“Intervistë me vetveten – Retë dhe gurët”, libri më përfaqësues i Petro Markos

26 Nëntor 2025, 14:50Kulturë Nga Namir Lapardhaja

Nëse do kishte një libër të Petro Markos, i cili vlen për t’u lexuar, për t’iu rikthyer dhe për t’u rekomanduar, ai është “Intervistë me vetveten – Retë dhe gurët”. Kjo vepër e tejkalon statusin e një libri, duke u shndërruar në një akt vetëdëftues, një lloj pasqyre ku autori rrëfehet pa frikë dhe pa hipokrizi.

I quajtur nga studiues si ‘shkrimtari që i mbeti besnik vetes edhe kur koha e tradhëtoi atë’, “Retë dhe gurët” është vepra më e lirë, më e çlirët dhe më e thellë e jetës krijuese të Petro Markos.

E gjithë jeta e autorit i ngjan një skenari filmi, duke filluar nga burgimi i kohës së Zogut, vajtja në Spanjë si antifashist, mbijetesa, përplasja me shokët e armëve dhe të idealit, burgosja nga komunistët, zhgënjimi, qetësia, paqja, reflektimi dhe ulja për të shkruar ‘intervistën me vetveten’. Kjo vepër nuk mund të kuptohet pa njohur dhe kuptuar më parë jetën e shkrimtarit, si reporter, si dëshmitar, idealist, luftëtar, i burgosur, si njeri që jetoi në kufirin e mundësive dhe të zhgënjimeve të një kohe të trazuar jo vetëm për Shqipërinë, por për krejt Evropën.

“Retë dhe gurët” mbart qetësinë e njeriut që e ka parë botën nga të gjitha anët dhe nuk ka asgjë për t’i fshehur askujt, sepse distanca kohore dhe qetësia për t’i parë ftohtë ngjarjet, personazhet dhe faktet, i japin mundësi autorit për të qenë objektiv, i drejtë ndaj vetes dhe të tjerëve, duke rrëfyer pa urrejtje dhe pa truke letrare.

Në këtë kuptim, kjo vepër e tij ndërthur tri elemente që e bëjnë atë të rëndësishme: së pari, objektiviteti i gazetarit; së dyti, thellësia e romancierit dhe, së treti, ndershmëria e njeriut që iluzionet e rrënuara e kanë ndihmuar për ta parë botën dhe realitetin me objektivitet.

I gjithë rrëfimi i Markos në “Intervistë me vetveten” vjen i kthjellët dhe i zhveshur nga ëndërritjet, pa ngjyrime ideologjike dhe pa tendencë propagandistike, ngase në kohën kur e ka shkruar është bërë gjithçka e qartë dhe autori ka pasur mundësi jo vetëm të reflektojë, por edhe ta shoh botën dhe realitetin nga një kënvështrim tjetër.

Petro Marko është protagonist i rëndësishëm i viteve ’40, i cili ka besuar si shumë të rinj të asaj kohe te vëllazëria internacionaliste, madje duke marrë pjesë si vullnetarë në luftën e Spanjës, duke krijuar iluzione për një botë të re, me drejtësi dhe me barazi, ndërkohë që është përplasur me zhgënjimin e thellë, ku regjimet njëri pas tjetrit i kanë kthyer kurrizin, përfshi edhe ai për të cilin aq shumë kishte ëndërruar dhe besuar.

Ëndrra dhe zhgënjimi, idealizmi dhe dhuna, besimi dhe humbja e tij përshkojnë çdo faqe të librit, ndërkohë që autori rrëfen me një sinqeritet që nuk ta ofron as letërsia më e arrirë. Ai flet për internimin dhe burgimin në dy sisteme të ndryshme, për luftën dhe për dhimben që shkakton ajo, për figura të njohura të kohës, të cilët historiografia zyrtare do t’i portretizonte ndryshe nga ajo që kishe njohur ai, për Kosovën, për ‘grekët’ e Himarës, për heronjtë, nacionalistët, komunistët dhe tradhtarët.

Nëpërmjet rrëfimit të tij, Marko nuk idealizon as veten, as të tjerët. Ai duket sikur nuk flet vetëm në emër të vetes, por në emër të një gjenerate që lindi me ëndrra të mëdha dhe e kaloi jetën me zhgënjime edhe më të mëdha. I gjithë rrëfimi i tij shndërrohet në një dëshmi historike, ku letrarja shërben vetëm për t’i rrëfyer bukur ato që kanë ngjarë në realitet.

Me “Intervistë me vetveten - Retë dhe gurët”, Petro Marko ka përmbysur kufijtë mes autobiografisë dhe letërsisë, duke na dhënë një tekst që mund tëlexohet njëkohësisht edhe si e dhënë historike, edhe si dokument, edhe si letërsi e pastër.

I ndikuar nga autorët e ‘brezit të humbur’, kjo vepër mbetet më e mira dhe më përfaqësuesja e Petro Markos jo për nga përmasa, por për nga vërtetësia dhe objektiviteti. Në të lexuesi nuk do të gjejë vetëm fatin dhe historinë e shkrimtarit, por fatin dhe historinë e një brezi të tërë njerëzish.

Për mua kjo vepër e Markos është një dëshmi e një ndërgjegjeje të rrallë, që koha nuk e përkuli dhe që ia doli të dëshmojë të vërtetën e tij pavarësisht vuajtjeve dhe peripecive.

Lini një Përgjigje