Tiranë, 24 nëntor 2025 – Tirana Art Weekend 2025 (TAWE) ndodhet vetëm pak ditë larg hapjes së një programi të gjerë ekspozitash dhe aktivitetesh në kryeqytet. Edicioni i dytë i TAWE shpalos zërat e skenës bashkëkohore të artit pamor, të materializuar nga një rrjet institucionesh, hapësirash artistike dhe projekte bashkëpunuese, nga data 27 deri më 30 nëntor 2025.
Edicioni i këtij viti do të përfshijë 33 ekspozita dhe evente të shpërndara në të gjithë qytetin, duke ofruar një pasqyrë të gjallë dhe përfaqësuese të frymës së skenës së artit bashkëkohor në Shqipëri. Gjithashtu, në këtë edicion përfshihen për herë të parë organizata dhe artistë të rëndësishëm nga Kosova.
E vendosur mbi një traditë të re të themeluar një vit më parë, Tirana Art Weekend 2025 i gjen rrënjët e saj në një domosdoshmëri të hershme, duke synuar të forcojë bashkëpunimin ndërmjet aktorëve të ndryshëm të skenës artistike dhe të shfaqë cilësinë, koherencën dhe pjekurinë e prodhimtarisë krijuese vendase.
Siç shprehej Gertrude Stein, shkrimtare, poete dhe dramaturge amerikane, “përsëritja nuk është përsëritje. Është këmbëngulje.” Kjo frymë këmbënguljeje udhëheq edicionin e këtij viti, ku rikthimi nuk është thjesht ritual, por riafirmim i qëndrueshëm i një zëri të përbashkët estetik e kulturor, i cili meriton të dëgjohet gjerësisht.
“Jemi sërish këtu duke këmbëngulur që narrativa e artit bashkëkohor shqiptar të shkruhet sipas kushteve të veta dhe në të njëjtën mënyrë të ndahet me botën. Dhe përsëri, ngulmojmë që në një botë ndasish, solidariteti brenda komunitetit tonë artistik është fuqia jonë më e madhe”, – thotë Elian Stefa, Drejtor i Rrjetit Shqiptar të Arteve Pamore – Albanian Visual Arts Network (AVAN), e cila është struktura që organizon Tirana Art Weekend.
Veprimtaritë qendrore të Tirana Art Weekend do të zhvillohen në selinë e Institutit të Integrimit të Ish-të Përndjekurve Politikë, një vilë e restauruar e shekullit të 20. Kjo hapësirë do të strehojë nisma që veprojnë pa një adresë të përhershme ose jashtë Tiranës, ndërsa hapësirat e tjera të qytetit do të koordinojnë hapjet e ekspozitave gjatë fundjavës.
Organizatat pjesëmarrëse përfshijnë institucione dhe kolektive që kanë luajtur rol kyç në formësimin e identitetit bashkëkohor artistik shqiptar:
Albanian Cinematheque, Art House, Art Kontakt, Bazament Art Space, Berk, Destil Creative Hub, Ekrani i Artit, GADK, Galeria e Bregdetit, Minus Art Space, Off Season Artist Residency, Pararoja, Prag Space Collective, s t r a y stars, Satellite Zone, Tek Bunkeri, Tirana Art Lab, si dhe të tjerë. Programi satelit do të shtrihet në hapësira si Agimi Art Center, Galeria Artit Tiranë, Galeria FAB, Khrais - Tërshana, Space05, Vila 31, Art Explora dhe 18 Stories.
Artistët pjesëmarrës përfshijnë:
Silva Agostini, Jasmina Al-Qaisi, István Antal, Djellza Azemi, Sonja Azizaj, Bora Baboçi, Erjon Baculi, Samela Balazi, Enric Fort Ballester, Laura Bezati, Nikolin Bujari, Kessy Buqeza, Nora Bzheta, Pediona Dautaj, Gentian Doda | was bleibt kollektiv, Anna Ehrenstein, Paula Fraile, Lennart Forster, Gentian Gjikopulli, Yllka Gjollesha, Blerta Haziraj, Blerta Hoçia, Renis Hyka, Jon Jost, Genc Kadriu, Erdiola Kanda, Denisa Kasa, Doruntina Kastrati, Venera Kastrati, Xhanfise Keko, Idlir Koka, Anastas Kostandini, Ledia Kostandini, Mariana Kostandini, Jona Krasniqi, Diona Kusari, Lori Lako, Sem Lala, Olsi Lelaj, Adriaan Lokman, Enxhi Mehmeti, Xhulian Millaj, Anita Muçolli, Blerti Murataj, Violana Murataj, Elsamina Musiq, Elsaida Musiq, Fatmir Mustafa-Karllo, Silvi Naçi, Ilva Nelaj, Erald Nezaj, Antonio Ottomanelli, Adrian Paci, Luiza Pershqeva, Genny Petrotta, Nikolas Pipero, Dionis Prifti, Leonard Qylafi, Urani Rumbo, Anri Sala, Irgin Sena, Vesa Shahini, Endi Shani, Olga Shcheblykina, Abi Shehu, Dea Shubleka, Ildi Stafaj, Anja Stroka, Rosela Tarja, Ridge Telegrafi, Lorin Terezi, Trivet, Renid Tosuni, Ilir Tsouko, Igli Uruçi, Jozefina Vokrri, Gerta Xhaferaj, Mauro Zaçe, Driant Zeneli, dhe Zgjim Zyba. Një platformë e re kuratoriale është përgatitur nga kuratori Arnold Braho.
Ky edicion shënon edhe nisjen e një bashkëpunim të përvitshëm nën emërtimin AVAN x GKA: Komisionim Artisti. Përmes kësaj nisme, çdo vit do të komisionohet në bashkëpunim me GKA, një vepër e një artisti shqiptar, e cila i shtohet koleksionit të Galerisë Kombëtare të Arteve. Në edicionin e sivjetëm prezantohet një vepër e re e krijuar nga Gentian Shkurti.
Rreth Tirana Art Weekend
Tirana Art Weekend, i organizuar nga Rrjeti Shqiptar të Arteve Pamore – the Albanian Visual Art Network (AVAN), është një platformë vjetore e bashkëpunimit midis institucioneve, hapësirave të pavarura dhe kolektivave artistike në Shqipëri. Edicioni i parë u zhvillua në vitin 2024.
Rreth AVAN
I themeluar në Vlorë, po atë vit, gjatë Vlora Art Meeting, AVAN është një koalicion entitetesh të larmishme nga sfera e arteve pamore, të bashkuara nga një përkushtim i përbashkët ndaj shprehjes artistike, transparencës dhe dialogut kritik.
A.K./TemA
Lini një Përgjigje