën, besimin, jetën e komuniteteve dhe proklamuar trashëgiminë tonë kulturore.
Drejtoresha e institucionit rrëfeu për ATSH-në fazat nëpër të cilat ka kaluar MKAM gjatë krijimit të tij. Etapa e parë i përket periudhës pas 1967-ës, kur filloi grumbullimi i veprave ikonike. Bëhet fjalë për rreth 6000 ikona, të cilat janë me origjinë kryesisht nga rajoni i Korçës si edhe prurja e një pjese të konsiderueshme nga Tirana (rreth 60 ikona), me origjinë nga gjithë Shqipëria, të shpëtuara në emër të Trashëgimisë Kulturore nga shkatërrimi ateist – komunist. Këto vepra u shpëtuan nga heronj si Theofan Popa.
“Korça u zgjodh jo pa qëllim për ekspozimin e kësaj trashegimie të madhe kulturore, pasi jo vetëm që ka qenë një rajon i pasur përgjatë gjithë historisë, por edhe ka ditur të mbrojë dhe të zhvillohet në të gjitha fushat”, tha Fjoralba Prifti.
MKAM, ishte i pari muze i cili u çel me status kombëtar dhe me përmasa kaq të mëdha, i përbërë prej dy departamentesh të rëndësishëm siç ishte ekspozita muzeale dhe Qendra e Restaurimit të Ikonave, e përbërë nga specilalistë të afirmuar, të cilët e zhvilluan dhe mbajtën gjallë aktivitetin dhe realizuan qëllimin kryesor të një muzeu, përcjelljen dhe njohjen e gjerë me trashëgiminë kulturore.
Pas rënies së diktaturës, MKAM kaloi shumë vështirësi si çdo sektor tjetër, por arriti t’ia dalë falë punonjësve të përkushtuar, si dhe qytetarëve të Korçës të cilët kanë qenë në cdo moment përkrahës, vlerësues dhe mbrojtës të kësaj pasurie.
Prej vitit 2016, Muzeu Kombetar i Artit Mesjetar ndodhet në një ndërtesë bashkëkohore, me të gjitha parametrat e duhur, për një ekspozim dhe konservim ideal të këtyre vlerave të paçmueshme. Ky muze tashmë është krenari kombëtare dhe ecën përkrah çdo muzeu me të gjitha standardet në Evropë dhe botë.
Arti Mesjetar reflektohet në harmoni me arkitekturën moderne. Mbizotërojnë ngjyrat bizantine, njëkohësisht dhe mistika e një bote tjetër, duke e sjellë eksperiencën në muze krejt të veçantë dhe mbresëlënëse.
/atsh/
Nje shtet I pa fe qe po lepin cdo pllake dhe gur mos dal ndonje vote.