"Me datë 25 tetor 2024, Biblioteka e Qytetit të Shkodrës “Marin Barleti” vlerësoi me çmimin “Koliqi” dy shkrimtarë, Ridvan Dibrën dhe Andreas Dushin, autorë të shtëpisë botuese “Onufri”.
Ridvan Dibra me motivacionin “Për kontributin e çmuar jetësor në krijimin dhe receptimin e letërsisë shqipe të pas viteve ’90 si shkrimtari që ndau periudhat, duke sugjeruar një letërsi tjetër, të shkëputur përfundimisht nga ideologjitë dhe kurthet njëkahëshe të totalitarizmit, nëpërmjet një mendësie të re artistike, estetike dhe të problematikave, me në thelb idenë e lirisë dhe kufijve të parrokshëm të saj.”
Andreas Dushi me motivacionin: “Për kontributin e veçantë në krijimin dhe receptimin e letërsisë së re shqipe nëpërmjet elaborimit në nivel të lartë estetik të temave të absurdit si dhe për qasjen ndaj realitetit të sotëm dhe atij të shkuar duke ndërthurur me talent dhe autenticitet epiken me postmodernen.”- shkruhet në komunikatën e "Onufrit". A.K./TemA
Lini një Përgjigje