Mjeshtri i pianos dhe orkestrimit, Robert Radoja, një prej figurave më të rëndësishme të muzikës shqiptare, gjatë një rrëfimi të veçantë për lidhjen e tij me Shkodrën ndalet te ndikimi i këtij qyteti në jetën artistike të vendit.
“Është bërë një koncert i madh në ’48 në Shkodër që nuk e përmend askush. Aty ka qenë një ndër koret më të mira të botës, një kor kroat. Opera e parë u bë nga Prenk Jakova në Shkodër. E kishin hapur rrugën të tjerë para tij, mësuesit e tij. Tentativat për opera janë bërë që në vitet 1912-ën”, tha mjeshtri Radoja.
Ai sjell në vëmendje traditën e orkestrës shkodrane dhe rolin që artistët e saj patën në themelimin të operës së parë shqiptare, duke e pasuruar kështu me muzikë jetën e përditshme.
Pas përfundimit të studimeve të larta në vitin 1966, ai nisi aktivitetin në Tiranë, por jo pa sfida të vështira.
“Pasi mbarova shkollën, më emëruan në Pukë. Një burrë i dashur, kishte dhe simpati për mua, Pirro Papalilo ndërhyri deri lart dhe më mbajti në Tiranë”, tregon mjeshtri.
Sot, pas dekadave të krijimtarisë, ai jeton më qetë dhe shikon me mirënjohje rrugën artistike që ka përshkuar, nga vitet e hershme e deri te aktiviteti i dendur profesional që e shoqëroi për gati një jetë të tërë.
“Deri para 4–5 vitesh e kam pasur mjaft të ndejshëm aktivitetin, por pak mosha, pak dhe gjendja fizike, tani më shumë mendoj se çfarë kam thënë dhe kujtoj gjërat e bukura”, tha mjeshtri.
Robert Radoja mbetet një prej emrave që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në muzikën shqiptare, pianist i shkëlqyer, orkestrator mjeshtër dhe pedagog që ka edukuar breza të tërë artistësh.
A.K./TemA
Lini një Përgjigje