“Kënga e Mjellmës”/ Vjen në TKOB Franz Schubert

25 Nëntor 2025, 08:29Kulturë TEMA
“Kënga e Mjellmës”/ Vjen në TKOB Franz Schubert

 Krijimi i fundit artistik i Franz Schubert është Kënga e Mjellmës, një nga ciklet më prekëse të tij, kompozuar në 1828, pak muaj para ndarjes nga jeta. Ai erdhi këtë fundjavë për të gjithë të pranishmit në TKOB.

“Mendoj se titulli Kënga e Mjellmës lidhet me idenë që mendohet se mjellma ka një këngë të fundit që ‘e këndon’ para se të vdesë’, u shpreh pianistja Etrita Ibrahimi.

Cikli përbëhet nga 14 lide që shënuan kulmin e krijimtarisë së Shubert, si drita e fundit që kompozitori i madh i la botës. Këto kompozime, në qendër të të cilave është një dashuri e pamundur, vijnë premierë në skenën e Teatrit të Operas dhe Baletit të martën në mbrëmje nën interpretimin e baritonit Artur Vera dhe pianistes Etrita Ibrahimi.

“Ndryshe nga ciklet e tjera të Shubertit që kanë vetëm një poet, këtu ka një ndarje të poezive. Shtatë të parat janë të Rellstab dhe tregojnë nostalgjinë e dashurisë së personazhit kryesor. Ndërsa shtatë të tjera nga Heine tregojnë për humbjen e dashurisë së personazhit. Janë dy gjendje të ndryshme të personazhit, të cilat ndihen në mënyrën se si vetë Shuberti e ka shkruar muzikën”, tha Ibrahimi.

Në skenën e Operas do të jehojë edhe Serenata e njohur e Schubert, një nga krijimet më poetike dhe më të dashura të repertorit, pjesë “Këngës së Mjellmës”.

“Të gjitha lidet tregojnë diçka, janë tepër të ndjera nga ana e kompozitorit, ndaj gjatë punës me to, e kam ndjerë veten pjesë të tyre. Këtë përpiqem ta justifikoj edhe gjatë interpretimit. Është një cikël shumë i vështirë lidesh sepse bëhet bashkë interpretimi teknik në unitet me poezinë, me fjalën”, u shpreh baritoni Artur Vera.

Ky cikël i njohur në të gjithë botën ishte testament i fundit i kompozitorit austriak, që la pas më shumë se 600 vepra vokale, si dhe disa simfoni dhe opera. Ai njihet si një prej kompozitorëve më të mëdhenj të historisë. A.K./TemA

Lini një Përgjigje