“Culture Moves Europe”/ Creative Europe zhvillon sesion informues

26 Nëntor 2025, 12:24Kulturë TEMA
“Culture Moves Europe”/ Creative Europe zhvillon sesion informues

 Creative Europe Desk Albania zhvilloi në ambientet e Europe House një sesion të dedikuar informues mbi thirrjen Culture Moves Europe, një program i rëndësishëm i Bashkimit Evropian që mbështet mobilitetin artistik, rezidencat krijuese dhe bashkëpunimet ndërkulturore në mbarë Evropën.

Ky aktivitet u realizua në kuadër të projektit “Creative Europe Desk Albania 2025-2027”, i cili bashkëfinancohet nga Bashkimi Evropian dhe drejtohet e zbatohet nga Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, me qëllim forcimin e kapaciteteve të organizatave kulturore shqiptare dhe krijimin e urave të reja të bashkëpunimit ndërkombëtar.

Gjatë sesionit, pjesëmarrësit, artistë të rinj, profesionistë të kulturës, organizata dhe hapësira kulturore u informuan në detaje mbi: mënyrën e funksionimit të skemës Culture Moves Europe; kategoritë e aplikimit, që përfshijnë Mobilitetin Individual dhe Rezidencat Artistike; kriteret e përzgjedhjes dhe profilin e aplikantëve të pranueshëm; udhëzimet praktike për përgatitjen e një aplikimi konkurrues.

Në fund të prezantimit, u zhvillua një sesion i hapur pyetje-përgjigje, ku pjesëmarrësit morën këshillim të drejtpërdrejtë mbi idetë e tyre të projekteve dhe mundësitë për të përfituar nga programet e lëvizshmërisë dhe ato kulturore të finacuara nga Bashkimi Evropian.

Ky aktivitet synon të nxisë rritjen profesionale të komunitetit kreativ në Shqipëri, të fuqizojë qarkullimin e artistëve shqiptarë në skenën evropiane dhe të promovojë projekte inovative që kontribuojnë në zhvillimin kulturor të vendit.

Për më shumë informacione mbi thirrjet e programit Evropa Krijuese dhe programe të tjera, Creative Europe Desk Albania mbetet i hapur për këshillim dhe asistencë teknike për të gjithë të interesuarit në projektet e ardhshme. A.K./TemA

Lini një Përgjigje