Eurovizioni 2025 solli për Shqipërinë një prej përfaqësimeve më unike dhe më të guximshme në historinë e saj: Shkodra Elektronike me këngën “Zjerm”, një kombinim i identitetit shqiptar me tingujt modernë të muzikës elektronike.
Por më shumë sesa një këngë, Shqipëria në këtë edicion prezantoi një zë të fortë dhe drithërues. Një frymë ndryshe, që bëri bashkë jo vetëm shqiptarët brenda vendit, por edhe ata që jetojnë në çdo cep të botës. Një mbështetje të tillë e kishim parë dhe përjetuar vetëm kur kombëtarja e futbollit luan në arenën ndërkombëtare.
Me mijëra mesazhe dhe shprehje solidariteti u bënë bashkë si një buqetë e madhe për Beatriçe Gjergjin dhe Kolë Lacën.
Pritshmëritë ishin të larta që në fillim, ashtu siç ishin edhe parashikimet e fansave apo medieve prestigjioze ndërkombëtare, pasi “Zjerm” fitoi zemrat e publikut europian menjëherë pas shfaqjes në skenë.
Stili i Beatriçes dhe Kolës, fuqia e interpretimit dhe e autenticiteti artistik ishin elementet që krijuan një lidhje të menjëhershme me audiencën. Publiku tregoi se arti nuk njeh kufij politikë. Me plot 173 pikë nga televotimi, Shqipëria u rendit mes këngëve më të pëlqyera të Europës, duke u ngjitur në vendin e 8-të në klasifikimin final të Eurovizionit.
Ishte një moment krenarie dhe emocion i fortë për të gjithë ata që e ndjenë këtë këngë si të tyren.
Reagimet pas finales ishin të shumta. Artistë shqiptarë, kritikë dhe publikë, shprehën zhgënjimin e tyre për mënyrën se si juritë anashkaluan një përfaqësim kaq dinjitoz, por theksuan edhe njëherë fuqinë e vërtetë të publikut – të vetmit gjykatës të sinqertë në një kompeticion që shpesh kalon përtej muzikës.
Shkodra Elektronike nuk fitoi trofeun, por fitoi diçka shumë më të madhe: dashurinë, respektin dhe krenarinë e një kombi të tërë, që u bënë bashkë për “Zjerm”.
/RTSH/
Lini një Përgjigje