Sarandë/ Parku i fëmijëve merr emrin e Daniela Silvestrinit

27 Nëntor 2025, 08:29Kulturë TEMA
Sarandë/ Parku i fëmijëve merr emrin e Daniela Silvestrinit

Parku i fëmijëve në Lagjen “Kodër” të Sarandës tashmë mban emrin e humanistes italiane, Motër Daniela Silvestrini, në shenjë mirënjohjeje për 30 vite shërbim dhe kontribut në krye të Qendrës Sociale të Motrave Marcelina, një qendër humanitare me lidhje kishtare.

Gjatë ceremonisë së emërtimit, ipeshkvi Xhovani Peraxhi theksoi se ky akt është më shumë se një homazh, është një mesazh kulturor, edukativ dhe shpirtëror për komunitetin.

Nënkryetari i Bashkisë Sarandë, Florjan Sali, u shpreh se emri i Motër Danielës mban gjallë veprën dhe përkushtimin e saj të gjatë. Edhe konsulli i përgjithshëm i Italisë në Vlorë, Achille Provenzano, vlerësoi ndikimin e Qendrës Sociale në kujtesën kolektive të zonës.

Kontributi 30-vjeçar i Qendrës Sociale u përshëndet edhe nga qytetarë të ndryshëm, ndërsa në nderim të Motër Danielës u mbajt një meshë e posaçme me pjesëmarrje të gjerë nga Saranda dhe Konispoli.

Emri i saj, i gdhendur në hyrje të parkut, do t’u kujtojë brezave të rinj rëndësinë e mirësisë, përkujdesjes dhe dashurisë së pakushtëzuar së humanistes italiane.

Më shumë se një hapësirë lojërash, Parku “Motër Daniela” kthehet kështu në një simbol të mirënjohjes dhe vlerave njerëzore, të padiskutueshme për çdo njeri. A.K./TemA

Lini një Përgjigje