Rama: Rinisin kërkimet në kalanë e Gjirokastrës, synohet zbardhja e fazave të hershme të ndërtimit (FOTOT)

2 Korrik 2025, 18:52Kulturë TEMA
Rama: Rinisin kërkimet në kalanë e Gjirokastrës, synohet

Kalaja e Gjirokastrës është atraksioni kryesor i qytetit të gurtë, falë vlerave historike dhe arkitektonike.

Për të zbardhur fazat e hershme të ndërtimit në këtë kala, pas më shumë se 30 vitesh kanë rifilluar gërmimet arkeologjike.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale momente nga puna e arkeologëve në destinacionin më të preferuar për t’u vizituar nga grupet turistike vendase dhe të huaja përgjatë guidave dhe udhëtimeve të tyre në Gjirokastër.

“Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore dhe DRTK Gjirokastër janë në ditën e tretë të punimeve, të cilat do të vijojnë gjatë gjithë korrikut. Synimi është zbardhja e fazave të hershme të ndërtimit, me zbulimet e para që përfshijnë gjurmë të një kulle nga Antikiteti i Vonë (shek. V–VI pas Kr.) dhe materiale të tjera të rëndësishme, që dokumentohen për herë të parë”, theksoi Rama.

Kalaja e Gjirokastrës ndodhet e vendosur mbi një kodër pak të shkëputur nga Mali i Gjerë, e ngritur në një pikë vrojtuese rreth 370 m mbi nivelin e detit. Krahasuar me kalatë mesjetare të tjera të vendit, kjo kala është më e vogël nga sipërfaqja dhe ruhet në gjendje më të mirë. Gjerësia e saj është 75 m dhe gjatësia 500 m. Për t’u shtuar rezistencën mureve të kalasë janë ngritur pesë kulla të fuqishme, shkruan atsh.

Që në hyrje të kështjellës gjendet galeria e topave dhe një koleksion i armëve që janë mbledhur që nga fillimet e përdorimit të tyre e deri në Luftën e Parë dhe të Dytë Botërore.

Lini një Përgjigje